A është i drejtë debati mbi sistemin fiskal?

Xhabyni

Shqipëria është një vend sa i vogël aq edhe poteremadh, tenton të prodhojë lajme edhe pse Kryeministri gjate promovimit te sistemit te ri fiskalnuk ka kapacitetin për t’i brendësuar ato. Një ndër këto lajme ka filluar të jetë edhe ai mbi debatin mes mbështetësve të taksës progresive dhe asaj të sheshtë, në fakt lajm nuk përbën ngjarja se në vendin tonë ka kësi mbështetësish por përbën ngjarja që kemi një debat mbi një çështje që është shumë larg realitetin dhe të vërtetës praktike të këtij vendi. Më duket jo i drejtë ky debat mbi prakticitetin e një sistemi fiskal kur në fakt vendi nuk është ende në fazën e përcaktimit të taksës alla Robin Hood apo të asaj alla Adam Smith.

Sipas të gjitha të dhënave të dhe këshillave që janë dhënë jo vetëm nga institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare nuk çalon sistemi fiskal por çalon sistemi i mbledhjes dhe ai i rialokimit. Ndaj debati mbi efikasitetin e njërit sistem ndaj tjetrit më duket diçka e stisur dhe e kurdisur për të mos kuptuar se cili është realiteti i vërtetë që po prek financat e këtij vendi tani e 12 vjet.

Të stisura më duken, e të tilla janë, edhe hipotezat e hedhura në media mbi draftet që kanë më shumë shanse për t’u zbatuar gjatë qeverisjes 4 vjeçare. Apo për t’u shprehur më mirë më duken si shashka që hidhen nga pushtetarët për të matur pulsin e qytetarëve (e sidomos tregtarëve) kështu që zotërinjtë e qeverisë, por edhe ato të opozitës, të dalin nëpër studio televizive edhe të flasin lart e poshtë për diçka që nuk është realisht thelbi i problemit të fiskalitetit.

Në programin e qeverisjes të mazhorancës aktuale shoh që kemi të bëjmë me dy pjesë kryesore atë të drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik. Nuk është në interesim tim thellimi i madh në këto dy shtylla mbi të cilat ndërtohet taksimi progresiv i mazhorancës, përderisa ende nuk kemi një version zyrtar të sistemit fiskal, por ama nuk mund të lë pa prekur këto dy shtylla ndërsa analizoj gabimin strategjik që vazhdon të kryhet nga qeveritë e vendit tonë.

Sikundër e përmenda në fillimet e shkrimit, qeveritë janë kritikuar përherë për një sistem grumbullimi abuzues e deri të korruptuar. Të dhënat na tregojnë se për gati 10 vitet e fundit është ndërtuar një sistem tërësisht abuziv në grumbullimin e taksave në vend, një sistem që nga vitit në vit është perfeksionuar duke prodhuara një gropë të madhe në GDP-në dhe buxhetin e vendit. Për thuajse 12 vjet me radhë përqindja e të ardhurave nga taksat në raport me GDP-në ka qenë diku mes 20% dhe 25% një vlerë shumë e vogël po ta krahasosh me rajonin e Malit të Zi. Ndërrimi i qeverive në fakt ka sjellë në shumicën e rasteve një rritje të grumbullimit të ardhurave, mirëpo sa më gjatë qëndronte një qeveri në pushtet aq më i sofistikuar bëhej sistemi. Kështu që sot e kësaj dite tatimorët (siç njihen në zhargonin popullor) vijnë me një fletë të bardhë edhe sapo hyjnë në biznes fillojnë e shohin mangësitë dhe rreken ku e ku të gjejnë më shumë që t’u rritet vlera e korruptimit. Ky lloj sistemi ka qenë një nga gangrenat e qeverive dhe ministrave të financës por çuditërisht askush prej tyre nuk ka arritur ta zgjidhë.

