U katandis Tosca një thelë!

Eva Golemi – Mbretëresha e zënë sheh!

Rivënies së Tosca-s kryevepërs pucciniane në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, iu atashua dhe një “sebep” i madh; tenori ynë me famë “ndër-planetare” që ka korrur kaq e kaq suksese e që si për inat, operabase një prej rrjeteve më të rëndësishme informative dhe menaxheriale të lëmit operistik, apo ndonjë kritik gojë-shpuzë ndërkombëtar, nuk i ka kushtuar qoftë edhe një gërmë mbi performancat vokale mbresëlënëse të tij, do të kurorëzonte karrierën nën këmishën e gjaksour të artistit me shpirt revolucionari, Mario Cavaradossi-t. Në lëmin e marketimit, dhe ngritjes së figurës artistike personi në fjalë është kujdesur prej vitesh ta deklamojë fuqishëm duke e përkedhelur emrin e tij me shtëpi teatrosh madhorë botërorë, apo dhe këngëtarësh që kanë shërbyer si mentorë për ngritjen e kapacitetit artistik, si Joan Sutherland dhe veçanërisht Franco Corelli-t, ku ky i fundit megjithëse në moshë të thyer, nuk nguronte të merrte një copë letër e ti shkruante mikut dhe nxënësit të tij “prodige”. E kjo makinë cudibërëse marketuese e mbështetur dhe nga media vëndase, më përpiu dhe mua, që përultazi mund të them që sjam dhe aq lëkurë-paregjur sa i takon artit lirik të të kënduarit. Si një adhurues i zjarrtë i tenorit Corelli, nuk do të lija asesi të më shpëtonte pa dëgjuar se si leksionet e tij ishin mishëruar mbi kordat vokale të një shqiptari. Duke pranuar mungesën e guximit për të lënë mënjanjë të gjitha impenjimet personale përballë këtij evenimenti, më mbeti që të përjetoja reprizën e fundit të shfaqjes, ku dhe njëfarë lodhje vokale do qe justifikueshme.

E ja kështu e mora drejtimin drejt qëndrës së qytetit, derisa e gjeta veten të ulur në galeri si i thonë “mu në mes të filxhanit”, aty ku akustika shurdhe e teatrit tonë, projekton rezonancat më të mira. Nuk kaloi shumë dhe shfaqja filloi. Do të ishte e kotë t’ju përshkruaja sërish mbi konceptin regjisorial apo dhe t’ju parashtroja një analizë të vepërs së Puccinit. Për ata që kërkojnë një informacion të tillë, mund ta gjeni këtu : http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/03/02/no-puccini-no-party/.

Problemet me ekzekutimin e vepërs u vunë re qysh në akordin e parë të prodhuar nga orkestra, e kështu fillova të psherëtija me vete. Më kish rrëshqitur përfshirja emocionale e veprës qysh në fillim. Por më pas kuptova që problemi nuk qëndronte tek instrumentistët… “peshku po qelbej nga koka”…e do të përfundonte duke kundërmuar erën e tij të padurueshme në të gjithë ekzekutimin e veprës. Kur ja pa një pa dy u shfaq ai, “Corelli-junior”, me një ecje kapadai e plot vetëbesim. Erdhi momenti i shumpritur, e gjeta veten me sy mbyllur, për të pritur tingullin e parë që do të buronte nga ky personalitet, por një ndjesi e pakontrollueshme bëri që buzët të më rrudheshin vetvetiu, veshët filluan dëshpërimisht të kërkonin një skutë jashtë asaj torture të dhunshme shqisore që kish filluar të prodhonte tinguj që nuk kornizonin asnjë notë muzikore; fytyra sa vinte e shtrmbërohej dhe trupi sa vinte e anohej më shumë për nga portat e daljes. Mbase ishte “faji” i tenorit Armaldo Kllogjeri, që kish “llastuar” vitet e fundit publikun shqiptar në ekzekutimin mjeshtëror të këtij roli, përmes vokalit brilant që posdeonte. Pas përfundimit të aries “Recondita Armonia” mu bë sikur sapo kisha asistuar gjatë heqjes së një dhëmballe pjekurie ku pacienti po lëshonte ulërima të përbindshme si pasojë e dhimbjes që po përjetonte. Po çfarë dreqin kish nxjerrë Corelli nga duart e tij ? Pse nuk kishte asnjë reminishencë të teknikës së tij vokale në atë që veshët e mi mjerisht po dëgjonin? Kaq cingun e i pashpirt qe treguar ky mjeshtër me tenorin tonë, apo mos vallë kish patur frikë se kapaciteti i këtij të fundit do të tejkalonte famën dhe suksesin e figurës së tij mitike. Nuk kaloi shumë dhe e kuptova që nuk duhet të zija më në gojë shpirtin e ndjerë të Calaf-it “par excellence” .

