T’i japësh fund makthit grek

Problemi me Tsipras është se ai nuk është radikal mjaftueshëm, por ai është shumë më realist se sa burrokratët që i bëjnë thirrje të sillet me “përgjegjësi”.

8c069105Paul Krugman, NYT

Alexis Tsipras, udhëheqës i koalicionit të krahut të majtë Syriza po bëhet kryeministër i Greqisë, Ai do të jetë udhëheqësi i parë europian i zgjedhur me një premtim të prerë për të sfiduar politikat e kursimeve që kanë dominuar që nga viti 2010. Dhe do të ketë, natyrisht, shumë njerëz që do ta këshillojnë atë të braktisë këtë premtim dhe të sillet me “përgjegjësi.”

Por a ka funksionuar deri tani kjo sjellja me “përgjegjësi”?

Për të kuptuar tërmetin politik në Greqi, ndihmon shumë të shohësh marrëveshjen e Greqisë të majit 2010 me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në bazë të së cilës diçka e quajtur si Trojka – FMN, Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian – i dhanë kredi këtij vendi në këmbim të një kombinimi të masave të kursimit me reforat. Është një dokument mbresëlënës, në kuptimin më të keq të fjalës. Trojka, ndërsa pretendonte se qe e drejtë dhe realiste, po bazohej në fakt në fantazi ekonomike. Populli i Greqisë ka paguar çmimin përgjatë këtyre viteve për këto zhgënjime elitiste.

Ju mund të shikoni se parashikimet ekonomike që shoqëronin marrëveshjen e ndihmës supozonin se Greqia mund të zbatonte kursime të ashpra me pak efekt mbi rritjen apo punësimin. Greqia qe sakaq në recesion kur marrëveshja u arit, por parashikimet supozonin që rënia do të përfundonte shpejt – dhe që do të kishte vetëm një kontraktim të vogël më 2011, dhe se nga viti 2012 Greqia do të rimëkëmbej.

Papunësia, pranonin parashikimet, do të rritej në mënyrë thelbësore nga 9.4 për qind më 2009 në gati 15 për qind më 2012, por pastaj do të fillonte të ulej goxha shpejt.

Por ajo që në fakt ndodhi qe një makth ekonomik dhe njerëzor. Në vend që të përfundonte më 2011, recesioni i Greqisë u përshpejtua. Greqia nuk e preku fundin deri më 2014 dhe në këtë pikë ajo ka përjetuar një depresion të plotë, me papunësi të përgjithshme të rritur në 28 për qind dhe me papunësi mes të rinjve që është rritur deri në gati 60 për qind. Rimëkëmbja që ka filluar, kështu sic është, as nuk shihet fare, nuk ofron perspektivë për rikthim në standardet e jetesës së parakrizës për shumë dhe shumë vite.

Çfarë shkoi gabim? Unë shumë shpesh përballem me konkluzionin se Greqia nuk mbajti premtimet e veta, se ajo dëshroi të kryejë shkurtimet e shpenzimeve siç kishte rënë dakord. Asgjë nuk mund të jetë më larg se e vërteta se sa ky konkluzion. Falë dallgëve të përsëritura të kursimeve, shpenzimet publike u ulën edhe më shumë nga sa qe parashikuar në programin fillestar dhe aktualisht janë rreth 20 për qind më të ulëta se sa qenë më 2010.

Megjithatë telashet e Greqisë janë edhe më keq se sa qenë kur programi filloi. Një arsye është se rënia ekonomike ka reduktuar të ardhurat: qeveria e Greqisë po mbledh një pjesë thelbësisht më të lartë të PBB-së në taksa nga sa mblidhte dikur, por PBB ka rënë kaq shpejt sa të ardhurat e përgjithshme fiskale kanë rënë.

Për më tepër, rënia e PBB-së ka bërë që një tregues kyç fiskal, raporti i borxhit me PBB-në, të vijojë të rritet edhe pse rritja e borxhit nominal është ngadalësuar dhe Greqia ka përfituar një falje modeste borxhesh më 2012.

Por pse qenë parashikimet fillestare kaq çmendurisht optimiste? Siç e thashë, për shkak se zyrtarët që supozohet se qenë gjakftohtë në realitet qenë përfshirë në ekonomiksin me fantazi. Si Komisioni Europian ashtu edhe Banka Qendrore Europiane vendosën të besojnë në magjinë e besimit – kjo është, që pretendimi se efektet shkatërruese për vendet e punës në shkurtimet e shpenzimeve do të kompensohen nga rritja e optimizmit në sektorin privat. FMN qe më e kujdesshme, por gjithsesi edhe ajo e nënvlerësoi shumë dëmin që mund të sillte paketa e kursimeve.

Dhe këtu është thelbi: nëse trojka do të qe me të vërtetë realiste, ajo do të pranonte se po kërkonte të pamundurën. Dy vjet pasi filloi programi i Greqisë, FMN filloi të kërkojë për shembuj historikë të programeve të llojit të Greqisë, pra rasteve kur përpjekjet për të paguar borxhin përmes shkurtimit të shpenzimeve pa anulim të një pjese të madhe të borxhit apo pa inflacion, patën qenë të suksesshme. Nuk gjeti dot asnjë shembull.

Kështu, tashmë që Tsipras ka fituar, dhe ka fituar fort, zyrtarët e Europës duhet të këshillohen mirë të shmangin leksionet që i bëjnë thirrje atij të veprojë me përgjegjësi dhe të vijojë me programin e tyre. Fakti është se ata nuk kanë besueshmëri; programi që ata i imponuan Greqisë nuk kishte kuptim kurrë. Nuk kishte asnjë shans që të funksiononte.

Nëse ka ndonjë problem, problemi është se planet e Syriza nuk janë mjaftueshëm radikale. Falja e borxheve dhe lehtësimi i masave të kursimeve mund të lehtësojnë dhimbjen ekonomike, por është e dyshimtë nëse ato janë të mjaftueshme për të prodhuar rimëkëmbjen e duhur. Në anën tjetër, nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë më shumë çfarëdolloj qeverie e Greqisë për sa kohë ajo nuk është përgatitur të dalë nga euro. Dhe publiku i Greqisë nuk është gati për dalje.

Megjithatë, duke bërë thirrje për një ndryshim madhor, Tsipras është shumë më tepër realist se za zyrtarët që dëshirojnë që rrahjet të vijojnë deri sa morali të përmirësohet. Pjesa tjetër e Europës duhet t’i japë atij një shans për t’i dhënë fund makthit të vendit të tij.

You may also like...