Zgjatimet e kryeministrit

Xhabyni

Në (ri)fillimet e shtetit pluralist në vendin tonë të binte në sy një post ministror që ishte shumë qesharak jo vetëm nga emërtimi por edhe nga misioni dhe vizioni i këtij posti. E kam fjalën për Ministrin pa Portofol, që ishte një njeri kot që nuk duhet të bëhet asgjë por njëkohësisht duhet të bëhet diçka. I cili edhe sot e kësaj dite mund të jetë një objekt gallatash dhe humori ndër ne e që asnjëherë nuk u mor seriozisht. Kjo qe edhe arsyeja se përse u zhduk si post ministror (të paktën si emër) me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, ai solli me vete edhe disa shpikje të tij.

Gjatë prezantimit të strukturës së re qeveritare, Rama u përgjigj se këto ministri ishin të nevojshme edhe të dobishme për qeverinë dhe mirëfunksionimin e saj. Megjithëse sot e kësaj dite askush nuk e di se çfarë dobie sjell le të themi Ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin.

Të hulumtosh rëndësinë që këto ministri kanë me qeverinë duhet të kemi parasysh librin Understanding Media: The Extensions of Man të filozofit dhe antropologut Marshall McLuhan. Autori është një ndër studiuesit kryesorë në fushën e mediave dhe impaktit të tyre në shoqëri, shprehja e famshme mediumi është mesazhi është një pohim që McLuhan ia zhvesh publikut përmes analizimit të fjalimeve dhe retorikës përgjatë shekujve. Analizimi i veprës së McLuhan nuk mund të kufizohet në një shkrim e jo më në një paragraf, por në pak fjalë thelbi i asaj që përpiqet të shpjegojë në veprën e sipërcituar është se; çfarëdo shpikje që ka ndodhur ndër njerëz nuk është gjë tjetër vetëm se zgjatim i shqisave dhe gjymtyrëve njerëzore në shërbim dhe funksion të mediumit. Në këtë mënyrë edhe blogu, Facebook e kështu me radhë janë zgjatime të retorikës dhe logjikës.

Duke patur parasysh këtë mund të përpiqemi të deduktojmë përfundimin se ministri të tilla si ajo e Reformës Territoriale, Administratës, Marrëdhënieve me Parlamentin, Turizmit nuk janë gjë tjetër vetëm se zgjatime të Kryeministrit. Sepse në vetvete këto ministri nuk është se kryejnë një mision specifik, qëlimi i tyre ose është qesharak ose i përafrohet një dëshire kryeministrore për të qenë aty ku kjo punë po kryhet.

Dëshirës të një kryeministri i cili nuk po lë as edhe një sekondë të jetës mediatike të shqiptarëve pa i dalë në sfond e pa i treguar se çfarë po bën. Kështu, përmes këtyre ministrave (që po t’i marrim veç e veç nuk janë gjë tjetër vetëm se miq të tij) ai flet, lëviz, ndërton dhe propagandon arritjet e tij.

Duket pak ironike ky fakt duke patur parasysh se jo më larg se një vit më parë ishte Rama kritiku më i ashpër i Berishës prej faktit se ky i fundit nuk linte as edhe një rrugicë lagjeje pa dalë në televizor. Por, kjo sjellje e kryeministrit të ri nuk na habit aspak sepse koha ka treguar që aftësia e tij për të na bërë për budalla është më e madhe se sa e të mëparshmit.

Sikundër nuk na habit fakti që aftësia e Ramës për të na propaganduar përmes gojëve të tjera atë çfarë ai dëshiron që të thuhet, pa e kuptuar qartësisht që ai po e thotë, është shumë më e sofistikuar se sa më parë. Përballë kësaj platforme të avancuar propagandistike, ku manierizmat e propagandës dhe të ligjërimit ambig janë aq të kamufluar sa që është e vështirë që të ndajmë gënjeshtrën nga e vërteta.

Prandaj këto ministri janë më së shumti një evoluim i të famshmes Ministri pa Portofol, natyrisht që evoluimi ka sjellë një stad tjetër zhvillimi. Qytetarët e vendit kanë kuptuar që tanimë ministri pa portofol nuk është më një qokë politike, ai tanimë është një post që përpiqet të parashtrojë idenë e zgjatuar të kryeministrit mbi një situatë të caktuar. Kështu ministrat e këtyre ministrive janë tërësisht subjekte të varura nga vullneti, fjala dhe vepra kryeministrore. Një arritje e rëndësishme e qeverisë në këto 23 vite.

You may also like...