Tregu i gjësë së gjallë (Një shqyrtimin mbi sistemin gjygjësor)

Xhabyni

Asgjë nuk duhet të na joshë më shumë se sa drejtësia”, i drejtohej Sokrati nxënësve të tij ndërsa i fliste mbi drejtësinë dhe raportin e saj me të vërtetën, sepse s do që ta trajtosh thdrejtësinë, ajo është si një farësoj sinonimi i të vërtetës. Ndaj jo rrallë, sa herë që tregohesh i drejtë je edhe i vërtetë, apo më saktë, i jep kuptim vërtetësisë. Në sa më poshtë nuk synoj në asnjë çast të japë një zgjidhje konkrete mbi çfarë duhet bërë në çdo instancë të gjygjësorit, kjo mendoj se është tërësisht aftësive të mia në këtë fushë.

Korrupsioni në sistemin gjyqësor tashmë është jo vetëm një perceptim i konsoliduar në shoqëri, por dhe brenda vetë radhëve të gjyqtarëve. Në një punim të juristit Fabian Zhilla mbi këtë çështje, ai pohon se “korrupsioni është më i përhapur në shkallët më të larta të gjykatave, dhe kryesisht në ato gjykata ku volumi i çështjeve civile dhe penale është më i lartë. Duke krijuar një treg informal të “drejtësisë”, ku gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë.”

Po sipas Zhillës,“gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë. Një konstatim tjetër interesant është përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare.” Ky lloj ridimensionimi i pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të heshtur me këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë favoret ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media, biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion, kështu që gjygjësori “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjelljeje e gjyqësorit është kthyer në “kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë. Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu ku blen dhe shet “të drejtën e tij”. Megjithatë është për t’u cilësuar se sot korrupsioni duket të ketë marrë një përshkallëzim të frikshëm edhe në prokurori e polici.

E gjithë sa më sipër shpjegohet mjaft mirë, le të themi, në rastet më të bujshme të çështjeve gjygjësore në vendin tonë, ku jo pak herë individë me peshë politike (e jo vetëm) nuk janë gjykuar për probleme procedurale (kujtoni rastin e rrugës së Kombit), apo provat janë konsideruar si të pamjaftueshme (rasti Meta dhe Mediu). Mirëpo zullumi i këtij sistemi gjygjësor është trashur aq shumë, saqë ka filluar të prekë dhe jetën e cilitdo prej qytetarëve të këtij vendi. Vrasës të ndryshëm me njohje politike, apo me para në xhep, kanë mundur të lehtësojnë në maksimum dënimet e tyre apo në disa raste i janë shmangur burgut gjithashtu për procedurë, duke krijuar kështu jo vetëm mungesën e drejtësisë, por edhe krijimin e një shoqërie të destabilizuar ku mungon tërësisht e drejta dhe drejtësia.

Nën këtë frymë ne duhet të kishim një lëvizje të fuqishme qytetare kundër kësaj padrejtësie, por le të kujtojmë që në shenjë proteste për mosdënimin e autorëve të vrasjeve të 21 Janarit, apo për videon e Metës, dolën në shesh më pak njerëz se sa dolën për ndalimin e vrasjes së qenve rrugaçë përpara Bashkisë. Pragmatistë ose jo, nga qytetari më i ndjeshëm e deri tek ai më indiferenti ndaj asaj se çka ndodh brenda një habitati që është sa i të gjithëve aq edhe i askujt, sidomos kohët e fundit, tema e mos pavarësisë së gjyqësorit dhe, më tej akoma, e korrupsionit gjithnjë e në rritje brenda institucioneve që ngrenë kultin e së drejtës, ka qenë objekt i bisedave të gjithkujt. Për të ardhur keq është që, më së shumti, përtacia për të protestuar mbi mungesën e shtetit të së drejtës ecën paralelisht me padrejtësitë dhe vendimet e padrejta e të turpshme të dala nga gjyqësori shqiptar.

