Zbulohet: Associated Press bashkëpunoi me nazistët

Një historian gjerman tregin se si agjencia e lajmeve ruajti aksesin në Gjermaninë e viteve 1930 duke premtuar se nuk do të dëmtonte fuqinë e regjimit të Hitlerit.

Pamfleti i SS “The Sub-Human”, ku përdoren fotografi të Associated Press.

Pamfleti i SS “The Sub-Human”, ku përdoren fotografi të Associated Press.

Philip Oltermann, Guardian

Agjencia e lajmeve Associated Press hyri në një bashkëpunim formal me regjimin e Hitlerit në vitet 1930, duke furnizuar gazetat amerikane me materiale që qenë prodhuar dhe përzgjedhur drejtpërsëdrejti nga ministria e propagandës naziste, bëhet e ditur nga materiale arkivore të zbuluara nga një historian gjerman.

Kur partia Naziste mori pushtetin në Gjermani më 1933, një nga objektivat e saj të para qe që të disiplinonte jo vetëm shtypin kombëtar por edhe atë ndërkombëtar. Guardian u ndalua të punojë brenda vitit të parë të pushtetit dhe nga viti 1935, edhe agjencitë më të mëdha britaniko-amerikane të tilla si Keystone dhe Wide World Photos u detyruan të mbyllin zyrat e tyre në Berlin pasi u sulmuan nën ‘akuzën’ se punësonin gazetarë hebrenj.

Associated Press, e cila e ka përshkruar veten si “marinsat e gazetarisë” (“gjithmonë të parët për të hyrë dhe të fundit për të dalë”) nga një zonë krize, qe e vetmja agjenci perëndimore që raportoi hapur nga Gjermania e Hitlerit dhe e ndërpreu aktivitetin vetëm pasi SHBA-të hynë në luftë me Gjermaninë në vitin 1941. Kështu ajo e gjeti veten me gjasa në një situatë me përfitim pasi qe burimi kryesor i lajmeve dhe fotografive nga shteti totalitar.

Në një artikull të publikuar në gazetën akademike Studime në Historinë Bashkëkohore, historiani Harriet Scharnberg tregon se AP qe në gjendje të ruajë aksesin pasi hyri në një bashkëpunim të dyanshëm me përfitim të ndërsjellët me regjimin nazist.

Agjencia me bazë në Nju Jork dorëzoi kontrollin e materjaleve që prodhonte duke nënshkuar të ashtuquajturën Schriftleitergesetz (Ligji i Redaktorit), ku premtonte se nuk do të publikonte asnjë material “të vlerësohet se dobëson fuqinë e Rajhut jashtë apo brenda vendit”.

Ligji i kërkoi AP të punësojë gazetarë që punonin gjithashtu për divizionin e propagandës të partisë Naziste. Një nga katër fotografët e punësuar nga Associated Press në vitet 1930, Franz Roth, qe anëtar i divizionit të propagandës të organizatës paraushtarake SS, fotografitë e të cilit përzgjidheshin personalisht nga Hitleri. AP i hoqi fotografitë e Roth nga faqja e vet e internetit që nga dita kur Scharnberg publikoi zbulimin e vet, por gjurmën e fotografive vijojnë të mbeten të dukshme për shkak të “problemeve në softuer”.

Fletushka e partisë Naziste ‘Hebrenjtë në SHBA’ ku u përdor një fotografi e AP të kryebashkiakut të Nju Jorkut Fiorello LaGuardia. Photograph: AP

Fletushka e partisë Naziste ‘Hebrenjtë në SHBA’ ku u përdor një fotografi e AP të kryebashkiakut të Nju Jorkut Fiorello LaGuardia. Photograph: AP

AP lejoi gjithashtu regjimin nazist të përdorte arkivën e saj fotografike për propagandën e vet antisemite. Publikime të ilustruara me foto të AP përfshinë fletushkën e SS, “Der Untermensch” (“The Sub-Human”) dhe fletushka “Hebrenjtë në SHBA,” e cila synonte të demonstronte dekadencën e hebrenjve amerikanë me një fotografi të kryebashkiakut të Nju Jorkut Fiorello LaGuardia duke ngrënë me duar.

Studimi, i cili u publikua vetëm pak para 170 vjetorit të themelimit të Associated Press në maj, ai ngre jo vetëm pyetje të vështira mbi rolin që AP luajti duke i lejuar Gjermanisë Naziste të fshehë fytyrën e vet të vërtetë në vitet e para të pushtetit, por edhe marrëdhënien e agjencisë me regjimet totalitare bashkëkohore.

Ndërsa marrëveshja e AP i mundësoi perëndimit të mësojë diçka mbi një shoqëri represive, gjë që mund të qe tërësisht e fshehur nga sytë e botës – gjë për të cilën korrespondenti nga Berlini i agjencisë Louis P Lochner fitoi çmimin Pulitzer më 1939 – ajo i mundësoi gjithashtu nazistëve të fshehin disa nga krimet e tyre. Scharnberg, një historian në Universitetin Martin Luther të Halle, argumenton se bashkëpunimi i AP me Hitlerin i mundësoi nazistëve të “paraqisnin një luftë shfarosëse si luftë konvencionale”.

Në qershor 1941, trupat naziste pushtuan qytetin e Lvivit në Ukrainën perëndimore. Pasi zbuluan prova të vrasjeve në masë të kryera nga Sovjetikët, forcat pushtuese gjermane organizuan një shfarosje për “hakmarrje” kundër popullatës së hebrenjve të qytetit.

