Ukraina, përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit

Koleksioni i makinave të Yanukovich

Koleksioni i makinave të Yanukovich

Përplasja në Ukrainë është mes modelit të demokracisë dhe sundimit të ligjit i cili përfaqësohet nga ëndrra Europiane dhe modelit të autoritarizmit të shitur me nacionalizëm të lirë të përfaqësuar nga Putin dhe oligarkët e tij në Moskë, plus klonët e tyre në Ukrainë

Në Kiev thuhet se nacionalistët, shpesh anti-semitë dhe neo-nazistë të këtij vendi qenë grupi më agresiv i protestuesve që rrëzoi presidentin pro-rus Viktor Yanukovych. Në Krime dhe në Ukrainën Lindore, janë nacionalistët rusë ata që po tregohen të gatshëm për të luftuar.

Ukrainasit, ashtu si edhe rusët, janë popuj ku zhvillimi njerëzor nuk reflekton në raport të drejtë zhvillimin ekonomik. E thënë ndryshe, janë popuj me zhvillim të madh kulturor, social e shkencor, por kjo arritje në zhvillimin njerëzor nuk është e pasqyruar në nivelin e tyre ekonomik. Rusia është një vend me të ardhura të mesme, me PBB për frymë mbi 12 mijë dollarë, pavarësisht se arritjet shkencore duket se i ka po aq të mëdha ose pak më poshtë se sa shumë vende të tjera të zhvilluara. Ukraina është një vend me PBB për frymë prej më pak se 4 mijë dollarësh, pavarësisht se është një vend që prodhon avionë.

Rusia është e 55-a në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor, i cili merr parasysh zhvillimin në arsim dhe në barazinë gjinore përpos zhvillimit ekonomik, Ukraina është e 78a.

Rusia është vendi i 58 në botë për PBB për frymë sipas fuqisë blerëse, por paratë i kanë në shumicë një grusht oligarkësh me indeksin GINI, i cili mat pabarazinë, në 40.1, në krahasim me 27 që e ka Gjermania. (0 do të thotë barazi e plotë, 100 do të thotë pabarazi e plotë). Ukraina është në vend të 106. Këtu GINI është më i ulët sepse ky popull është i barabartë në varfëri.

Rusia e ka deri në një farë mase luksin që të jetojë nën autoritarizëm, një regjim që mund të prodhojë anije kozmike, por nuk prodhon dot mirëqënie. Ajo ka naftë e gaz me bollëk. Ukraina nuk e ka këtë luks. Ajo ka burime natyrore, por jo naftë e gaz. Asaj i duhet demokraci, sundim i ligjit dhe një vend pa korrupsion për të arritur te mirëqënia.

Përplasja në Ukrainë është mes modelit të demokracisë dhe sundimit të ligjit i cili përfaqësohet nga ëndrra Europiane dhe modelit të autoritarizmit të shitur me nacionalizëm të lirë të përfaqësuar nga Putin dhe oligarkët e tij në Moskë, plus klonët e tyre në Ukrainë. Trashëgimia e Putinit është në lojë në këtë rast. Duket se ai ka shumë frikë nga Ukraina me drejtim demokratik (që interpretohet me dritëshkurtësi si pro-Europiane), pasi rusët do të marrin një shembull të mirë në rast se Ukraina shpëton nga kontrolli i oligarkëve.

Për këtë arsye, Putini ka vendosur t’i referohet Luftës së Ftohtë dhe rrezikut të armikut të jashtëm për të ruajtur modelin e tij të qeverisjes përmes mungesës së ligjit. Protestuesit në Kiev ishin të gjithëfarëllojshëm, siç janë në fund të fundit, të gjithë protestuesit. Por një pjesë e madhe e tyre e pritën ftohtë Yulia Tymoshenko-n, e cila, megjithëse udhëheqëse e opozitës dhe e burgosur politike, është gjithashtu një oligarke.

E vetmja rrugë që ka Putini për të shmangur precedentin e vendosjes së demokracisë përmes protestave këmbëngulëse në rrugë, përballë të cilave asnjë armë bërthamore nuk bën punë, është që të shkaktojë telashe pa fund për Ukrainën. Nën kërcënimin e destabilitetit të induktuar nga Moska, autoritetet e reja në Kiev do të duhet t’i drejtohen autoritarizmit dhe mungesës së lirive. Dhe nëse ata e bëjnë këtë gjë për të rivendosur autoritetin e vet në vend, Putini e ka fituar luftën, pavarësisht nëse e ka pushtuar apo jo Ukrainën ushtarakisht.

You may also like...