Tregu i lirë nuk e rrëzoi murin e Berlinit

Debati

Shtetet e Bashkuara e kanë keqinterpretuar fundin e Komunizmit për një çerek shekulli. Është koha ta shohim historinë siç duhet.

Nga MELVYN P. LEFFLER, Foreign Policy

Më 9 nëntor 1989, Gunter Schabowski, zëdhënësi i regjimit të Gjermanisë Lindore, gaboi në një konferencë për shtyp që ndryshoi historinë.

180952188_11-6Megjithëse Schabowski qe një anëtar i byrosë politike, ai nuk kishte marrë pjesë në takimin e byrosë më herët atë ditë kur komiteti mori vendim mbi rregullat e reja të udhëtimit të Partisë Komuniste. Ai madje as nuk i pati lexuar ato kur doli para dhomës përplot me gazetarë.

Për shumë muaj, Gjermanët e lindjes ishin duke u arratisur drejt Gjermanisë Perëndimore, përmes Hungarisë apo Çekosllovakisë. Regjimi qe turpëruar thellë, dhe ai qe tronditur edhe më shumë nga rritja e trazirave nëpër qytete. Demonstruesit kishin filluar të mblidheshin në mënyrë paqësore në Lajpcig, javë pas jave prej shumë muajsh, duke tërhequr turma gjithnjë e më të mëdha. Të nxitur nga grupimet e kishave, mjedisorët dhe organizatat joqeveritare që kërkonin çarmatosje paqësore, Gjermano-Lindorët marshonin nëpër rrugë, duke kërkuar ndryshim por edhe duke patur frikë nga represioni.

Në librin e saj të ri Rënia, historiania Mary Sarotte detajon rolet e individëve të zakonshëm dhe aksidenteve që sollën rënien e Murit të Berlinit: udhëheqës të partisë e dinin se duhej të hartonin rregulla të rregulla udhëtimi për të shfryrë krizën në shtëpi dhe për t’i shpëtuar presionit në rritje nga shokët e tyre në Pragë, Budapest dhe Moskë. Por ata nuk dëshironin t’i hapnin kufijtë tërësisht. Ata nuk kishin ndër mend të lejonin Gjermano Lindorët të largoheshin pa kërkuar leje.

Në pjesën më të madhe, gazetarët qëndruan të mërzitur në konferencën për shtyp që zgjati një orë. Schabowski dha përgjigje të turbullta dhe të ngatërruara për shumë lloje pyetjesh. Ndërsa ora 7 pasdite u afrua, ai u pyet mbi rregullat e reja të udhëtimit. Duke trazuar letrat e tij, ai foli sërish pa shpirt, pastaj tha “për aq sa di unë… do të jetë e mundshme për çdo nënshtetas të emigrojë”. Gazetarët e qëlluan me pyetje pas kësaj, por ai nuk mundi të sqaronte rregullat e reja.

I shqetësuar nga trazirat që shkaktuan fjalët e tij dhe shumë i dëshiruar për të ikur, dukshëm i painformuar, ai në mënyrë kriptike vërejti se rregullat e reja hynin në fuqi “menjëherë” – edhe në Berlin.

Gazetarët e televizioneve raportuan menjëherë se kufijtë janë hapur. Berlinezo-lindorët u tundën te pikat e kontrollit përgjatë murit që pati ndarë qytetin e tyre që nga viti 1961. Duke u përballur me kaosin, rojet nuk e dinin se çfarë duhej të bënin. A duhej të hapnin zjarr? A duhej të përpiqeshin t’i shpjegonin se kufizimet e udhëtimeve në fak, nuk qenë lehtësuar?

Turmat vijuan të rriten. Duke pasur frikë nga dhuna dhe pa ditur se çfarë duhej të bënin, rojet hapën portat. Qytetarët e gëzuar pushtuan murin dhe pastaj e rrëzuan atë.

Kjo javë shënon një çerek shekulli që kur muri u rrëzua. Gjermanët do ta përkujtojnë këtë ngjarje në Portën e Brandeburgut me një fjalim të Kancelares Angela Merkel, një koncert nga Peter Gabriel dhe një spektakël prej 8 mijë fenerësh ndriçues. Qeveritë nëpër të gjithë botën do të lëshojnë deklarata për përkujtimore dhe nderim. Por çfarë do të festojë bota me të vërtetë? Si duhet të mendojnë gjeneratat e ardhshme mbi këtë ngjarje? Çfarë leksionesh janë fituar?

