Thaçit mos i jepni Nobelin

Xhabyni

Kohët e fundit të qenurit kundër nominimit të Hashim Thaçit për çmimin Nobel është kthyer në një argument për të qenë i emëruar si tradhtar, antishqiptar, kozmopolit jugosllav edhe ndonjë epitet tjetër të cilin me shumë mundësi e kam harruar. Në fakt, nuk po arrijmë të kuptojmë se Nobeli në vetvete nuk është çështje tifozlliku, as krenarie kombëtare se po të qe ashtu atëherë do ishte bërë si festivali i Eurovizionit.

Së pari, patriotët dhe nacionalistët e thekur të Nobelit duhet të kenë parasysh që Hashim Thaçi nuk do ta marrë çmimin i vetëm por se ky çmim do të ndahet mes tij dhe Daçiç. Qëllimi i këtij çmimi, nëse do akordohet sipas frymës së propozueses Ashton, është për t’i dhënë një tjetër shtysë marrëveshjes Kosovë-Serbi. Kështu kundërshtarët e këtij nominimi mund t’i ndajmë në dy grupe; grupi i parë është ai i nacionalistëve të cilët pohojnë se Thaçi përmes Nobelit dëshiron të shesë veriun e Kosovës dhe grupi i dytë është përbëhet nga persona të tjerë që e konsiderojnë çmimin Nobel si diçka të “shenjtë” të cilën nuk mund t’ia japësh as Daçiçit e as Thaçit.

Së dyti duhet të kuptojnë që askush nga ne, kundërshtuesit, nuk kemi ndonjë qëllim në vetvete për të fituar Nobelin dhe kemi zili që atë po e merr Thaçi. Arsyeja se përse kundërshtojmë është se Thaçi-Daçiç janë një dyshe tërësisht kundër frymës së këtij vlerësimi.

Ky debat duket se qe i harruar nëse kryeministri i vendit nuk do ta risillte në temë të ditës përmes ftesës që ai i bëri gjithë shqiptarëve për ta mbështetur Thaçin, a thua se këtu flitej për një ndeshje sportive ku njerëzit duhet të shkonin në stadium për të bërë tifozllik e për të kërcyer “O sa mirë me qenë Shqiptar”. Personalisht bëj pjesë tek grupi i dytë që kundërshtojnë marrjen e çmimit Nobel nga Thaçi, madje mendoj që Thaçi përpara se të marrë Nobelin duhet të pastrohet dhe kullohet në një kullesë që quhet Drejtësi. Pa u kulluar aty, ky zotëri nuk mund të fitojë Nobelin!

Jo pak herë kemi dëgjuar për skandale dhe abuzime të qeverisë Thaçi, njëri prej tyre është edhe rektori Gashi (që jo pak përflitet si një mik i afërt me Thaçin), gjithashtu po të bësh një udhëtim në Kosovë do të vëresh se të gjithë “miqtë” e komandantit janë tanimë të kapur në bizneset më të suksesshme në Kosovë; a do të thotë diçka kjo? Për ne që e njohim realitetin e shqiptarëve (këtu po fus dhe kosovarët) kjo do të thotë shumë, sepse në këto dy vende nuk mund të bëhesh dot dikush në jetë nëse nuk ke njohje atje lart. Kështu që më duket pak si abuzive të mendojmë se argumenti në fjalë është më shumë thashethem dhe dashakeqësi se sa realitet.

Nga ana tjetër, kemi presupozimin se ne që kundërshtojmë këtë vlerësim jemi anti shqiptarë dhe po bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë tash e 20 vite me Kadarenë. Në fakt, Kadare është një temë e nxehtë; një temë që më pëlqen ta prek por që nuk hyn në këtë shkrim sepse zë shumë vend, por ama duhet të kemi parasysh (e këtu e kam dhe për Kadarenë) që çmimi Nobel në tërësinë e tij përmban një Unversalitet. Kështu që çmimi Nobel për paqen ka në vetvete shijen e një universaliteti; kur këtë çmim e ka fituar Dalai Lama, Jaser Arafat e kështu me radhë ato nuk kanë qenë më pronë e kombit dhe vendit të tyre por një pasuri botërore. Nëse këto figura të shquara i vëmë në kandar me Hashim Thaçin atëherë e kuptojmë vetiu se tifozlliku jonë për këtë të fundit është thjesht një militantizëm i tepruar ballkanas. Kështu, nëse Thaçi-Daçiç fitojnë këtë çmim ka rrezik që ky çmim të kthehet si Topi i Artë në futboll dhe të humbasë tërësisht kredibilitetin dhe atë parimin për të cilin është krijuar.

Kjo dashuri tragjike që vijon të frymëzojë ëndrrat e cilitdo shqiptari për krenari rrezikon të kthehet në një obsesion dhe në një ngulmim të dëmshëm për kulturën dhe skenën politiko-shoqërore të vendit tonë. Thaçi me këtë nominim do të kthehet në një person të paprekshëm në politikën kosovare, në një person që mund t’i ngrihet një bust për së gjalli, në një Mesia ndërkohë që miqtë e tij këndej përpiqen me çdo kusht që ta ndihmojnë këtë glorifikim për të shtruar udhën e tyre drejt sundimit të përjetshëm. Po a nuk është e gjitha kjo një diktaturë? A nuk është e gjitha kjo një maskim i vlerave demokratike dhe vlerave të paqes e vetë Nobelit? Përpara se të lobojmë për Thaçin apo cilindo tjetër le t’i kthejmë përgjigje këtyre pyetjeve dhe të kuptojmë nëse Nobeli është një vlerë apo një çmim Eurovizioni.

You may also like...