A ka një kurth të remitancave

Niveli i lartë i remitancave mund të shkaktojë një rreth të mbyllur stanjacioni ekonomik dhe varësie.

Marrë nga revista FINANCE & DEVELOPMENT e Fondit Monetar Ndërkombëtar, numri 3, shtator 2018.

Ralph Chami, Ekkehard Ernst, Connel Fullenkamp, dhe Anne Oeking

Remitancat e punëtorëve – paratë që migrantët kthejnë në shtëpi te familjet e tyre – kanë aktualisht të gjithë vëmendjen e ekonomistëve dhe politikëbërësve për shkak të potencialit që kanë për të përmirësuar jetesën për miliona njerëz.

Remitancat ishin në masën prej rreth 400 miliardë dollarësh në vitin 2017 dhe kjo është një shumë e përafërt me totalin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe ndihmës zyrtare për zhvillim. Flukse të tilla masive financiare kanë pasoja të rëndësishme për ekonomitë që i marrin ato, veçanërisht për shkak se në shumë vende, remitancat përbëjnë një burim të madh në raport me ekonominë e tyre apo sasinë e të ardhurave nga eksportet.

Shumë argumentojnë se remitancat ndihmojnë ekonomitë në dy mënyra. E para, për shkak se remitancat janë transferta nga individi te individi dhe motivohen nga lidhjet familjare. Këto transferta nga jashtë vendit ndihmojnë të afërmit pas në shtëpi për të përballuar jetesën. Por remitancat kanë gjithashtu potencialin të nxisin rritjen ekonomike, përmes financimit të investimeve në kapitalin njerëzor apo fizik ose përmes financimit të bizneseve të reja.

Ekonomistët kanë punuar për të matur të dyja këto efekte. Shumë studime konfirmojnë se remitancat janë thelbësore në betejën kundër varfërisë, duke nxjerrë miliona familje nga varfëria ekstreme apo kushtet e mbijetesës. Por në të njëjtën kohë, kërkimi ekonomik ka dështuar të zbulojë se remitancat përbëjnë edhe një kontribut të rëndësishëm të rritjes ekonomike të n jë vendi.

Ky rezultati i dytë është habitës, veçanërisht fakti që të ardhurat nga remitancat ndihmojnë familjet të konsumojnë më shumë. Shpenzimet për konsum janë shkaktarët për rritje ekonomike afatshkurtër, gjë që nga ana vet duhet të sjellë edhe rritje afatgjatë për shkak se industritë zgjerohen për të plotësuar kërkesën e rritur. Por kërkimi më i thellë mbi rritjen e shkaktuar nga remitancat sugjeron gjithnjë e më fort se remitancat i ndryshojnë ekonomitë në mënyra që reduktojnë rritjen dhe rrisin varësinë nga këto fonde nga jashtë vendit. Me fjalë të tjera, ka prova në rritje për ekzistencën e një kurthi të remitancave që i bën ekonomitë të bllokohen në norma të ulëta rritjeje eknomike si pasojë e të ardhurave në rritje nga emigrimi.

Motor, jastëk për kriza apo frena?

Ja të flasim për rastin e Libanit. Për shumë vite, ky vend ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të remitancave, si në terma absolute ashtu edhe relative. Gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë qenë mesatarisht në mbi 6 miliardë dollarë në vit, e barabartë kjo me 16 për qind të PBB-së. Libani mori 1,500 USD të ardhura për frymë më 2016, më shumë se çdo vend tjetër në botë, sipas të dhënave të FMN-së.

Duke parë përmasat e këtij fluksi, nuk duhet të na habisë fakti që remitancat luajnë një rol kyç, ndonëse jo vendimtar, në ekonominë e Libanit. Ato përbëjnë një pjesë thelbësore të sistemit të sigurisë shoqërore të vendit dhe përbëjnë mesatarisht 40% të të ardhurave të familjeve që i marrin ato. Ato kanë luajtur pa dyshim një rol jetësor stabilizues në një vend që ka vuajtur luftë civile, pushtime dhe krizë refugjatësh përgjatë dekadave të fundit. Përveç kësaj, remitancat janë një burim i çmuar të ardhurash në valutë të fortë dhe janë 50% më të larta se sa të ardhurat e vendit nga eksporti i mallrave. Kjo ka ndihmuar Libanin të mbajë një kurs të qëndrueshëm këmbimi valutor pavarësisht nivelit të lartë të borxhit publik.