Po mbyllej një karrierë e lavdishme që kurrë skish pasur një kulminacion të tillë. E dëshmonin ulërimat dhe gulçimet histerike që dukej sikur po cirrnin muret e sallës, e dëshmonin të gjitha ato fraza të panisura e të papërfunduara ndonjëherë, e dëshmonte frymëmarrja astmatike që nuk arrinte të mbante një notë, e dëshmonin problemet e theksuara intonative, e dëshmonin duetet e kënduara solo nga heroina e mbërmjes, sopranoja Golemi…e dëshmonte gjithçka.

Në mungesë të baritonit Ylber Gjini, i cili qe detyruar ta mbyllte shfaqjen e dytë të operas duke përjetuar probleme sërioze shëndetësore, megjithse falë mjeshtërisë së tij asgjë e kësaj natyre nuk qe perceptuar nga publiku, figura e Scarpias iu besua si në minutë të fundit, e për të dalë nga situata, një baritoni me famë të konfirmuar internacionale, shumë dekada më parë, e që prej kohësh kish adaptuar veten si një pedagog të rëndësishëm kanto-je në qytetin fqinj. Bëhej fjalë për Mauro Augustini-n që dekada më parë shquhej për interpretime të shkëlqyera të Nabucco-s apo dhe të Scarpias, rol me të cilin kish çelur karrierën. Megjithatë kjo karrierë brilante e tij ishte e pamundur të justifikonte performancën e dhuruar në teatrin shqiptar, i cili e priste për herë të parë. Do kish qënë më mirë që imazhin e krijuar tek ata pak shqiptarë që mund ta njihnin së largu, ta kishte lënë ashtu të pa prekur nga një shfaqje gjatë së cilës shumkush filloi të shqetësohej për shëndetin e tij.
Kështu situata do të përshkallëzohej edhe më keq deri në zhvillimin e të gjithë akteve, ku muzika e Puccinit u dhunua në mënyrë të paskrupullt dhe barbare. E megjithatë i gjithë publiku i mbante sytë dhe shpresën tek ajo, e cila qysh nga momenti i parë në skenë, po luftonte me mish e me shpirt për të mos përdhosur emrin e saj në atë llum që të gjithë kishin futur duart. E gjendur totalisht e vetme, pa asnjë mëbshtetje madje duke u përballur me sfidat e njëpasnjëshme të një orkestre që dukej sikur komandanti po e udhëhiqte drejt kapjes së rekordit olimpik për tejkalimin e shpjetësisë së zërit, e gjithë pesha fizike, psikologjike, emocionale , e asaj shfaqje qëndronte mbi supet e pamposhtur të sopranos Eva Golemi. Ishte ajo që nuk pranoi kurrësesi të bënte kompromisin me ata që po ndante skenën, ishte ajo që nuk harroi se ata njerëz të ulur në ato poltrona të vjetëruara kishin ardhur për të parë melodramën e Puccinit dhe jo parodinë e saj, ishte ajo që i përkëdheli ndjenjat njerëzore, me notat intense dhe zbutjet e menjëherëshme të tyre përmes pianissimove që aq të pastra rrallë se i gjen, ishte ajo që nuk reshti së dhëni gjithë ngjyrimet vokale, ishte ajo që nuk reshti së besuari te muzika, ishte ajo që i bëri drejtësi kompozitorit, ISHTE AJO QË SHPËTOI TEATRIN.

E gjithë këtë sprovë të sajën, një publik i mënçur që kontestonte si rrallë herë të gjithë ata që guxuan të ndotnin figurën e Puccinit, nuk kish se si të mos e shpërblente me ovacione të jashtëzakonshme e brohorima të ekzaltuara. E ky qe i vetmi moment ku sopranoja u “mund” nga emocionet ; ngrohtësia e publikut e gjunjëzoi të përlotur.

Mora guximin për të publikuar këto impresione të një të diele aspak të qetë, së pari për ti bërë një falenderim publik sopranos Eva Golemi për gjithçka që u përmend më sipër. Së dyti si një detyrim moral ndaj Puccinit, kompozitorit që më dhuron gjithmonë përjetime emocionale ku hapësira e fjalëve është shumë e ngushtë për ti përshkruar. Së treti e konsiderova si një detyrim si qytetar i Tiranës, por edhe si një individ, që mbarëvajtja e atij teatri e shqetëson më shumë se sa ata të tjerë që nuk ia kursejnë fjalët cipëplasura nga sheqerosja. Duke shpresuar që ky ishte një rast aksidental, uroj që prezantimet e ardhshme të këtij institucioni të risjellin lavdinë e atyre shfaqjeve, emocionet e të cilave mbanin peshë publikun dhe e bënin të harronte në ishtë në tokë apo midis yjeve.

Besmir Vokopola,

Tiranë 2014.

You may also like...