12 pyetje për Opozitën!

Billi Piligrim

Do doja të dilja në protestë nesër (sinqerisht), por më duhet një përgjigje për pak pyetje “naive”: Ish kryeministri thotë se në qeveri janë trafikantët e drogës dhe po ashtu ka thënë që pas 23 qershorit se trafikantët e drogës i vodhën/blenë zgjedhjet, praktikisht blenë pushtetin dhe tani po e shfrytëzojnë për të bërë trafik. Që unë të dal në protestë duhet t’i marr këto thsi të vërteta të mirëqena, por nëse mendoj kështu më del një problem. Ish-kryeministri drejtoi Shqipërinë për 8 vite dhe e mori pushtetin siç ka thënë vetë me vota të ndershme përballë krimit të organizuar të cilin më pas e luftoi. Tani ajo që më shqetëson mua është se si ka mundësi që pas 8 vitesh lufte kundër trafikantëve këta ishin aq të fuqishëm saqë jo vetëm e sfiduan Berishën, por ja morën pushtetin?! Pra pas 8 vjetësh nga 2005 (kur krimi se mundi dot Berishën opozitarë me çelësa kashte në dorë) në 2013 kur krimi mund Berishën pushtetar me të gjitha në dorë a nuk do të thotë kjo se qe të paktën i paaftë ta luftojë krimin?!

Nëse unë i marr të mirëqena akuzat dhe dal nesër në protestë, çfarë garancish kam që opozita e cila ende nuk ka treguar se pse dështoi të mundte krimin dhe e la të forcohej deri ne atë pikë sa t’i rrëmbente pushtetin dhe për rrjedhojë as se si do ta përmirësonte këtë duke u rikthyer në pushtet, nuk do të jetë po kaq e paaftë dhe ta lërë krimin të livadhisë si t’i dojë qejfi. Unë si qytetarë i bie të mbeten nën sundimin e trafikantëve apo jo pavarësisht se cili do të ishte kryeministri.

Me sinqeritet dhe pa ironi fare nëse unë dal nesër në protestë cila është garancia se pas 4 apo 8 vitesh të tjera në pushtet të PD-së krimi nuk do jetë edhe më i fortë se sa doli pas 8 viteve të para të pushtetit të kësaj force dhe kush e di ç ‘bëmash do na bëjë… Meqë i rash gjatë, tani po ua shkruaj shkurt dhe qartë pyetjet që janë 12 siç e ka dhe titulli.

Por më parë lërmëni të pohoj se një protestë kundër gjendjes së sotme të vendit duhet të ndodhë, më duhet gjithsesi të pohoj që opozita bën detyrën e saj si opozitë duke demaskuar këto ngjarje që kanë ndodhur. Atëherë pasi u sqaruam fillojmë nga pyetjet e qytetarëve për opozitën:

  1. Nëse është e vërtetë që qeveria Berisha luftoi krimin e organizuar atëherë si ka mundësi që bandat ia morën atij pushtetin?
  2. Berisha dhe Basha akuzojnë për baron dhe oligarkë dyshen Rama-Meta, por a nuk ishte z. Meta aleati i vyer i Berishës për 4 vite?
  3. A ka pasur në krah Berisha një aleat që ka qenë mafioz dhe baron droge? Nëse po përse nuk e arrestoi atë por pranoi të bashkëqeveriste?
  4. Si shpjegohet që për 8 vite në pushtet mazhoranca e djeshme nuk dërgoi një dosje në prokurori me emrin e një zyrtari të lartë (qoftë edhe deputet i opozitës) si të lidhur dhe të inkriminuar me mafian e drogës?
  5. Çfarë qëndrimi mban opozita e sotme për akuzat ndaj një numër zyrtarësh të lartë në drejtimin e policisë (kini parasysh kabllogramet e ambasadës Amerikane) qenë të akuzuar për korrupsion; e ku paprekshmëria e tyre vinte për shkak të fijeve të ngushta që ato kishin me ish kryeministrin?
  6. Si shpjegohet që disa nga këto individë ende sot janë në sferat e opozitës në pozicione të ndryshme?
  7. Duke pranuar argumentin se mazhoranca u mund dje nga bandat dhe baronët e drogës. Çfarë garancish jep ajo, pasi dështoi në mundjen e krimit sa që ai i rrëmbeu pushtetin, se nuk do të jetë po kaq e paaftë dhe ta lërë krimin të livadhisë si t’i dojë qejfi nëse vjen në pushtet?
  8. Çfarë garancish më ofron opozita kur eksponentë të ndryshëm të saj janë lidhur ngushtë me emra të fortësh në qytetet e ndryshme të vendit dhe sot gjenden në parlament?
  9. Çfarë garancish më ofron opozita e sotme që kur të vijë në pushtet do të ligjërojë ligjin Anti-Mafia duke dënuar mafiozët kudo qofshin ato?
  10. Nëse krimi u bë më i fortë nën qeverisjen e PD aq sa i mori pushtetin, si mund t’i besoj PD që do të rrëzojë krimin nga pushteti?
  11. Nëse gjatë qeverisjes së PD shqiptarët u varfëruan aq shumë saqë përkundër asaj që ndodhi në 2005 u shitën te krimi i organizuar, çfarë do të ndodhte pas 4 vitesh të tjera qeverisje të ngjashme?
  12. A ka ndonjë plan PD se si mund ta korrigjojë këtë dështim të vetin?

 

You may also like...