Vietnami i Egjiptit, leksionet e pamësuara nga hera e fundit kur Kajro hyri në luftë në Jemen

Në vitet ’60, Egjipti me republikën e vet qe armik i betuar i Sauditëve me monarkinë e ve. Sauditët bënë aleancë me Iranin, mbështetën monarkistët shia të Jemenit dhe luftuan Naserin e socializmit arab. Sot, sauditët dhe egjiptianët janë aleatë ndërsa Teherani është armik. Vetëm se kjo nuk duket se ka karakteret e një lufte sektare…

Trupat Egjiptiane në Jemen në vitet 1960

Trupat Egjiptiane në Jemen në vitet 1960

JESSE FERRIS, Foreign Policy

Në verën e vitit 1867, presidenti i Egjiptit Gamal Abdel Nasser, u ankua te ambasadori i SHBA-ve në Kajro duke thënë se lufta e tij në Jemen qe bërë si “Vietnami” i Egjiptit. Ai më pas ia shpjegoi një historiani egjiptian se si ndodhi që konflikti doli jashtë kontrolli: “Unë dërgova një kompani në Jemen dhe përfundova duke e përforcuar atë me 70 mijë trupa.”

Përgjatë pesë viteve të luftës, nga viti 1962 deri më 1967, Nasseri humbi më shumë se 10 mijë burra, shpërdoroi miliarda dollarë dhe e vuri veten në një cep diplomatik nga i cili e vetmja rrugë daljeje qe që Egjipti të hynte në një luftë të ashpër me Izraelin. Siç e kuptoi vetë Naser nga fundi i asaj luft, Jemeni qe për Egjiptin ajo që Vietnami qe për Shtetet e Bashkuara – dhe ajo që Afganistani qe për Bashkimin Sovjetik, çfarë u bë Algjeria për Francën dhe Libani për Izraelin.

Nuk është surprizë që fjala kyçe për egjiptianët që nga ajo kohë është “kurrë më.” Kurrë më ata nuk do të dërgojnë djemtë e tyre për të luftuar për një çështje të dyshimtë në një fushëbetejë të largët. Kurrë më ata nuk do të shpërdorojnë ushtrinë e tyre moderne për të ndërtuar një komb atje ku nuk ka komb. Kurrë më ata nuk do të vendosin këmbë në Jemen.

Ndoshta “kurrë” qe fjalë tepër e fortë. Një gjysmë shekulli më vonë, presidenti Abdel Fattah al-Sisi është edhe një herë duke premtuar se do të dërgojë forca tokësore në Jemen, kësaj here më mbështetje të sulmit të udhëhequr nga sauditët kundër Houthis. Sisi ka angazhuar sakaq forcat e veta ajrore dhe detare në fushatën ushtarake dhe thotë se forcat tokësore do të dërgohen “nëse është e nevojshme.” Ndërsa sauditët, egjiptianët dhe aleatët e tyre janë në prag të një aventure tjetër në Jemen, historia ofron disa leksione të hidhura mbi sfidat që mund të bllokojnë rrugën e tyre drejt fitores.

 

* * *

Në vjeshtën e vitit 1962, një komandant batalioni me mprehtësi me emrin Salah al-Din al-Mahrizi po kundërshtonte shefat e tij në komandën e lartë të Egjiptit dhe parashikimin e tyre për një luftë të shpejtë dhe të lehtë në Jemen. Ai thoshte se ky parashikim qe i gabuar. Një grusht shteti sapo kishte rrëzuar monarkinë në Jemen; një republikë, e modeluar duke kopjuar Egjiptin, qe themeluar për ta zëvendësuar. Megjithatë republika qe e dobët dhe fiset shia Zaidi të veriut, besnikë të mbretit të rrëzuar, Imam Muhammad al-Badr, kërcënonin ta shkatërronin shpejt republikën, me mbështetjen e sauditëve.

Nasser, i cili qe i zënë në një luftë të ashpër me Mbretin Saud mbi udhëheqësinë e botës Arabe, pa një mundësi për të mbjellë farat e revolucionit në Gadishullin Arabik. Nuk kishte kohë për të humbur.

Një zyrtar i lartë në shërbimin informativ të ushtrisë së Egjiptit sugjeroi që një fushatë ushtarake do të qe diçka si një shëtitje. Në një takim me komandantët më të lartë të forcave të armatosura, ai argumentoi se qe e nevojshme të frikësoheshin fiset dhe se një mënyrë për këtë qe dërgimi i ca parashutistëve të armatosur me megafonë, fishekzjarrë dhe granata tymosëse.