Ndërsa remitancat kanë ndihmuar ekonominë e Libanit që të përballojë tronditjet, nuk ka prova që kjo ka shërbyer si motor për rritje ekonomike. PBB për frymë në terma realë në Liban u rrit me vetëm 0.32% mesatarisht në vit mes viteve 1995 dhe 2015. Edhe gjatë periudhës 2005-12, ajo u rrit me një normë mesatare vjetore prej vetëm 0.79%.

Libani nuk është një shembull i izoluar. Nga të 10 vendet që marrin flukset më të mëdha të remitancave në raport me PBB-në – të tilla si Hondurasi, Xhamajka, Republika e Kirkizistanit, Nepali dhe Tonga – asnjë prej tyre nuk ka rritje të PBB-së për frymë më të lartë se sa fqinjët e vet rajonalë. Dhe për shumicën e këtyre vendeve, normat e rritjes janë shumë poshtë fqinjëve të vet. Është e rëndësishme të pranohet se secili prej këtyre vendeve po vuan nga probleme të tjera që mund të dëmtojnë rritjen ekonomike. Por remitancat duket se janë një faktor shtesë përcaktues më shumë se sa thjeshtë pasojë e rritjes së ngadaltë. Dhe remitancat mundet madje të amplifikojnë edhe disa nga problemet e tjera që kufizojnë rritjen dhe zhvillimin.

Efekti pengues

Duke u rikthyer te rasti i Libanit, popullsia e mirëarsimuar e këtij vendi mund të pritet të krijojë rritje të shëndoshë ekonomike. Familjet libaneze, përfshirë ata që marrin remitanca, shpenzojnë shumicën e të ardhurave të tyre në arsimimin e të rinjve, të cilët kanë rezultate shumë më të larta në testet e standardizuara të matematikës se sa fqinjët në vendet rajonale. Libani është gjithashtu shtëpia e tre nga 20 universitetet më të mira në Lindjen e Mesme dhe kërkuesit në këto universitete prodhojnë më shumë punë kërkimore se sa fqinjët rajonalë. Flukset e bollshme të remitancave të Libanit mund të ofrojnë kapitalin farë për të financuar bizneset e reja të vogla, të mbështetura te shtetasit e mirëarsimuar të vendit.

Por statistikat tregojnë se Libani ka shumë më pak aktivitet sipërmarrës nga sa duhet të ketë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së lartë të informimit dhe komunikimit. Përmasat e këtij sektori janë më pak se 1% e PBB-së dhe Libani ka pikë shumë të dobëta në renditjen botërore të këtij sektori. Studime mbi sjelljen e përgjithshme konsumatore të familjeve që marrin remitanca në Liban tregojnë se më pak se 2% e prurjeve shkojnë drejtpërsëdrejti në themelimin e një biznesi. Në vend të kësaj, këto fonde zakonisht shpenzohen në gjëra të tilla si restorante, shërbime dhe mallra importi.

Në vend që të nisin biznese të reja – apo edhe të punojnë në krijimin e të tillave – shumë të rinj libanezë zgjedhin të emigrojnë. Statistikat janë të hidhura: deri në dy të tretat e meshkujve dhe pothuajse gjysma e femrave me diplomë universitare largohen nga vendi. Punëdhënësit ankohen për ikjen e trurit të shkaktuar nga migrimi dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar. Mungesat në këtë drejtim janë identifikuar si pengesa kryesore drejt diversifikimit të ekonomisë së Libanit nga sektorët ekzistues të turizmit, ndërtimit dhe pronave të paluajtëshme dhe që janë burimet tradicionale të rritjes. Nga ana e tyre, të rinjtë që zgjedhin të kërkojnë fatin gjetkë citojnë mungesën e mundësive tërheqëse për punësim në shtëpi.

