Tony Blair këshillon Nazarbajevin si të mbrojë një masakër

Ish-kryeministri i Britanisë Tony Blair (djathtas) përshëndet presidentin e Kazakistanit Nursulltan Nazarbajev

Ish-kryeministri i Britanisë Tony Blair (djathtas) përshëndet presidentin e Kazakistanit Nursulltan Nazarbajev

Nga Robert Mendick, Telegraph

Tony Blair i ka dhënë presidentit autokratik të Kazakistanit këshilla se si duhet të veprojë për të mbrojtur imazhin e vet pas masakrimit të civilëve të paarmatosur gjatë një proteste kundër regjimit të tij.

Në një letër për Nursultan Nazarbayev, të siguruar nga The Telegraph, Blair i tha presidentit kazakas se vdekja e 14 protestuesve “sido që tragjike, nuk duhet të vë në hije progresin e stërmadh” që ka bërë vendi i tij.

Blair, i cili paguhet miliona paund çdo vit për t’i dhënë këshilla Nazarbajevit, shkon deri aty sa sugjeron paragrafë që duhet të vendosen në fjalimin që presidenti do të mbante në Universitetin e Kembrixhit në mbrojtje të veprimeve të tij.

Blair paguhet përmes zyrës së tij private të konsulencës, Tony Blair Associates (TBA), e cila u ndërtua pasi ai u largua nga zyra e kryeministrit në vitin 2007. TBA kuptohet se ka angazhuar një numër këshilltarësh në disa ministri kyçe në Kazakistan.

Aktivistët e të drejtave të njeriut akuzojnë Blais se vepron “në mënyrë të turpshme” duke rritur besueshmërinë e Nazarbajevit në skenën botërore në këmbim të miliona paundëve.

Letra u dërgua në korrik 2012, para një fjalimi që do të mbante më vonë atë muaj Nazarbajev në Universitetin e Kembrixhit.

Disa muaj më herët, më 16 dhe 17 dhjetor 2011, së paku 14 protestues u qëlluan dhe u vranë si dhe 64 të tjerë u plagosën nga shërbimet e sigurisë së Kazakistanit në qytezën naftënxjerrëse Zhanaozen. Protestues të tjerë, më së shumti punëtorë nafte në grevë, u arrestuan dhe dyshohet se janë torturuar.

Blair filloi të punojë për Nazarbajev në nëntor 2011, vetëm pak javë para masakrës.

Në letër, të dërguar me një letër me kokë Zyra e Tony Blair, Blair shkruante: “I dashur Z. President, këtu keni një sugjerim për një paragraf për ta përfshirë në fjalimin e Kembrixhit. Mendoj se është më mirë të takohemi para çështjes Zhanaozen. Fakti është se ju keni bërë ndryshime pas saj; por në çdo rast, këto ngjarje, sido që tragjike, nuk duhet të lënë në hije progresin e stërmadh që ka arritur Kazakistani. Trajtimi i saj [i masakrës] në mënyrën që unë sugjeroj, është mënyra më e mirë për median perëndimore. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një citim që mund të përdoret në të ardhmen për të krijuar argumentin bazë për Kazakistanin.”

Me shkrimin e tij me dorë, Blair shtoi në fund të letrës: “Përshëndetje të përzemërta. Unë pres që të takohem me ju në Londër! I juaji përgjithmonë, Tony Blair.”

Blair i pati bashkangjitur letrës dy paragrafë të gjatë me rreth 500 fjalë që Nazarbajev duhej t’i shtonte te fjalimi i tij. Fjalët e shkruara nga Blair por të recituara nga Nazarbajev me disa ndryshime, u dëgjuan shumë në ato kohë. Ato u përdorën për ta paraqitur Nazarbajevin si një udhëheqës vizionar që pati përmirësuar standardet e jetesës së atdheut të vet.

Nazarbajevi ka qenë president i Kazakistanit, një vend i pasur me naftë e gaz dhe me sipërfaqe më të madhe se Europa perëndimore, që kur vendi fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991. Ai vitoi zgjedhjet e fundit presidenciale më 2011 duke marrë 96 për qind të votave.

Blair këshilloi klientin e tij të shtojë në fjalim një paragraf që fillonte: “Unë e dua vendin tim. Unë kam punuar fort për ta ndihmuar atë të kapërcejë trashëgiminë e hidhur të historisë së vet të vonë. Unë kam qenë në krye ndërsa ai ka bërë përparime dramatike në standardet e jetesës, pasuri dhe mirëqenie për popullin… Unë i gëzohem tolerancës fetare thelbësore të kombit që lejon njerëz nga besime të ndryshme t’i praktikojnë këto besime në liri.”

Blair shkroi gjithashtu në flalim rolin që Kazakistani ka luajtur duke ndihmuar forcat e NATO-s të tërhiqen nga Afganistani si dhe vendimin e Nazarbajevit për të hequr dorë nga armët bërthamore, një relike e epokës Sovjetike.

Sa i përket çështjes së Zhanaozen, Blair i sugjeroi Nazarbajevit të shtonte në fjalimin e tij: “Ka çështje për demokracinë dhe të drejtat e njeriut të cilat janë thelbësore për t’u trajtuar. Unë kuptoj kur dëgjoj atë që thonë kritikët tanë. Gjithsesi, unë thjeshtë do t’i them atyre: me të gjitha mjetet jepini argumentet tuaja dhe unë ju siguroj që po ju dëgjoj. Por na jepni ne merita për ndryshimet e stërmëdha të natyrës pozitive që ne kemi sjellë në vendin tonë përgjatë këtyre njëzet viteve të fundit… ne do të duhet të ecim hap pas hapi.”

Në fjalimin final të recituar nga Nazarbajev, ai ndoqi në përgjithësi këshillat e Blair, megjithëse injoroi disa çështje kyçe – duke mos e përmendur Zhanaozen me emër.

Në analizën e vet të fundit mbi këtë vend, Human Rights Watch (HRW) doli në konkluzioni se: “Situata e keqe e të drejtave të njeriut në Kazakistan vijoi të përkeqësohet më 2013 ku autoritetet shtypën lirinë e shprehjes dhe pakënaqësitë përmes keqpërdorimit të ligjeve tepër të përgjithshme.”

Hugh Ëilliamson, Drejtor i HRË për divizionin e Europës dhe Azisë Qëndrore tha: “Është e turpshme që Tony Blair ka marrë miliona paund nga ky autokrat për të shkruar fjalime për të pa u marrë realisht me kokën e problemeve të stërmëdha me të drejtat e njeriut në Kazakistan.”

Blair ka mohuar që ai “përfiton personalisht” nga roli i tij në Kazakistan. Në fakt ai paguhet përmes Tony Blair Associates, e cila është krahu tregtar i Office of Tony Blair. Besohet se marrëveshja e TBA me Kazakistanin është afërisht 7 milionë paund në vit.

Një zëdhënës për Tony Blair tha në letër se ai po theksonte çështjen se “ngjarjet në Zhanaozen qenë me të vërtetë tragjike dhe se ato duhet të trajtoheshin në çdo fjalim dhe jo të injoroheshin.”

Ai shtoi se megjithëse Blair e ka bërë gjithmonë të qartë se Kazakistani përballet me “sfida reale” mbi çështje të të drejtave të njeriut, vendi gjithsesi ka bërë “progres të stërmadh” në termat e ekonomisë, tolerancës fetare dhe çarmatosjes bërthamore.

You may also like...