Ne amerikanët pëlqejmë të mendojmë se shpërbërja e Murit konfirmoi rolin shpenzues të Shteteve të Bashkuara, saktësinë e politikës së përmbajtjes, efikasitetin e armatimit të nisur nga presidenti Ronald Reagan dhe joshjen globale të lirisë.

Rënia e Murit konfirmoi këndvështrimin eksepcionalist të amerikanëve për veten. Ky triumfalizëm u nda nga grupime shumë të ndryshme, nga George H. W. Bush, te familja Clinton, Donald Rumsfeld dhe Dick Cheney, Paul Wolfowitz dhe Douglas Feith.

Por triumfalizmi nuk qe i menjëhershëm. Kur presidenti Bush dëgjoi për herë të parë lajmin mbi ngjarjet në Berlin, ai qe i kujdesshëm. Ai e mikpriti rritjen e lirisë për Gjermanët e lindjes, por qe i vendosur të shmangte retorikën që mund të sillte një pushtim sovjetik. “Disa donin që unë të ngjitesha te Muri i Berlinit,” i tha ai gazetarëve në atë kohë. “Unë nuk kisha dëgjuar kurrë një ide të tillë idiote.; Presidenti rikujtoi ngjarjet në Budapest më 1956 dhe Pragë më 1968 dhe nuk mund të injoronte shtypjen e kohëve të fundit të regjimit komunist kinez në sheshin Tiananmen.

Megjithatë kur Gjermania u ribashkua, Lufta e Ftohtë përfundoi dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë, presidenti nuk i rezistoi dot tundimit të marrjes së meritave për këto ngjarje: “Ne e sollën rënien e Perdes së Hekurt dhe vdekjen e komunizmit perandorak,” i tha ai mbështetësve në një miting në Ohajo në maj 1992. Disa muaj më vonë, platforma elektorale e Partisë Republikane shkoi më tutje: “Rënia e Murit të Berlinit shënon një ndryshim epokal në mënyrën se si njerëzit jetojnë… Ne Republikanët i pamë qartë rreziqet e kolektivizimit, jo vetëm kërcënimin ushtarak, por kërcënimin më të thellë te shpirti i njerëzve që krijohet nga varësia.”

Duke u shfaqur më 1992 në konventën Republikane në fjalimin e tij të fundit publik para se Alzheimeri ta godiste, Reagan siguroi dëgjuesit e tij se kjo qe e vërtetë: “Ne amerikanët nuk duhet të harrojmë kurrë që ne ishim forca morale që mposhti komunizmin.”

Edhe Demokratët e lexuan gabim rënien e Murit të Berlinit. Ata ranë dakord që kolapsi i regjimit komunist në Europën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik diskretitoi rolin e qeverisë dhe demonstroi superioritetin e tregut të lirë. Ata përqafuan tregtinë e lirë dhe globalizimin, Aktin e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut dhe Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ata rrëzuan ndarjen mes bankave tregtare dhe bankave të investimeve, të cilat qenë që nga epoka e Depresionit dhe nuk rregulluan sektorët në zgjerim të ekonomisë financiare si tregtia e derivateve dhe titullizimin e kredive me kolateral. Ata detyruan qeveritë të derregullonin kontrollin financiar si kushte për pakte të tregtisë së lirë apo për marrjen e ndihmës financiare gjatë krizës financiare të Azisë. “Tendenca drejt demokracisë dhe tregjeve të lira nëpër botë,’ tha Bill Clinton, “është në interes të Amerikës.” Fundi i Murit, rrëzimi i ekonomisë së Rusisë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik finalizoi përqafimin e politikave ekonomike neoliberale nga të dyja krahët e politikës amerikane.

Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, Muri i Berlinit vijoi të argëtojë dhe frymëzojë zyrtarët e qeverisë amerikane. Më 9 nëntor 2001, Presidenti George Ë. Bush deklaroi “Ditën Botërore të Lirisë.’ Ai tha, “Njësoj si rënia e Murit të Berlinit dhe mposhtja e totalitarizmit në Europën Qendrore e Lindore, liria do të triumfojë në këtë luftë kundër terrorizmit.”

