Unë jam Edi Rama dhe jam Historia!

Gjatë mandatit të parë të Ramës në krye të qeverisë, vëmendja e tij ka qenë e përqendruar vetëm në një drejtim të cilin e ka shpallur qartazi që në ditët e para në qeveri “të hyj në histori dhe të lë gjurmë në të”. Praktikisht, me gjithë dështimet apo edhe ndonjë sukses qeveritar, fabula e veprimeve kryeministrore me gjithë thagmat e tij ka qenë rrotulluar në këtë qëllim madhor që ia ka vënë vetes.

Kësisoj shumica e komentatorëve të njohur por edhe pak të njohur, janë përpjekur të lexojnë jo pak herë qasjet e Ramës ndaj ngjarjeve nën këtë prizëm. Aftësia e tij për të nuhatur saktësisht trendyn e radhës që publikut i pëlqen, nuk është vetëm një cilësi “gjenetike” apo e fituar nga eksperie

nca në bashki. Përkundrazi, është një aftësi e stërvitur përmes krijimit të një ekipi të ndërtuar për të prodhuar informacion dhe për t’u marrë me detajin më të “parëndësishëm” dhe të “padobishëm” për syrin e pa mprehtë.

Natyrisht që ekipi në fjalë, jo pak herë është ndjerë ngushtë, sidomos në fushën e ekonomisë në të cilën kryeministri nuk ka as aftësinë edhe as njohurit minimale për të ndërtuar një ligjërim. Për pasojë ka zgjedhur që sa herë të flasë për ekonominë, të lexojë shkrimet e Berishës por në versionin kokëposhtë edhe në fund duke ironizuar të djeshmen përmes çlirimit që e sotmja rilindase jep.

Por megjithëse komunikimi sa i takon ekonomisë është një dështim i ardhur nga faktori i një stafi PR të paaftë, sërishmi fokusi i të gjeturit të “politikës” së ditës nuk mungon. Prandaj edhe Rama, me stafin e tij e kanë kuptuar tanimë se shqiptarët që e duan futbollin nganjëherë po aq sa duan bastet, kanë rritur ndjeshëm dashurinë për kombëtaren edhe si pasojë e një prezantimi dinjitoz të saj.

Kështu, për rreth tre vjet, Rama është përpjekur dhe ka investuar jo pak që nacionalizmin e shqiptarëve por edhe dashurinë e tyre për një ekip që solli një kualifikim historik ta përvetësojë edhe ta justifikojë me dështimet e tjera. Mjafton të kujtojmë rikonstruksionin e stadiumit Elbasan Arena, megjithëse mund të kishte ri konstruktuar Qemal Stafën por si mund t’i bënte një dhuratë të tillë Bashës? Një rikonstruksion që nuk ishte vetëm se një fasadë për të mbuluar dështimet e njëpasnjëshme që dyshja e fuqishme Spiropali-Shehaj do të kishin në drejtoritë e tyre respektive.

Foto cover e Rames ne faqen e tij publike ne Facebook

Foto cover e Rames ne faqen e tij publike ne Facebook

Kur dëshira e tij për të fituar pushtetin vendor në Shkodër, e “detyroi” atë që t’i blinte zemrën dhe mendjen e shkodranëve përmes nisjes së rikonstruksionit të Loro Boriçit. Me premtimin se serbët do t’i presim në Shkodër në ndeshjen e kthimit, por kur rezultati i buzëqeshi kandidates Ademi atëherë dhe zgjedhja e Ramës qe vetëm shtyrja pafund e punimeve. Duke degdisur dhe ekipin e Vllaznisë të luante ndeshjet e tij në Pukë.

Ndërkohë që sulmet e opozitës si jashtë mazhorancës ashtu edhe të saj brenda mazhorancës sulmonin shpenzimet e shfrenuara të një qeverie që ishte “up in the air” dhe që në krahun tjetër hidhte para për beton dhe stola stadiumesh kur shqiptarët nuk kishin ç’të ushqeheshin. Stafi i propagandës, ngrinte ligjërimin se pikërisht këto stadiume kishin sjellë rritjen e punësimit dhe ekonomisë në Elbasan dhe do ta bënin në Shkodër.

Përdorimi i futbollit dhe kombëtares u shtri madje deri në vizitën historike të Ramës në Beograd, ku me aftësinë e një pehlivani dhe në çastin e duhur të një debati ende të nxehtë. U kujdes të tregohej nacionalist në çdo lëvizje të mundshme, për të fituar jo vetëm simpatinë e shqiptarëve të Kosovës por edhe “dashurinë” e shqiptarëve, që më në fund do shihnin një lider që ua bënte 8 me 2 serbëve. E gjithë kjo skemë, e mirë organizuar, kulmoi me vizitën e Merkel në Shqipëri ku një nga gazetaret u ngrit në këmbë dhe verbalizoi termin “Lideri Ballkanit”.