Kjo qe e tepërt për Mahrizi, i cili kishte kaluar një pjesë të mirë të dekadës së shkuar si kreu i një delegacioni ushtarakësh Egjiptianë në Sanaa. Jemeni, i rikujtoi ai gjeneralit, pati konsumuar katër divizione turke në shekullin e 19. Asnjë forcë ushtarake nuk mund të mjaftojë. Në habitatin e tyre malor ku e kanë shtëpinë, fiset luftarake të veriut, të armatosur me thika dhe pushkë, qenë mjaftueshëm të fortë për këmbësorin e stërvitur egjiptian. Tanket egjiptiane do të qenë të pavlefshëm nëpër malet e Jemenit dhe forca e tyre ajrore, joefektive. Ata mund përballeshin me kurthe çdokund. Të 1600 kilometrat që ndajnë Egjiptin nga Jemeni, ndërkohë, do ta bëjnë problemin e furnizimeve një makth logjistik.

Shkurt, sugjeroi Mahrizi, qe më mirë të mbrojtja e Jemenit t’u lihej në dorë jemenitëve. Një raport me këto fjalë të mençura – iu dërgua më pas edhe vetë Naserit – por ato fjalë i kushtuan uljen në detyrë Mahrizit që u akuzua për mosbindje. Ai i kaloi muajtë e parë të luftës jashtë loje, ndërkohë që lufta u zhvillua pak a shumë siç e kishte parashikuar ai.

Në muajt që pasuan, egjiptianët derdhën burra dhe materjale në Jemen përmes një ure ajrore të ndërtuar me ndihmën e udhëheqësit sovjetik Nikita Krushev. Fillimisht mbërriti një kompani forcash speciale për të ruajtur kryeqytetin, pastaj një skuadron avionësh për t’i dhënë atyre mbështetje ajrore dhe shpejt pasoi një bataljon i korracuar për të siguruar zonën rurale përreth. Megjithatë, siç e kishte parashikuar Mahrizi, asnjë ushtri, sado e madhe, nuk qe e mjaftueshme për të siguruar republikën – e aq më pak për të mposhtur rebelët dhe kauzën e tyre. Përgjatë viteve 1963 dhe 1964, luftimet u përhapën nëpër Jemenin e veriut duke gllabëruar gjithnjë e më shumë egjiptianë.

Tri qenë shkaqet e përshkallëzimit. E para, sauditët qenë të aftë për të dërguar furnizime te burrat e Imam al-Badr përgjatë kufirit poroz të vendit shumë më shpejt nga sa egjiptianët mund t’i ndalonin ato. Për të parandaluar mbërritjen e ndihmave te mbështetësit e monarkisë, egjiptianët dërguan fuqi të konsiderueshme ajrore në Jemen dhe kryen bombardime ajrore mbi territorin saudit në veri si dhe në jug, në territorin e kontrolluar nga britanikët të njohur si Protektorati i Adenit.

E dyta, rrugët e këqija malore të Jemenit ofronin mundësi të pafundme për prita. Mbajtja e arterieve të komunikimit të hapura kërkonte një numër të madh ushtarësh në zonat rurale përgjatë rrugëve si dhe varësinë nga furnizimet nga ajri për pikat e largëta të kontrollit.

E treta, thjeshtë shpallja e “republikës” mbi mbetjet e imamatit të al-Badr qe gjë shumë e ndryshme nga themelimi i një shteti të centralizuar modern të aftë për të mbajtur nën kontroll forcat e fuqishme centrifugale të Jemenit. Për rrjedhojë, një ushtri administratorësh egjiptianë shkuan në Jemen, ku ia dolën të bënin një kopje të shtetit policor të Egjiptit.

Nga viti 1964 e më pas, Nasser u përpoq të tërhiqej nga Jemeni pa humbur reputacionin. Më 1965, ai gëlltiti krenarinë e vet dhe shkoi në Xhedah për të bërë paqe me Mbretin Faisal. Por paqja nuk mbajti gjatë, kryesisht për shkak se forcat në terrenin e Jemenit që funksiononin si agjentë të Sauditëve refuzuan të luajnë pjesën e tyre në marrëveshjen që qe bërë në kurriz të tyre. Shumë shpejt, Nasseri dhe Mbreti Faisal hynë në mosmarrëveshje sërish, dhe Mbreti Faisal udhëtoi për në Teheran për t’i ofruar Shahut të Iranit një “pakt islamik” kundër egjiptianëve paganë.