Të menduarit të tillë krijoi gjuhën – dhe me të vërtetë arrogancën – që informoi Deklaratën e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të vitit 2002: “Përplasjet e mëdha të shekullit të 20 mes lirisë dhe totalitarizmin përfundoi me një fitore vendimtare për forcat e lirisë dhe me një model të vetëm të qëndrueshëm për sukses kombëtar: liri, demokraci dhe sipërmarrje e lirë.” Nuk është e vështirë për të hequr një vijë nga triumfalizmi i epokës së pas Luftës së Ftohtë te pushtimi i Irakut të vitit 2003: Duke parë videot e rrëzimit të statujës së Sadamit, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld u përtyp gjatë një konference për shtyp në Pentagon: “Duke parë [irakenët]… nuk i shpëton dot mendimin të rënies së Murit të Berlinit dhe kolapsit të Perdes së Hekurt.”

Këto ekstrapolime nuk janë thjeshtë të keqinformuara, ato janë të gabuara. Me atë që dimë nga historia e rrëzimit të Murit – pasiguria e ngjarjes dhe agjencia e njerëzve të zakonshëm – ne duhet të nxjerrim leksione të ndryshme, të tilla që nuk flasin për joshjen globale nga liria apo bujarinë e tregjeve të lira apo efikasitetin e fuqisë, pushtetit.

Ne kemi nevojë, para së gjithash, të pranojmë rolin e revolucionit të të drejtave të njeriut dhe atë të organizatave joqeveritare, si Komiteti i Helsinkit, Komiteti i Mbrojtjes së Punëtorëve në Poloni, apo Kapitullit 77 në Çekosllovaki e shumë të tjera. Këto grupime, megjithëse të ndryshme në ideologji dhe taktika, të gjitha kërkuan ndryshimin, hapjen, lirinë e shprehjes, mundësinë individuale, lirinë e fesë dhe dinjitetin njerëzor.

Historianët tashmë kanë filluar të kuptojnë energjinë dhe rolin e këtyre organizatave në rënien e komunizmit. Këto grupe mbajtën lartë Marrëveshjet e Helsinkit më 1975, të firmosura nga 35 vende evropiane – komuniste dhe jokomuniste apo neutrale, si dhe Shtetet e Bashkuara e Kanadaja – që vunë themelet e parimeve të marrëdhënieve Lindje-Perëndim, përfshirë bashkëpunimin ekonomik, shkencor, kulturor dhe teknologjik.

Ata theksuan detyrimin e të gjithë firmëtarëve për të respektuar të drejtat themelore si të drejtën e mendimit, fesë dhe ndërgjegjes.

Organizatat u ngritën nëpër të gjithë Europën lindje dhe perëndim, për të mbajtur lartë të drejtën për të udhëtuar, për të promovuar shkëmbimet kulturore, për të mbështetur ribashkimin e familjeve dhe, para së gjithash, për të mbajtur qeveritë llogaridhënëse për burgosjen e disidentëve, diskriminimin e minoriteteve, shtypjen e shoqërisë civile, shmangien e të drejtave të punëtorëve për t’u organizuar apo kufizimin e lirisë së fesë apo të shtypit.

Këto organizata punuan pa u lodhur për t’i turpëruar dhunuesit. Ata ushqyen kontaktet transnacionale dhe mbështetja e tyre e ndërsjelltë i mbrojti disidentët nëpër të gjithë Europën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik.

Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo solli rënien e regjimeve represive komuniste.

Kur ne mendojmë për rënien e komunizmit, ne duhet të theksojmë dhe festojmë joshjen nga ekonomia e tregjeve sociale – jo ajo e sipërmarrjes së lirë.

Me të vërtetë, qenë parimet e tregjeve sociale, konkurrencës së rregulluar dhe angazhimit për barazi shoqërore dhe sistem të mbrojtjes shoqërore që u inkorporuan në ligjin që themeloi bashkimin ekonomik dhe monetar të Gjermanisë perëndimore dhe asaj lindore. Në konkurrencën ideologjike mes sipërmarrjes së lirë dhe komunizmit, tregjet sociale fituan Luftën e Ftohtë. Pa nënvlerësuar sulmin Reagan-Thatcher mbi qeveritë dhe rregullat, rrjetet e mbrojtjes sociale nuk u gërryen në vitet 1980, as në Shtetet e Bashkuara apo Britaninë e Madhe. Dhe nëpër të gjithë Bashkimin Europian, mbrojtja sociale si përqindje e PBB-së arriti kulmin në vitin 1993.

