Ndihma ekonomike sipas stilit të kasapit

Qeveria me shumë të drejtë thotë se te skema e ndihmës ekonomike, por veçanërisht te skema e ndihmës për aftësinë e kufizuar apo paaftësi për punë, ka abuzime spektakolare që variojnë nga individë të shkathët që arrijnë të mashtrojnë sistemin te përdorimi i ndihmës ekonomike si mjet pagese për vota në raste zgjedhjesh.

Këto abuzime, përveç faktit që i kushtojnë buxhetit të shtetit 200 milionë dollarë në vit, i kushtojnë më së shumti shoqërisë në formën e njerëzve të kequshqyer, njerëzve të raskapitur nga vuajtjet e mungesës së bukës së përditshme, njerëzve që sëmuren shumë shpesh apo shtrohen nëpër spitale për të përfituar shërbimin hotelier dhe supën falas.

Qeveria nuk ka shumë të drejtë të krenohet se “ka hequr 20 mijë abuzues” nga skema e ndihmës ekonomike. Të heqësh njerëzit nga skema e ndihmës ekonomike është gjë e lehtë. Thjeshtë u vë shqelmin. Por të gjesh të varfërit e vërtetë dhe t’i ndihmosh aq sa u takon, duke shënjestruar si absurditetet e ligjeve aktuale shqiptare mbi mbrojtjen shoqërore, ashtu edhe praktikat abuzive administrative apo individuale, kjo po, është me të vërtetë sfidë. Është një sfidë të cilën, qeveria, duke qenë se është shumë e zënë duke menduar për shkurtimet e shpenzimeve të kërkuara për të mbuluar deficitin buxhetor, ose aspak e shqetësuar për hallet e shqiptarit të zakonshëm, nuk ka marrë mundimin ta trajtojë.

“Savage cuts” “shkurtime barbare” është termi që përdoret zakonisht në këto lloj rastesh. Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se ka hequr 20 mijë abuzues nga skema e ndihmës ekonomike, por nuk tha nëse i ka zëvendësuar këto 20 mijë abuzues me 20 mijë familje me të vërtetë të varfra që më herët nuk kanë përfituar. Në Shqipëri qenë zakonisht deri vitin e kaluar rreth 100 mijë familje me rreth 400 mijë anëtarë, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike. Nga këto, 20 mijë familje janë hequr nga skema gjatë muajve të fundit.

Rreth 450 mijë është numri i shqiptarëve që sipas vlerësimeve të INSTAT, jeton me më pak se 2 dollarë në ditë për frymë, niveli i gjithëpranuar si varfëri ekstreme, pra nivel poshtë të cilit njerëzit nuk janë më në gjendje të sigurojnë konsumin e nevojshëm për të mbijetuar. Poshtë këtij niveli mund të jetosh, por je gjithmonë i uritur, i segreguar nga shoqëria, pa veshje të përshtatshme, dhe, kur jeton në zonat urbane, pa ngrohje, shumë shpesh i sëmurë fizikisht dhe i raskapitur mendërisht.

Në këto kushte, Shqipëria, si një vend që në kushtetutë e ka sanksionuar se duhet të jetë “shtet social” apo që “synon që” të jetë shtet social, duhet të mendojë të ushqejë këto 450 mijë vetë dhe më shumë, duke marrë parasysh se gjithmonë do të ketë abuzime. Shqipëria, nuk duhet t’u japë këtyre njerëzve 2 dollarë në ditë, duhet t’u japë diferencën mes asaj që kanë dhe asaj që u nevojitet për të arritur në një konsum më të lartë se 2 dollarë në ditë. Një vend që ka PBB për frymë prej 8 mijë dollarësh (me PPS) ose 22 dollarë në ditë për frymë, i ka të gjitha mundësitë financiare të mos lejojë ekzistencën e kequshqyerjes.

Vendosja e një sistemi real ballafaqimi mes numrit të përfituesve dhe numrit të shqiptarëve realisht të varfër është hapi i parë për të dalluar nëse shoqëria po vendos me të vërtetë fondet e nevojshme në dispozicion për të luftuar varfërinë, nëse këto fonde janë më shumë se sa duhet apo janë më pak. Shkurtimet e numrit të përfituesve dhe fondeve, të shkaktuara nën presionin e deficitit buxhetor dhe pa kurrfarë konsiderate për luftën kundër varfërisë, nuk janë një arsye për t’u mburrur.

You may also like...