Ironia e përpjekjes aktuale të sauditëve për të krijuar një “aks suni” – këtë herë me Egjiptin si aleat dhe jo si kundërshtar – kundër armikut të ditës, Iranit, sugjeron se ne duhet të mos e shohim luftën aktuale në Jemen në terma thjeshtë sektarë. Në vitet 1960, Mbreti Faisal kërkoi një burim legjitimiteti për ta ndihmuar në konkurrencën e tij me udhëheqësin shumë popullor të pan-Arabizmit, Naserin, Religjoni qe një zgjedhje e leverdishme: Sauditët kishin në kontrollon e tyre vendet e shenjta të Islamit ndërsa socializmi arab i Naserit e bënte atë të prekshëm nga akuzat si njeri jobesimtar. Në këtë konjukturë, aleati më i mundshëm i Mbretit Faisal në luftë kundër Naserit qe Shahu i Iranit, i cili qe gjithashtu mysliman, ndonëse jo nga i njëjti denominim. Ndasitë sektare nuk luanin ndonjë rol në atë kohë, nëse shihet se Riadi bëri aleancë me ata që sot janë kundërshtarë. Shiat Zaidi, të cilët luftuan trupat egjiptiane.

Sot, natyrisht, sauditët po kundërshtojnë pikërisht këto fise – jo sepse ata janë shia, por për shkak se konsiderohet se po bashkëpunojnë me një fuqi armiqësore që kërcënon të trazojë balancën rajonale të pushtetit. Nga ana tjetër, ka shumë më pak koherencë sektare te veprimet e Iranit se sa duken me sy të lirë. Ndërsa mbështesin Huthit, të cilët aderojnë te versioni Zaidi i shias, Iranianët po mbështesin edhe elementët suni në Jemen, elementë që kanë zgjedhur të bëjnë aleancë me Huthit dhe që mbështesin presidentin e rrëzuar Ali Abdullah Saleh (i cili është shia). Është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se identiteti fetar në Jemen është më i butë se sa në shumë pjesë të tjera të botës arabe dhe ndasitë mes degëve të ndryshme të sunit apo shiave janë më pak të dukshme nga sa janë, për shembull, në Iran.

Varësia e shtuar e Naserit nga Bashkimi Sovjetik dhe ashpërsimi i konfliktit me Arabinë Saudite e Britaninë i bënë marrëdhëniet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara gjithnjë e më të tensionuara. Ndërsa Presidenti John F. Kennedy dhe administrata e tij qe angazhuar në politikën e uljes së tensioneve me Naserin – duke zemëruar britanikët dhe sauditët – vijimi i konfliktit në Jemen i përkeqësoi gjithnjë e më shumë marrëdhëniet Egjipt – SHBA. Në kohën e presidentit Lyndon B. Johnson, ndihmat ekonomike amerikane në Kajro praktikisht ndaluan.

Lufta në Jemen jo vetëm që dobësoi figurën ndërkombëtare të Naserit, por ajo kërcënoi gjithashtu të shkaktonte destabilitet në shtëpi. Ndërsa lufta u zgjat, kushtet ekonomike të Egjiptit shkuan nga keq në shumë keq, pakënaqësia brenda vendit u rrit në nivele të rrezikshme dhe kritikat brenda botës arabe filluan të gërryejnë reputacionin e Naserit. Në maj 1967, Naseri luajti bixhoz për të zgjidhur të gjitha këto probleme duke zhvendosur vëmendjen e botës në veri.

Ai marshoi ushtrinë e tij në shkretëtirën e Sinait në sytë e të gjithë botës, duke shkaktuar një krizë ndërkombëtare që shpërtheu në luftën e gjashtë ditëve me Izraelin. Rezultati i kësaj qe një disfatë katastrofike, e cila solli tërheqjen e forcave egjiptiane nga Jemeni – duke e bërë Izraelin një shërbëtor të pagjasë të fitores së Sauditëve (kundër Egjiptit).

Me Egjiptin tashmë të falimentuar, Naseri u detyrua të tërhiqet nga Jemeni në shkëmbim të premtimit për ndihmë financiare nga Mbreti Faisal. Ky transaksion, i cili ndodhi në gusht 1967 në samitin e Lidhjes Arabe në Khartum të Sudanit – i famshëm për tri “jo” ndaj Izraelit – simbolizoi ndryshimin e qendrës së pushtetit nga Kajro për te Riad, ndryshim që kishte ndodhur në praktikë me luftën në Jemen. Naserizmi qe një forcë e konsumuar pas kësaj.

Në nëntor 1967, ushtari i fundit egjiptian iku nga Gadishulli Arabik, duke i dhënë fund kërcënimit ekzistencial ndaj mbretërisë së Sauditëve për të paktën një gjeneratë. Njeriu i egjiptianëve në Jemen, Presidenti Abdullah al-Sallal, u rrëzua nga pushteti me grusht shteti menjëherë sapo forcat egjiptiane ikën nga Sanaa. Por në mënyrë mbresëlënëse, republika mbijetoi, megjithëse pasardhësi i Sallal bëri pak për të plotësuar premtimet e mëdha të revolucionit, dhe kleptokracia që ata ndërtuan ra nën peshën e paligjshmërisë së vet gati gjysmë shekulli më vonë.