Fotografitë e Franz Roth që paraqisnin trupa të vdekur brenda burgjeve të Lvivit u përzgjodhën me urdhër personal të Hitlerit dhe u shpërndanë te media amerikane përmes AP.

“Në vend që të publikonin fotografi të shfarosjeve në Lviv, ku mijëra hebrenj u vranë, media amerikane mori vetëm foto që tregonin viktima të policisë sovjetike dhe kriminelët e Ushtrisë së Kuqe,” tha Scharnberg për Guardian.

“Në një farë mase është e drejtë të thuash se këto fotografi luajtën rolin e tyre në fshehjen e karakterit të vërtetë të luftës së gjermanëve,” tha historiani. “Ngjarjet që u dorëzuan te media amerikane dhe ngjarjet që u fshehën i shërbyen narrativës gjermane të luftës.”

Gazeta naziste Völkischer Beobachter, ku përdoren foto të fotografit të AP Franz Roth

Gazeta naziste Völkischer Beobachter, ku përdoren foto të fotografit të AP Franz Roth

Pyetur për këto akuza, AP tha në një deklaratë se raporti i Scharnberg “përshkruan si individë ashtu edhe aktivitete të kryera para dhe gjatë luftës për të cilat AP nuk kishte dijeni”, dhe se aktualisht apo po shqyrton dokumentet brenda arkivës së saj dhe më gjerë “për të kuptuar më qartë atë periudhë”.

Një zëdhënës i AP tha për Guardian: “Ndërsa ne vijojmë të kërkojmë mbi këtë çështje, AP hedh poshtë çdo ide se ajo qëllimisht ‘bashkëpunoi’ me regjimin Nazist. Një përshkrim i saktë është që AP dhe organizatat e tjera të huaja të lajmeve u vunë nën presion të madh nga regjimi Nazist nga viti i ardhjes së Hitlerit në pushtet më 1932 deri në përzënien e AP nga Gjermania më 1941. AP menaxhoi dhe i rezistoi presionit ndërsa punonte për të mbledhur informacion të saktë dhe të rëndësishëm në një kohë të errët dhe të rrezikshme.”

Zbulimet e reja mund të kenë qenë vetëm interes i historianëve, në rast se AP nuk do të përballej me kritika për marrëdhëniet që ka me regjime totalitare të kohës sonë. Që nga janari 2012, kur AP u bë agjencia e parë e huaj që hapi një zyrë në Korenë e Veriut, janë ngritur pyetje në mënyrë të vazhdueshme mbi neutralitetin e lajmeve të prodhuara nga kjo zyrë.

Më 2014, faqja e internetit me bazë në Uashington NK News aludoi se drejtuesit më të lartë të AP më 2011 “patën rënë dakord të shpërndanin propagandë të prodhuar nga Koreja e Veriut nën logon e AP” në mënyrë që të merrnin akses nga një treg shumë fitimprurës duke shpërndarë fotografi nga ky shtet totalitar. Republika Demokratike Popullore e Koresë renditet e dyta nga fundi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias.

Një draftmarrëveshje që rrodhi në media tregoi se AP dukej se qe e gatshme të lejonte Agjencinë e Lajmeve të Koresë së Veriut të zgjidhte një gazetar dhe një fotoreporter nga njësia e saj e agjitacionit dhe propagandës për të punuar te AP. AP i tha Guardian se e konsideronte “dashakeqe supozimin se ‘drafti’ kishte ndonjë rëndësi,” por refuzoi të japë më shumë informacion mbi marrëveshjen finale.

Disa ngjarje të rëndësishme nga Koreja e Veriut, të tilla si zhdukja gjashtëjavore e udhëheqësit Kim Jong-un në shtator dhe tetor 2014, piratimi i Sony Entertaiment në vitin 2014 dhe akuzat që ky piratim qe orkestruar nga Koreja e Veriut apo lajmet për krizë buke në një pjesë të këtij shteti në vitin 2012, në mënyrë të dyshimtë nuk u raportuan nga AP por nga pjesa tjetër e medias ndërkombëtare.

Kur agjencia franceze e lajmeve nënshkroi një marrëveshje për të hapur një byro në Korenë e Veriut në janar të këtij viti, ish drejtuesi i byrosë së AP në këtë shtet Jean Lee komentoi se marrëveshja qe shenjë që tregonte se regjimi kishte “gjithnjë e më shumë vetëbesim në aftësitë për të mbajtur gazetarët e huaj nën kontroll”.

Zëdhënësi i AP mohoi aludimin se i qe nënshtruar cenzurës. “Ne nuk publikojmë lajme të agjencisë së Koresë apo nuk i dorëzojmë lajmet tona te ndonjë zyrtar i qeverisë para se t’i publikojmë. Në të njëjtën kohë, zyrtarët janë të lirë të japin apo të mos japin akses apo intervista.”

Nate Thayer, një ish-korespondent i AP në Kaborxhia, i cili publikoi drat-marrëveshjen, i tha Guardian: “Duket se AP ka mësuar shumë pak nga historia e vet. Pretendimi se Koreja e Veriut nuk e kontrollon prodhimin e saj është haluçinant. Ka natyrisht një debat për faktin se aksesi në nëj shtet të izoluar është i rëndësishëm. Por në fund të ditës ka rëndësi nëse ju i thoni lexuesit se ajo që ju po publikoni bazohet apo jo në burime të pavarura”.

You may also like...