A duhet të mbarojë bojkoti?

Xhabyni

Kam qenë kundër daljes së opozitës nga parlamenti, në ditët kur ajo u largua, arsyet për se mund të shtjellohen lehtësisht. Por, jam i bindjes që presioni dhe pyetjet e mediave “Kur do të kthehet opozita në parlament” që bëheshin në çdo emision apo intervistë me opozitarë tregonin jo vetëm gjendjen e rënduar të gazetarëve por edhe një tendencë për të futur bisedën në një rreth vicioz nga i cili nuk nxirret asnjë kuptim. Më dukej dhe më duket e pakuptimtë gjithë ai interes nga ana e mediave për ta parë opozitën si një personazh anti hero ose si personazh hero (varet nga media dhe si i ka lidhjet ajo) në një teatër parlamentar ku mazhoranca ka votat e mjaftueshme për të votuar gjysmën e ndryshimeve që dëshiron.

E po kështu mazhoranca ka moskokëçarjen kushtetuese për të mos ia var veshin thirrjeve që megjithëse vijnë nga gojë e përlyer (si ajo e gjygjësorit) janë me vend dhe me kuptim.  Duke u shndërruar kështu mazhoranca në një superfuqi e cila ka pushtet të madh gjithandej e që me reformën Salamandër do të zotërojë tanimë edhe certifikatat ka gjasa të shndërrohet në një parti-shtet.

E ku është problemi në këtë mes? Problemi është se partia e vetme që do të qeverisë ka për të shkrirë opozitën dhe nuk do të qeverisë në variantin autokratik por ama me një ekonomi të fortë. Përkundrazi, ky modeli i fuqishëm i propagandës përmes së cilës ne edhe pse nuk kemi çfarë të hamë mjafton të kemi vepra “arti” në qytet na flet se çfarë do të na duhet të presim. Ja, një opozitë e pafuqishme e cila do të duhej sa për lojën e radhës së teatrit në një parlament të zaptuar me robotë që votojnë pro apo kundër, çfarë dreqin na duhet?!

Si mundet të themi që opozita duhet në parlament si një garniturë për biftekun e radhës?! Aq më tepër që logjika e mazhorancës është ajo e shkatërrimit të opozitës, ashtu që opozita e mazhorancës të jetë brenda saj. Nuk e kuptoni këtë? Ja shihni pak raportin e PS me LSI, debatojnë për çështje parimore dhe jetike dhe menjëherë mazhoranca përgjigjet pozitivisht ndaj këtyre kritikave. Mirëpo, kjo qasje e imja kaq në mbështetje të kësaj mënyre radikale të opozitës përse vjen?!

Mbijetesa e një sistemi demokrat vjen si pasojë e ekzistencës së më shumë se një partie, e ekzistencës të një opozite jo të krijuar OMGJ në sera qeveritare. Për hir të kësaj dialektike shumë të rëndësishme për demokracinë parlamentare, siç do të shprehej Ciceroni në një botë paralele, na duhet që të marrim një vendim për të mbështetur opozitën…për të shpëtuar republikën. Ashtu që asnjë Çezar apo Pompe të zotërojë pushtetshmërinë absolute.

Ndaj unë mendoj që ekstremi është e vetmja mënyrë, që kësaj radhe, të ulë një mazhorancë ekstremisht të fortë për të rënë dakord në një marrëveshje. Qenia brenda apo jashtë e opozitës nuk është se ndihmon shumë vendin, madje sikur e legjitimon atë shakanë e hidhur të mazhorancës ndaj atyre që dje Rama u thosh “popull opozitar”. Por, qenia jashtë e opozitës dhe ndërveprimi i tyre me akte apo gjetje interesante natyrisht që do ta shtrëngonte mazhorancës të sillej më mirë. Nëse opozita futet brenda mazhoranca nuk do të përtojë le të themi të rrahë një tjetër deputet, pastaj ta nxjerrë videon e të tallë menderen me të parën.  Duke u sjellë kështu si dy të rritur që pasi rrahin më të dobëtin fillojnë e kritikojnë njëri tjetrin se përse e kanë goditur fort e se duhen marrë masa.

Për të shmangur këtë degjenerim dhe përbuzje natyrisht që duhet një opozitë ekstreme, por jo në formën e revoltës, por në atë të zgjuarsisë. Nëse opozita ka humbur 2/3 në parlament zgjedhja më e mirë është që të degjenerojë mazhorancën, duke i dhënë asaj të gjithë terrenin (nëse ajo do) të blejë të gjithë parlamentin. Kështu, jepi asaj kënaqësinë që të duket e super pushtetshme por ama jepi edhe leksionin që është aq e paligjshme sa që blen vota dhe e bën këtë të fundit për të vjedhur para.

E kjo akuzë, mund të bëhet fare thjeshtë nëse çdo të enjte të parlamentit të dërgohej vetëm një deputet për të lexuar të njëjtin fjalim, me të njëjtin moral pra “mazhorancë antikushtetuese” duke i kujtuar të gjithëve se çfarë po shohin e duke i nxjerrë përpara mazhorancës portretin e shëmtuar që blerja e votave ka pikturuar për to.

You may also like...