Mirëpo politikës, mazhorancës aktuale, duket se i ka hipur dëshira për të ndryshuar sistemin aktual të drejtësisë e si çdo ndryshim në vendin tonë që vjen nga politika, është qartësisht e kuptueshme që është e njëanshme. Vështirë është të besosh që parti politike që kanë mbi krye liderë të përlyer me afera, të cilët gjygjtarët i kanë shpëtuar, të tentojnë të kthejnë shtetin e së drejtës dhe një sundim të ligjit. Prandaj dhe akuzat e sotme që i bëhen gjygjtarëve janë me karakter politik; dëshira e mazhorancës për të kontrolluar atë që tani po kontrollon opozita. Si përherë populli është në fundin e listës edhe pse në fillimin e çdo fjalimi.

Për të përshkruar me pak fjalë atë që po ndodh sot me një gjygjtar nga Pogradeci, mund të marrim si shembull tregimin e mrekullueshëm të Kafkës, “Një shoqëri horrash”, i cili përshkruan qartësisht frymën me të cilën ka vepruar çdo mazhorancë me drejtësinë në këto 23 vite demokraci (e se si ka vepruar dhe pushteti i djeshëm diktatorial). Në pak fjalë tregimi na thotë se ndonjëherë, në ndonjë rast shoqëria e horrave u duhet që për sy e faqe të dënojnë më të pandershmin e tyre (që është gjithmonë më i pafuqishmi), mirëpo pas një dënimi të shkurtër ai përfundon sërishmi i përfshirë në po të njëjtën shoqëri. Kjo duket se do të jetë dhe dënimi që do të marrë gjygjtari nga Pogradeci që për ironi të fatit më kujton farsën ndaj gjygjtarit Neritan Tabaku, pra një vrimë në ujë.

Nuk mund të flasim për largimin e një gjygjtari nëse ai ndodhet brenda sistemit e as për rregullimin këtij sistemi.” shprehet Zhilla në punimin e tij. Rritja e rrogës, sikundër flitet shpesh ndër ne apo ekspertë, nuk mund të sheshojë kurrsesi sistemin e përmendur më sipër. Kjo sepse ajo nuk mund të jetë kurrë aq e madhe sa mitmarrja, e mbi të gjitha rritja e pagës së gjygjtarëve nuk mund të shkatërrojë sistemin e përmendur më sipër. E vetmja shpresë që mund të shoh është ajo e një çrrënjosjeje të këtij sistemi shoqëror gati-gati absorbues, të gjithë kësaj padrejtësie që gëlon ndër ne. Mirëpo një qasje e tillë është thuajse e pamundur, dhe krijon përshtypjen e një teleologjie, larg prakticitetit dhe zgjidhjes reale të problemit duke u kthyer më së shumti në një dogmë apokaliptike. Për të shmangur një qasje të tillë ndaj lexuesit po propozoj një nga përfundimet dhe zgjidhjet praktike që Zhilla jep në punimin e tij “Zgjatja e kohës nga magjistrat në gjyqtar mund të rishikohet. Mbase magjistratët mund të fillojnë si ndihmës gjyqtar për një farë kohe përpara se të marrin detyrën e gjyqtarit. Sot kemi gjyqtarë në moshë shumë të re dhe pa përvojën e duhur jetësore, kur dihet që këto elementë luajnë një rrol të rëndësishëm, jo vetëm në cilësinë e gjykimit, por dhe besueshmërinë e publikut tek gjyqtarët. Ndërkohë duhet parë mundësia që jo vetëm gjyqtarët e shkallëve të larta të kenë asistentë, por dhe ata të shkallëve të para. Me pak fjalë, reforma në gjyqësor, në kontekstin e luftës së korrupsionit, duhet të konsiderojë si faktorët objektiv dhe ata subjektiv, të cilët shtyjnë gjyqtarët të përfshihen në aferave korruptive.

You may also like...