 

* * *

Nëse presidenti Abdel Fattah al-Sisi ka mësuar nga historia, ai duhet të ngurrojë të angazhojë Egjiptin në një luftë tjetër tokësore në Jemen. Megjithatë ideja pët të kapur këtë mundësi dhe për të restauruar staturën e dobësuar të Egjiptit në rajon mund të jetë shumë joshëse – po aq sa qe edhe për Naserin më 1962.

Mund të ketë një rrugë të mesme. Në atë kohë, këshilltarët e mençur nxitën Nasserin të mjaftohet me mbështetje ajrore dhe logjistike për forcat vendëse që luftonin në mbështetje të Republikës së Jemenit. Natyrisht, një skenar i ngjashëm po mbështetet në Kajro për momentin. Për hatër të Egjiptit, ne mund të shpresojmë që këshillat e Mahrizit sot të dëgjohen.

Dhe nëse nuk dëgjohen? Atëherë ka tri leksione që fuqitë ndërhyrëse mund të nxjerrin nga eksperienca e Egjiptit në Jemen:

E para, ata nuk duhet të presin mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara. Këndvështrimi i një superfuqie është gjithmonë më e komplikuar se sa perspektiva e cilitdo aktori rajonal. Por këndvështrimi i administratës aktuale mbi Lindjen e Mesme dallon thellë nga opinioni i Kajros apo Riadit. Sauditët – tashmë të mbështetur nga kundërshtarët e tyre të vjetër, Egjiptianët – do të përpiqen të nxjerrin në pah me çdo kusht atë që e shohin si çmenduria e përpjekjeve të SHBA-ve për të kënaqur Iranin, njësoj siç bënë më 1960 kur kryearmiku i tyre qe Naseri. Atëherë dhe tani, është e dyshimtë nëse lutjet e tyre do të dëgjohen.

E dyta, fuqitë që po ndërhyjnë do të duhet të dërgojnë atje një ushtri me përmasa të konsiderueshme nëse dëshirojnë ta pushtojnë dhe ta mbajnë Jemenin. Në vitet 1960, egjiptianët dërguan 70 mijë burra, humbën së paku 10 mijë prej tyre dhe sërish dështuan të kontrollojnë paraardhësit e huthive të sotëm. Nuk është pa arsye fakti që Jemeni njihet sot si maqbarat al-Atrak — “varreza e turqve” – pasi forcat Osmane vuajtën humbje të mëdha në përpjekjet e tyre për të mposhtur kryengritje të përsëritura të fiseve vendëse përgjatë shekullit të 19. Fuqitë që po ndërhyjnë do të bëjnë mirë të përmbahen në objektivat e tyre: nëse ato janë të përgatitur për të pranuar një marrëveshje për ndarje pushteti, e cila pranon arritjet e huthis por i mohon atyre objektivat strategjike të Adenit dhe Bab el-Mandeb, atëherë këtyre fuqive do t’u mjaftojnë trupa tokësore të pakta të mbështetura nga forca ajrore e detare.

E treta, nuk ka aleanca të përhershme në Jemen. Sauditët së fundmi morën një rikujtesë për këtë fakt kur njeriu i tyre në Jemen, presidenti i rrëzuar Ali Abdullah Saleh, u distancua prej tyre pa pikë mëdyshjeje dhe kaloi me anën e Huthit. Huthis, nga ana e tyre, nuk patën problem të shtrëngojnë duart me Saleh edhe pse themeluesi i tyre qe vrarë më 2004 nga ushtria e Jemenit – me urdhër të Salehut.

Tendencat shpërbërëse që kanë penguar gjithmonë stabilitetin në Jemen kanë fituar forcë vetëm që nga koha e Pranverës Arabe që goditi Sanaa-n më 2011. Jemeni sogt është një shtet i shkatërruar, ku përkatësitë fisnore janë sërish të stërmëdha dhe aleancat krijohen e shpërbëhen në mënyrë të vazhdueshme. Çdokush që pretendon të bëhet pushtues me trimërinë për të kontrolluar tigrin fisnor në Jemen do të ketë nevojë për shkathtësi të konsiderueshme për të lundruar mes klaneve dhe burimeve të pafundme të fondeve që shërbejnë për t’i pluguar ato.

Nëse sauditët e pasur dëshirojnë të shmangin atë lloj kundërkryengritjeje të gjatë që rrëzoi divizionet egjiptiane në vitet 1960, ata do të duhet të jenë në gjendje të përballojnë luftën në Jemen në pafundësi. Pyetja më e madhe është: Për sa kohë munden iranianët, që gjenden ende nën sanksione rrënuese ekonomike, të konkurrojnë me pasuritë e pafundme të sauditëve në Irak, Siri dhe Jemen? Përgjigjja e kësaj nuk mund të gjendet në Kajro, Riad apo Sanaa, por varet më shumë nga rezultati final i bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.

You may also like...