Aftësia për të plotësuar paqen me mirëqenien e bëri perëndimin kaq joshës për qytetarët përtej Perdes së Hekurt. Dhe në këtë kuptim, kur ne rikujtojmë rënien e Murit, ne duhet gjithashtu të festojmë efikasitetin e institucioneve mbikombëtare dhe integrimin ekonomik Europian. Muri i Berlinit u rrëzua për shkak të ripajtimit Franko-Gjerman, për shkak të suksesit të Bashkimit Europian të Qymyrit dhe Çelikut dhe Tregut të Përbashkët, për shkak të shpresave të frymëzuara nga fundi i viteve 1980 nga perspektiva për një Bashkim Europian. Muri i Berlinit u rrëzua për shkak të qëndrueshmërisë së ekonomive perëndimore dhe joshjes nga kultura e konsumit masiv. Kur Gjermano Lindorët u dyndën në Gjermaninë Perëndimore, ata nuk po shkonin atje për të lajmëruar mbërritjen e raketave Pershing II të shkatërruara së fundmi.

Pavarësisht kësaj, ne duhet të kuptojmë se rindërtimi ekonomik dhe integrimi i Europës Perëndimore nuk do të mund të ndodhte pa praninë e trupave amerikane të stacionuara në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të NATO-s. Fuqia ushtarake amerikane dhe angazhimi strategjik qenë thelbësore për ekonomitë e Europës Perëndimore.

Megjithatë udhëheqës të mençur kuptuan se fuqia ushtarake më vete nuk mund të fitonte Luftën e Ftohtë.

Reagan kuptoi se të negociuarit nga pozicioni i fuqisë nënkuptonte të negociuarin, dmth të afruarin dhe të kuptuarin e kundërshtarit. Bush kuptoi se kujdesi dhe vetëpërmbajtja qenë me rëndësi kritike. Ai e dinte se ne nuk duhet të reagojmë me tepri, se ai nuk duhej të provokonte një shtypje nga brenda Gjermanisë Lindore apo nga Kremlini. Kancelari i Gjermanisë Perëndimore Helmut Kohl kuptoi se Gjermania e Bashkuar duhej të ngulitet brenda institucioneve supranacionale, si NATO dhe BE-ja. Presidenti i Francës Francois Mitterand eci përpara me Bashkimin Monetar të vitit 1992 që qe një parakusht për bashkëpunim me fuqinë e ardshme të Gjermanisë dhe për sigurimin e fqinjëve të Gjermanisë.

Institucionet joqeveritare, bashkimet monetare dhe konferencat për shtyp që shkojnë keq nuk mund të përbëjnë bazë për një narrativë dramatike dhe triumfaliste që i bën amerikanët të ndjehen mirë për veten e vet dhe qeverinë e tyre. Ne duhet të refuzojmë shpjegimet e thjeshta të ngjarjeve.

Një histori e shkruar gabim atë që ndodhi sjell arrogancë ideologjike dhe leksione të gabuara për të ardhmen, nga derregullimi financiar me pasoja shkatërrimtare te vetëbesimi i tepruar mbi kapacitetin dhe fuqinë ushtarake amerikane.

Por edhe nëse ne pranojmë kufizimet dhe kompleksitetin, ne duhet të jemi të aftë të biem dakord në 25 vjetorin e shpërbërjes së Murit se ka ende shumë gjëra për të festuar. Në një editorial më 11 nëntor 1989, Neë York Times i vendosi ngjarjet nën perspektivën e duhur: “Turmat e të rinjve gjermanë kërcyen në majë të Murit të urryer të Berlinit të martën në darkë. Ata kërcyen nga gëzimi; kërcyen për historinë. Ata kërcyen për shkak se cikli tragjik i katastrofës që përfshiu Evropën fillimisht 75 vjet më parë, me dy luftëra botërore, një holokaust dhe një luftë të ftohtë, duket se po i afrohet fundit.”

Ne gjithashtu mundet të vijojmë të gëzohemi edhe pse e dimë se trazirat, konflikti dhe vuajtjet nuk marrin fund kurrë me të vërtetë.

You may also like...