Një pjesë e kurthit të remitancave duket se për rrjedhojë shkaktohet nga përdorimi i këtij burimi të ardhurash për të përgatitur të rinjtë të emigrojnë në vend që të investojnë në bizneset vendëse. Me fjalë të tjera, vendet që marrin remitanca mund të bëhen të varur nga eksportimi i punës në vend që të prodhojnë mallra në shtëpi me këtë forcë punëtore. Në disa vende, qeveritë janë nxitëse të zhvillimit të institucioneve që specializojnë forcë pune për eksport.

Po pse kjo situatë zhvillohet dhe vijon gjatë?

Kërkimi si në nivel familjeje ashtu edhe në ekonomi në tërësi mbi efektet e remitancave te përfituesit e tyre jep një përgjigje për këtë pyetje. Ndikimi në vende individuale që kanë të ardhura domethënëse – të tilla si Egjipti, Meksika dhe Pakistani – është studiuar dhe kjo ka bërë të mundur analizimin mes vendeve të ndryshime si pritëse ashtu edhe dërguese të remitancave. Njohuritë nga literatura akademike mund të kombinohen në një shpjegim konsistent të asaj se si dhe pse ekonomitë me të ardhura të mëdha nga emigrimi mund të zihen në kurthin e niveleve të ulëta të rritjes ekonomike.

Sa për fillim, remitancat shpenzohen më së shumti në konsum familjar dhe kërkesa për të gjitha produktet (të treguara dhe të patregtuara) në një ekonomi rritet bashkë me rritjen e remitancave. Kjo shkakton një presion për rritje të çmimeve. Fluksi i të ardhurave në valutë, krahas çmimeve më të larta, i bën eksportet më pak konkurruese gjë që sjell edhe rënien e prodhimit për eksport. Disa i janë referuar kësaj sindrome si Sëmundja Holandeze.

Rreth vicioz

Efekti i remitancave në incentivën për punë e bën këtë problem akoma më të rëndë, duke rritur të ashtuquajturën pagë rezervë – kjo është, paga më e ulët e mundshme të cilën punëtori është i gatshëm ta pranojë për një lloj të caktuar pune. Ndërsa remitancat rriten, punëtorët dalin nga forca e punës dhe rritja e pagës e shkaktuar prej kësaj shkakton presione për rritje të çmimeve, duke reduktuar më tej konkurrueshmërinë për eksport.

Pas kësaj burimet largohen nga industritë që prodhojnë mallra të tregueshëm por që përballen me konkurrencë ndërkombëtare drejt mallrave që i shërbejnë tregut vendës. Rezultati: një rënie në numrin e punëve të mirëpaguara dhe me cilësi të lartë, të cilat në mënyrë tipike i përkasin sektorëve të tregueshëm, si dhe një rritje në punët e keqpaguara dhe të pakualifikuara në sektorët e patregueshëm.

Ky ndryshim në tregun e punës nxit punëtorët më të aftë të emigrojnë në kërkim të punëve më të mirëpaguara. Ndërkohë, kostoja e jetesës për shumicën e familjeve rritet krahas rritjes së çmimeve vendëse dhe humbja e konkurrueshmërisë do të thotë që më shumë produkte do të duhet të importohen, duke dëmtuar rritjen ekonomike. Kjo nga ana e vet rrit incentivën për anëtarët e familjes që të emigrojnë në mënyrë që të mund të dërgojnë para në shtëpi për të ndihmuar të afërmit për të përballuar koston më të lartë të jetesës.

Për t’i bërë gjërat më keq, remitancat shpesh shpenzohen në prona të patundëshme, duke shkaktuar rritje të çmimit të shtëpive në vend dhe në disa raste, duke ushqyer fluska në pronat e patundshme. Kjo krijon një incentivë të re për të emigruar mes të rinjve që kërkojnë të ardhura të mjaftueshme për të blerë një shtëpi. Rezultati i të gjithë kësaj është një rreth vicioz migrimi, stanjacioni ekonomik, rritjeje të kostos së jetesës dhe më shumë migrim.

Pak incentivë për të ndryshuar

Qeveritë kanë potencialin për të penguar apo për ta thyer këtë cikel duke ndërmarrë hapa për të mbajtur industritë vendëse konkurruese. Por politikat që mund ta realizojnë këtë, të tilla si përmirësimi i sistemit arsimor dhe infrastruktura fizike, janë të kushtueshme dhe kërkojnë shumë vite për t’u zbatuar. Ato kërkojnë gjithashtu vullnet të fortë politik për të pasur sukses.

