Kur te shkund kryeministri



Nga Arben Vata

Kur pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama në mes të bulevardit në Tiranë, tundte e shkundte një profesor të vjetër të gjeologjikut që po protestonte për mos lejuar zënien e hapësirave të universitetit të minierave, mu kujtua Edi Rama i vitit 2002. Në shtatorin e atij viti, opozita e djathtë kishte ngritur një komision parlamentar me në krye të ndjerin Sokol Olldashi për të hetuar abuzimet e Bashkisë së Tiranës që drejtohej nga Rama, në lidhje me ndriçimin e rrugëve dhe koncertin e Scorpions. Konformisti i atëhershëm Edi Rama që nuk ishte mësuar me kërkesë llogarie, bëri bujë të madhe, pasi në një moment të papritur goditi me grusht podiumin ndërsa po mbrohej nga akuzat e opozitës. Atëherë, por dhe në moment të të tjera më vonë ndër vite kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, Rama tha se “nuk ka burrë nëne e bir kurve” që t’i thotë atij se ke abuzuar me fondet publike apo se ai ka kërkuar shpërblim dikujt për lejet e ndërtimit.


Në vjeshtën e vonë të 2014-ës Rama nuk kishte përballë opozitën, por një masë të madhe studentësh e pedagogësh që i kërkonin atij të anulonte vendimin e qeverisë në dëm të shkollës së tyre. Studentëve iu tha se keni ardhur për të protestuar të shtyrë nga opozita, ndërsa duke pasur parasysh vrullin e moshës së tyre, ai gjeti pikërisht një profesor të vjetër për ta tundur e shkundur përpara kamerave. Madje, i kujtoi atij se po të ishte burrë do të dilte të protestonte në kohën e Enver Hoxhës, fotoja e të cilit në fakt e shoqëroi Edi Ramën në sfond gjatë ceremonisë për 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës. Profesori i trembur nga shpërthimi i papritur i kryeministrit, e pa të udhës që të mos kundërshtonte më, ndërsa studentët e detyruan Edi Ramën të futej në kryeministri, duke e quajtur të turpshëm aktin e tij ndaj profesorit. Shefi i qeverisë mund të ketë qenë i ekzaltuar nga vizita në Beograd në këtë dalje të befasishme dhe bashkëbisedim në mes të rrugës me studentë e profesorë të minierave, por presioni ndaj këtyre të fundit, ishte efikas, pasi drejtuesit e fakultetit njoftuan më vonë gjatë asaj dite se askush nuk ka përse proteston…
Por veprimi i padenjë i Ramës ndaj profesorit të minierave, nuk është një rast sporadik i akteve dhe veprimeve të kryeministrit dhe nuk kanë në sfond vetëm vitin 2002 kur ai godiste me grushte tavolinat e bërtiste me të madhe, në një akt gjithashtu të pahijshëm për një kryetar bashkie. Brenda pak javësh, paraardhësi i zotit Rama në kryeministri, Sali Berisha, publikoi dy raste, me akuza ndaj kryeministrit aktual për sjelljen e tij ndaj përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Pas rastit të një zonje të nderuar, gjyqtare në Kukës, që kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga Rama për lirimin e një qytetari që kishte vjedhur energjinë elektrike, Berisha këto ditë erdhi në komunikimin publik me një akuzë të re, më të rëndë për Edi Ramën. Ish kryeministri e akuzoi pasardhësin se ka telefonuar një gjyqtar në Krujë për të njëjtin motiv dhe e ka kërcënuar se do “t’i shkurtojë këmbët, ashtu siç ti shkurton procesurat për vjedhësit e energjisë elektrike”. Rama e ka zakon që të thotë se nuk merret me “përrallat e Berishës”, por ish shefi i qeverisë ka cituar me emër gjyqtarë të caktuar dhe kryeministri nuk mund t’i anashkalojë me heshtje akuzat e Berishës. Nëse do të bënim një paralele me vjeshtën e 2002 dhe komisionin hetimor ndaj tij, Rama më së paku do të duhej të hidhte poshtë këto akuza dhe të denoncte Berishën për shpifje.


Ndërsa Rama duket se ka vendosur që të mos merret me Berishën dhe akuzat e pafund të tij ndaj kryeministrit, nuk dihet nëse ky i fundit do të ketë gatishmërinë që pati ndaj protestës së studentëve të minierave, për të dal dhe bashkëbiseduar me protestuesit e mitingut të së shtunës. Aty do të jenë sërish ndoshta studentët e minierave. Por me siguri edhe socialistë që do të duan t’i kërkojnë llogari atij për premtimin e pambajtur për vendet e reja të punës; edhe qytetarë të thjeshtë që do të duan të dëgjojnë nga goja e kryeministrit përse nuk e uli siç premtoi çmimin e energjisë elektrike, por do ta rrisë atë me gati 50 %; edhe pensionistë që po u bëhen dy vjet që nuk kanë rritje të pagës së pensionit; edhe tregtarë që iu janë rritur taksat; edhe qytetarë që përballen me një shërbim skandaloz shëndetësor, edhe qytetarë dhe drejtues automjetesh që do tu rritet çmimi i naftës dhe që janë detyruar të blejnë më kot kutitë e ndihmës së shpejtë; qytetarët që ndihen të pasigurtë në jetën dhe aktivitetin e tyre të përditëshëm nga vrasjet në mes të qytetit, nga shpërthimi i tritolit, etj, etj. Do të ketë me siguri edhe shumë kategori të tjera shoqërore që do të protestojnë këtë të shtunë, por me siguri që Rama nuk do të dalë në rrugë për të biseduar me ta. Jo se i mungon oratoria, por se nuk di se çfarë tu thotë se përse nuk ka mbajtur fjalën që u dha shqiptarëve në fushatën e vitit të kaluar.


Ndërsa atë betimin “nuk ka burrë……..” me siguri që edhe mund ta bëjë. Pasi ndërtuesi i njohur Fratari që pak vite më parë tha publikisht se Rama i ka kërkuar shpërblim përkundrejt dhënies së lejeve të ndërtimit, pak javë më parë u arrestua në mënyrë të paligjshme nga policia dhe ishin organet e drejtësisë, ndaj të cilëve Rama (sipas Berishës) ushtron presion, ata që bënë të mundur lirimin e tij të paligjshëm. Ndaj edhe kush bën akuza të tilla ndaj Ramës, përfundon pas hekurave pa vendim, njësoj siç bënin dikur partizanët me kulakët e borgjezët në vitet e para të pasluftë

You may also like...