Pikërisht duke qenë se nuk arrijnë apo nuk duan ta zgjidhin këtë çast, qeveritë që vetëquhen të majta apo të djathta, fillojnë e ndryshojnë pa pritur e pa kujtuar sistemin fiskal. Mirëpo edhe pse ekonomia jonë është shumë e vogël edhe e brishtë ndryshimi i shpeshtë i taksave, e ndryshimi në çdo kohë i tyre krijon atë që në gjuhën e manaxhimit quhet “dobësitë politike”. Ndërkohë që mos ndërhyrja në një sistem grumbullimi që çalon jo vetëm nga punonjësit por më së shumti struktura se si është ndërtuar.

Kështu që mendoj një qeveri e përgjegjshme, që realisht do të kërkonte mirëqenien e qytetarëve të saj do të fillonte punën e saj duke ristrukturuar drejtorin e tatim tasave, e jo vetëm duke pushuar disa militantë për t’i zëvendësuar me të tjerë. Nuk ka asnjë arsye që qeveria të aplikojë një ndryshim të taksave përmes alibisë që të taksojmë 5% kur brenda asaj përqindjeje janë shumë prej deputetëve të mazhorancës apo ish deputetë opozite që ndryshuan kahet politike për antenat që kishin vendosur në maja mali. Përmes ristrukturimit të drejtorisë së tatim taksave dhe forcimit të rolit të saj mund të shohim pastaj nëse taksa e sheshtë është realisht pozitive apo negative për ekonominë, por ndryshimi i kësaj takse vetëm e vetëm për t’u hequr si majtistë perëndimor jo vetëm që është qesharake por edhe e pabesushme. Do të ishte më reale sikur qeveria nga viti në vit të rriste pritshmërinë dhe parashikimet e saj për grumbullimin e taksave se sa vendosja e një takse që rëndon më shumë ndaj administratës dhe të deklaruarve (mund t’i quajmë të deklasuarit e pagës?) e nuk bën përçapjen më të vogël për të ndihmuar ekonominë që të bëhet gjithnjë e më gri (sepse të bardhën s’po e përmend).

Një qeveri që deklarohet e majtë në disa politika që quhen të tilla vetëm e vetëm se prekin dhe preken nga politika të tjera të majta, por a mund të quhet e majtë politika e festave borgjeze nëpër vila me servise argjendi ndërkohë që invalidët dhe tetraplepgjikët nuk kanë se çfarë të hanë apo mos vallë atyre duhet t’u themi “Zoti të dhashtë”? kështu që vazhdoj të jem i bindur që një debat i tillë për realitetin e vendit nuk mundet dot të ekzistojë ashtu sikundër ai është në realitet. Një debat  tillë jo vetëm që kërkon kohë për t’u zhvilluar por ka nevojë për njohje statistikore shumë të thella, të cilat mungojnë e që mund të ndihmojnë përmes ekonometrisë në një njohje empirike nëse është më e dobishme taksa e sheshtë apo progresive në procesin e zhvillimit ekonomit të vendit.

Në të kundërt ky sistem duhet çrrënjosur në themelet e tij duke ngritur kështu një sistem të ri ku barazia para ligjit dhe taksave të jetë rregulli, një sistem ku çdokush prej qytetarëve të kuptojë që vetëm nga vdekja dhe taksat nuk mund të shpëtosh. Nëse qeveritë që vijnë edhe ikin vazhdojnë t’i mëshojnë sistemeve fiskale e shpresën se kështu do të “ndihmojnë” të varfrit, edhe kur kjo shpresë është qëllim mirë, duhet të kuptojnë se kështu nuk bëjnë asgjë më shumë  se ajo që deri dje ka ndodhur me faturat e enegjerisë elektrike. Synimi i një qeverie është zbatueshmëria dhe barazia përpara ligjit e nuk mund të arrihet një drejtësi sociale, për rrjedhojë as zhvillim ekonomik, pa pasur barazinë më parë.

You may also like...