Siç kanë treguar studimet, gjithsesi, remitancat kanë efekte të mëdha anësore në politikat ekonomike. Në veçanti, flukset e mëdha i lejojnë qeverive të jenë më pak llogaridhënëse ndaj nevojave të shoqërisë. Arsyetimi është i thjeshtë: familjet që marrin remitanca janë më të mbrojtura ndaj tronditjeve ekonomike dhe janë më pak të motivuara që të kërkojnë ndryshim nga qeveritë e tyre; qeveritë nga ana e tyre ndjehen më pak të detyruara të jenë llogaridhënëse ndaj shtetasve.

Shumë politikanë e pëlqejnë që të mos jenë nën vëmendjen llogarikërkuese të publikur dhe presioni politik reduktohet për shkak të remitancave. Por politikanët kanë edhe arsye të tjera për të nxitur remitancat. Remitancat zgjerojnë bazën e taksueshme përmes taksave të tilla si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Kjo i mundëson qeverive të vijojnë të shpenzojnë në gjëra që do t’i ndihmojnë të fitojnë mbështetje publike, gjë që nga ana e vet ndihmon politikanët të rifitojnë zgjedhjet.

Duke parë këto përfitime, nuk ka çudi te fakti që shumë qeveri në mënyrë aktive nxisin shtetasit e tyre të emigrojnë dhe të dërgojnë para në shtëpi, madje në disa raste edhe duke krijuar zyra apo agjenci për të promovuar emigrimin.

Remitancat e bëjnë punën e politikanit më të lehtë, përmes përmirësimit të kushteve ekonomike të familjeve dhe duke i bërë familjet më pak të prirura për t’u ankuar ndaj qeverisë apo për të parë me kujdes në aktivitetet e saj. Nxitja zyrtare e emigrimit dhe remitancat kthehen pas kësaj në një kurth remitancash që është edhe më i vështirë për t’u thyer.

Mungesa e lidhjeve të qarta mes remitancave dhe rritjes ekonomike – dhe mungesa e shembujve nga vendet që kanë përjetuar rritje ekonomike të ushqyer nga remitancat – sugjeron se remitancat me të vërtetë e pengojnë rritjen ekonomike. Shembulli i Libanit jep për më tepër një shembull konkret se si mund të operojë një kurth i remitancave.

Dhe nëse kurthi i remitancave me të vërtetë ekziston, çfarë ndodh pas kësaj?

Qartazi, duke parë rëndësinë e tyre në mirëqenien e miliona familjeve, remitancat nuk duhet të diskurajohen. A është kurthi nga remitancat thjeshtë një kosto që shoqëritë duhet të paguajnë në shkëmbim të një reduktimi të varërisë? Kjo nuk është domodsoshmërisht e vërtetë.

Parandalimi i dy aspekteve negative të remitancave – sëmundja holandeze dhe qeverisja më e dobët – mund të ndihmojë vendet të shpëtojnë nga kurthi i remitancave. Përmirësimi i konkurrueshmërisë së industrive që përballen me konkurrencën e huaj është receta e përgjithshme për pengimin e sëmundjes holandeze. Masa specifike përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës fizike të vendeve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe reduktimin e kostove të të bërit biznes. Qeveritë duhet gjithashtu të luajnë një rol më aktiv në stimulimin e formimit të bizneseve të reja, përfshirë financimet fillestare apo ndihma të ngjashme financiare për bizneset e reja. Në të njëjtën kohë, vendet që marrin remitanca duhet gjithashtu të shtyjnë për institucione më të forta dhe qeverisje më të mirë.

Forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike dhe forcimi i qeverisjes dhe institucioneve shoqërore konsiderohen sakaq me rëndësi themelore në axhendën e rritjes gjithëpërfshirëse. Por kurthi i remitancave na krijon një situatë emergjence për këto objektiva. Shmangia e pasojave negative nga remitancat mundet me të vërtetë të jetë çelësi për zhbllokimin e potencialit zhvillues përmes heqjes së pengesave më parë të panjohura për zhvillim gjithëpërfshirës.

Marrw nga revista Financa dhe Zhvillimi të botuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar

You may also like...