The Gambler!

Dy ditët e fundit kanë qenë të mbushura me diskutimin mbi të famshmen “Byro Kombëtare të Hetimit”, e cila qe rikthyer në lojë pasi kryetari i Opozitës e kishte kërkuar miratimin e saj me ngulm javën e shkuar. Këmbëngulje që i dha avantazhin në betejën që ka kohë që ka nisur mes tre partive politike, betejë e cila lidhet me pikët që duhen fituar në sy të shqiptarëve, ndërkombëtarëve por edhe fuqisë në partinë politike.

Nëse në javën e shkuar Rama ka pësuar goditje të njëpasnjëshme sa i takon pushtetit të tij ndaj Metës por edhe pushtetit të tij brenda partisë së tij politike, Basha ka fituar pikë nga krahu tjetër. Sulmet e tij të vazhdueshme për miratimin e Byrosë së Hetimit Kombëtar i patën dhënë atij forcë për të sjellë vërdallë kundërshtarin e tij politik (madje të dy), kështu që beteja e javës së shkuar shkoi në favor të tij.

Rama qartësisht e kishte humbur fuqinë e tij si përpara publikut që po ushqehej me idenë se Basha tanimë e kish zënë në kurth Ramën, si përpara forcës së tij politike ku sulmet e Blushit përfshirë edhe këtë zbythje ndaj vullnetit të Metës dhe presionit të Bashës i ulën pikë dhe së fundi pikët e tij u humbën përballë ndërkombëtarëve të cilët dukshëm shohin tek Rama njeriun pa vullnetin politik. Në total, Rama u duk se po humbiste dhe betejën për një reformë të rëndësishme vetëm një vit përpara zgjedhjeve elektorale dhe kjo do të qe një vetëvrasje.

Mirëpo, beteja e kësaj jave duket se solli një rreshtim ndryshe. Rama, propozoi në tavolinë një draft të Byrosë Kombëtare të Hetimit që kishte marrë miratimin e Petrit Vasilit, kundërshtimin e Ylli Manjanit (që asnjëherë nuk tha që s’e kam kundërshtuar përkundrazi!) si dhe një P/Jo të Ilir Metës. Rreshtimi vazhdoi kur mediat bënë publike edhe debatin e Selamit në Mbledhjen e Kryesisë së PD-së (pra mesazhi se ka një humbje të pikëve të Bashës brenda PD-së).

Në vetvete drafti në fjalë nuk qe vetëm se një përsëritje e asaj çfarë Rama kishte propozuar dje dhe qe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, kjo u konfirmua edhe nga kundërshtimi i grupit të Prokurorëve (që e bën nul këtë draft, në një farë mënyre). Mirëpo beteja politike për të fituar dashurinë e popullit, partisë si dhe ndërkombëtarëve sapo kish nisur ndërkohë që zëri i atyre që duhet të logjikonin mbi draftin nuk qe dëgjuar. Në një betejë nuk dëgjohen më të urtët por vringëllima e shpatave!

I gjendur përballë këtij presioni fallco, Basha duket se zgjodhi një taktikë të çuditshme që i shkoi për shtat kryeministrit, i cili e përdori atë edhe në Kuvend. Arenë në të cilën një javë më parë ai qe poshtëruar nga Berisha, i cili jo vetëm që i nxori atë çfarë Manjani kish thënë për Byronë e Hetimit por edhe e sfidoi atë që ta votonte draftin e dakordësuar me të gjitha palët. Thënë më shkurt, Rama përmes tymnajës së ngritur shoqëruar me një artileri të suksesshme e shmangu debatin nga thelbi i draftit dhe e dërgoi atë në llogoren e politikës.

Kështu, në dukje u shfaq që të gjitha partitë politike kishin qenë në favor të këtij drafti të paraqitur por PD është tërhequr në çastin e fundit sepse Berisha ka ndikuar tek Lulzim Basha. Në këtë mënyrë Rama do të harxhonte mbi treçerekun e ligjërimit të tij në kuvend duke u marrë me “më the të thashë” dhe po kështu me akuza dhe sulm ndaj Berishës dhe Bashës. Padyshim që kjo lojë nuk do qe e mundur nëse Meta me P/Jo-në e tij nuk do të mbante së paku krahun e Ramës duke i dhënë atij një dorë për të fituar si pikë në popull ashtu edhe pikë në partinë e tij politike.

Mirëpo koha, që ka treguar shumë për këtë qeveri dhe për cilëndo tjetër, do të dëshmojë shumë shpejt nëse e gjitha kjo ka qenë një lojë që Rama të ndjehet i lumtur se ka fituar një betejë. Apo do të tregojë që Basha tanimë i është nënshtruar vullnetit të Berishës, siç shumë analistë pretendojnë këto kohë.

Ajo çfarë është e qartë përmblidhet në fjalët që Blushi tha “Askush nga qytetarët nuk e kupton çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit” dhe kjo do të thotë ndoshta që e gjithë kjo tymnajë është parapërgatitja për një betejë që natyrisht do të ketë tre ushtri që luftojnë secila për vete! Por ajo që vlen është për t’u kuptuar është se e gjithë kjo tymnajë e Ramës ka për qëllim që ky i fundit të rrisë pikët e tij ndër shqiptarë (duke e treguar Bashën si konen e Berishës), tek partia e tij (që duket se po lëkundet nga sulmet e Blushit) dhe po ashtu tek ndërkombëtarët!

You may also like...