Zbulimi i Atlantidës

Data 11 shkurt është konvencioni që lidhet me faktin historik se në këtë anëtarët e qeverisë së parë Shqiptare hynë në kryeqytetin e ri të Shqipërisë, Tiranën. Përgjithësisht qyteti i Tiranës, sipas asaj që dimë dhe na është mësuar, ka pasur të njohur themeluesin e saj pashain Sulejman Bargjini e si çdo qytet tjetër në këtë botë edhe mbi themelimin e qytetit ka shumë e shumë histori dhe tregime. Gjithaq histori dhe tregime ka dhe për emërtimin e këtij qyteti, Tiranë, i cili duke qenë se u themelua (sipas historisë zyrtare) në 1860 nga Sulejman Bargjini emri i tij do të kishte një kuptim apo një simbol.

Deri më këtu jemi të gjithë në rregull, mirë po historia vjen e komplikohet (fundja vetëm këtë gjë di të bëjë e shkreta histori) sepse në qytetin e Tiranës, mu atje tek kodrat e liqenit, ndodhet një kishë shumë e vjetër. Me shumë gjasa kisha na tregon se qyteti i Tiranës mund të ketë qetë i banuar më përpara 1614 nga njerëz, sikundër tregojnë dhe rrënojat e kështjellës që gjendet në të famshmen pedonale. Në këtë moment ngrihen aludimet e para të cilat na e dërgojnë emrin e qytetit të Tiranës jo më në Theranda, Teheran por drejtë për drejtë tek një ish perandor Armenas, në vitet 339-350 e.s, me ermin Diran nga i cili me siguri do të ketë ardhur emri i qytetit. Në rrjetin social të Facebook, u përhap së shumti një shkrim i cili përpiqej të na tregonte se njohja për historinë e Tiranës, ishte shumë e vogël, se Tirana (kryeqendra e Shqiptarëve) nuk mund të jetë qyteti i themeluar nga “Sulejman Pashë Bargjini (që) pagoi ndërtimin e një xhamie osmane (jo për qëllime dhe ide shqiptare), më 1632 peshkopi i Arbërisë imzot Gjon Kolesi hapi në kishën e Shna Prendes (Shëna Premtes) në Skuraj të Kurbinit shkollën shqipe më të vjetër të njohur deri më tani; shkollë e kishë që u dogjën disa herë prej pushtuesve osmanë.” sepse “Në Europë nuk mund të hyhet në një garë të pakuptimtë për zanafillën e qyteteve apo vendbanimeve, aq më shumë me disa qindra vjet më parë. Ndërsa në Amerikën e Veriut qytetet e fshatrat kanë disa qindra vjet të krijuar, në Europë qyteteve e fshatrave nuk i dihet zanafilla natyrore. Ajo që është e dëshmuar dhe e arësyeshme është festimi i përvjetorëve të Tiranës si kryeqytet, por jo si qytet apo vendbanim. Tirana ose Tirona ka qenë aty ku është, me të njëtin emër arbëror, ashtu si Tirano në të tashmen Itali e Veriut,

Kështu aludimet e autorit, e po ashtu edhe të atyre që mendojnë si autori, janë dy:

Së pari Tirana nuk mund të jetë një qytet i themeluar nga një pasha Osman që rri me xhybe dhe së dyti, nuk mundet dot që kryeqendra e shqiptarëve mos ta ketë origjinën e lashtë, mundësisht që në kohën e pellazgëve.

Me gjithë dëshirën e paepur të këtyre historianëve dhe arkeologëve  e gjithashtu me gjithë dëshirën e ndonjë babloku që sheh ëndrra me sy hap, historia dhe albanologët kanë folur me kohë për qytetin e Tiranës. Natyrisht që historia nuk është një shkencë ekzakte dhe nëse ofrohen prova të qarta edhe me referenca historike të qarta për një vendbanim në po të njëjtin vend me një emër tjetër apo me emrin e Tiranës do të ishim dakord. Së pari këto të dhëna duhet të na paraqiten, pra të dhëna që na tregojnë se qyteti përpara se të quhej Tiranë duhet të ketë qenë një qendër e banuar. Përpos disa të dhënave që ofrojnë mundësinë e spekulimit, argumentet e paraqitura në shkrimin që u bë molla e sherrit nuk na tregojnë ndonjë dokument historik që flet për qytetin që ka qenë këtu përpara Tiranës.

Në fakt, ndërtimi i këtyre provave e fakteve vetëm e vetëm për të përmbushur dy kushtet e lart përmendura e bën këtë arsyetim gjithnjë e më qesharak. Sikundër e bën qesharake shpërthimin e “autoktonëve” të cilët e shpërndanë linkun por edhe akuzuan gjakprishurit që  nuk binin dakord me linkun e mësipërm. E gjitha kjo shfryrje mund të shpjegohet me atë që Nathalie Clayer e shpjegon në librin e saj, pra me lindjen e mitit. Nuk ka mundësi që një qytet si Tirana të mos ketë një histori që në kohën e Akilit apo perandorëve Romakë, prandaj duhet të gjurmojmë se me siguri do të gjejmë diçka të tillë. Kështu që duhet të gërmojë se mbase zbulojmë se Tirana është pasardhësja e Atlantidës së Platonit.

You may also like...