Sikur kjo të mos mjaftonte, arritja e kualifikimit historik (që u shty sepse shqiptarët nuk i mposhtën dot serbët në Elbasan) do të trajtohej nga Rama si një arritje e tij personale. Dhe kjo jo më kot. E gjithë përpjekja e tij ishte që shqiptarët ta shihnin atë si trajnerin hije të Shqipërisë, ta shihnin atë si një ekzistencë e dobishme edhe e domosdoshme për De Biasin dhe kombëtaren në rrugëtimin e tij për në Evropian.

Këtë fabul ai vazhdoi ta zgjeronte edhe gjatë kohës së fazës përgatitore, vizitat e tij të vazhdueshme në kampin stërvitor. Fjalimet e tij për pozicionet e lojtarëve janë kaq ironike saqë vështirë t’i gjesh një bazë krahasimore. Madje as Silvio Berlusconi që njihet për një maniak futbolli aq sa ka larguar trajner nga ekipi i Milanit. Nuk ka arritur deri në pikën sa të këshillojë edhe të japë mend për kombëtaren e Italisë. Por vetëpërmbajtja dhe përulësia nuk janë cilësi kryeministrore këto kohë.

Rama me kombetaren gjate grumbullimit para Euro 2016

Rama me kombetaren gjate grumbullimit para Euro 2016

Edhe sot, gjezdisja e tij dhe vare-vingot e tij kinse në shërbim të kombëtares, nuk janë vetëm se kapja e një kryeministri në raport të mirë me dështimin tek një shenjë gëzimi dhe gjallërie që janë transmetuar nga ekipi futbollit. Kësisoj, dëshira dhe përpjekja e tij (edhe e shfrenuar) kanë rezultuar sa në butafori aq edhe në një atashim me ata fitimtarët që sjellin gëzim. Nën parrullën makiavelistë “le të duan dhe në mos të duan le të mos ndjejnë urrejtje”

Në një kohë ku krimi, përgjimet e paligjshme, një reformë në drejtësi e njëanshme, një ekonomi e dështuar dhe e çuar në fazat depresive, një krizë parlamentare në prag si dhe një shoqëri e shthurur që qeveriset nga ministra in kompetentë që jo pak herë u kanë sjellë dëme edhe jetësore. Atashimi me simbolin e krenarisë është përherë një mënyrë jo vetëm për të hyrë në histori, por një mënyrë për t’i përdorur djemtë e kombëtares si gjë kafshën e duhur që problemet që kjo qeveri ka prodhuar t’i kalojë.

Kush ka dyshime për sa më sipër le të kujtojë pak sjelljen kryeministrore me stadiumin Qemal Stafa, që është simboli më i fundit i shëtit dhe fasadës me bërthamën. Ndërsa shqiptarët shpërthenin në brohoritje në ish sheshin Nënë Tereza, i rilindur në Fan Zone, njëqind metra në vijë ajrore qeveria shembte një monument kulture si stadiumi Qemal Stafa. Për t’i dhënë jetë një kiçi alla Rama, që padyshim do ta fusë në histori, pak e habitshme që një kryeministër që aksionin e tij të parë e kishte për mbrojtjen e vlerave historike të përfundojë duke e shkatërruar atë.

Por habia shpjegohet lehtësisht kur kupton se të gjitha këto kryhen jo vetëm për të pasuruar kastën pranë tij, por edhe për të kënaqur egon e tij dhe mbi të gjitha për të dëshmuar pushtetin e tij. Pikërisht kjo e fundit është qëllimi përfundimtar i Ramës, që në orvatjet e tij edhe në çastet kur i drejtohet Metës me bisht ndër shalë, ka qëllimin e vetëm të fitimit të një pushteti më të madh nesër. Pushteti, dashuria sublime dhe përfundimtare e Ramës, ngjiz tek pafytyrësia e tij të veshë shumë maska me të cilat ai do të luftojë derisa ato t’i japin qëllimin e tyre.

Kombëtarja dhe nacionalizmi sot janë trendi i tij, për të fshehur gatimin që nën rrogoz ka kohë që e kryen. Informacionet se ai është disenjatori (e prisni nesër kur të thotë arkitekti i formacionit) të uniformës së kombëtares nuk është vetëm se atashimi me fituesin, që Rama mos të urrehet mundësisht të dashurohet nga shqiptarët për atë që ka ndërmend t’u bëjë peshqesh nesër.

Kjo nuk është vetëm evoluimi i fjalisë së Nanos i cili pretendonte se pas i vjen historia, të cilën Rama për nga sjellja e tij e deritanishme e ka transformuar në “Unë jam Edi Rama dhe jam historia”!

You may also like...