Teori konspiracioni me zgjedhjet

Lajme të ndryshme po na hyjnë në veshë këto ditë duke na zbuluar aleancat fluide të politikës shqiptare. Në ditët para zgjedhjeve të 23 qershorit, policia bashkiake e Tiranës u filmua ndërsa hiqte flamujt e Partisë Socialiste nëpër rrugë, por linte të paprekur flamujt e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një muaj më vonë, Sokol Olldashi, kandidat për kryetar i Partisë Demokratike, deklaron pa pritur e pa pandehur se Lëvizja Socialiste për Integrim po punon për të dhënë një dorë në rezultatin e zgjedhjeve për kryetar brenda kësaj partie.

Ndoshta Olldashi nuk dëshiron ta thotë me plot gojën, por përderi sa ai është denoncuesi, duhet të jetë i humburi nga ndërhyrja e LSI në “punët e brendshme” të PD ndërsa fituesi nuk mund të jetë askush tjetër veç delfinit të Berishës Lulzim Basha.

Gjatë ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është tërësisht i kontrolluar nga Sali Berisha, hap disa kuti zgjedhjesh të përzgjedhura prej saj. Nga këto kuti del se PS ka vjedh votat e PD dhe LSI. LSI del e pastër.

Tashmë KQZ hodhi një hap më tutje. Ballafaqimin e listave të votuesve të disa qendrave të përzgjedhura prej saj me të dhënat e sistemit të regjistrimit të kalimit të shtetasve në pikat kufitare TIMS, një hap që nuk pritet të nxjerrë asgjë tjetër veç faktit se në qendrat e votimit është firmosur dhe votuar për njerëz që kanë vite që nuk jetojnë në Shqipëri.

Më pëlqen shumë që rezultatet e zgjedhjeve po hetohen dhe shpresoj me të vërtetë që hajdutët, të cilësdo palë qofshin, të përndiqen penalisht e të futen në burg. Por hetimet e njëanshme dhe përzgjedhja e vjedhjeve për t’u përndjekur është më keq se sa mos-hetimi i katrahurës zgjedhore.

Berisha duket se i ka bërë mirë llogaritë. Ai i ka garantuar vetes një të majtë të dobët dhe inepte ku PS nuk disponon maxhorancë parlamentare dhe ku hajdutët e saj të votave përndiqen në mënyrë të njëanshme, pa u përndjekur hajdutët demokratë apo LSI-stë. Në aleancë me hajdutët e LSI në qeverisje, PS do të dalë edhe më e urryer se sa PD nga qeverisja në vitet e ardhshme.

Për të plotësuar teorine e konspiracionit, Ilirjan Muho, ish-anëtari i KQZ për LSI i shkarkuar nga Berisha, shprehet i sinqerte pro rinumërimit të votave në Qarkun e Lezhës.

You may also like...