Ah sikur….

Xhabyni

Në shkrimin e tij “Harrojeni të keqen më të vogël”, Lubonja, përpiqet të shtjellojë një rrugëdalje nga rrethi vicioz i të keqes më të vogël. Thelbi i shkrimit të tij është që njerëzit nuk duhet ta shohin më opozitën (cilado qoftë ajo) si e keqja më e vogël por ama hedh në tavolinë një rast hipotetik ku një grup parlamentarësh të iluminuar duhet të bëhen bashkë dhe të thyejnë barrierat bandito-partiake, për të nisur njëfarë misioni të shkallmimit të kësaj klase politike.  A është e mundur?

Për t’i kthyer përgjigje pyetjes së mësipërme duhet të kemi parasysh disa faktorë që janë të rëndësishëm në analizën që i kryhet ambientit tonë social dhe politik. Sepse nuk mund të pretendojmë që nga hiçi të dalin këto deputetë kaq magjik dhe të panjohur për ne që të bëjnë kataklizmin (e tillë do të ishte po të ndodhte) në parlamentin tonë. Ndaj në shkrimin tim do të përpiqem që t’i përgjigjem pyetjes së ngritur nga Lubonja në dy pika, kjo përgjigje nuk vjen assesi si një tregues që pyetja e tij është e gabuar. Por, si një shtysë për të udhëtuar drejt këtyre deputetëve të iluminuar.

Areali

Pyetja e shtruar më sipër haset në problemin e parë që është i huaj për parlamentin tonë apo qoftë edhe për demokracinë e vendit. Problemi lidhet me shtetin dhe arealin e tij ose me atë që romakët e lashtë në senat e quanin “Areali i Republikës”. Areali nënkupton frymën e shtetit dhe jo mbivendosjen e një individi mbi shtetin duke e kthyer kështu shtetin në një instrument në funksion të pëlqimeve të një individi apo një grup individësh.

Ngjarjet që kanë ndodhur në vendin tonë kanë treguar se shumica e legjislaturave parlamentare (në të gjitha periudhat kohore) nuk kanë funksionuar si një emblemë për të ruajtur arealin e shtetit por si një institucion për të forcuar gjithnjë e më shumë sundimin e një individi. Po të shohim me kujdes si në periudhën e diktaturës, ashtu edhe në periudhën e post-diktaturës, ekzistenca e parlamentit ka qenë fortësisht e lidhur me konceptin e partisë.

Siç e dimë në periudhën komuniste, ishte partia ajo që përcaktonte kandidatët për deputetë dhe pushtetin real të vendit e kishte Komiteti Qendror. Në post-komunizëm nuk u ruajt e njëjta skemë, të paktën në letra, por ama u ruajt në ideologji. Produkt i kësaj ideologjie dhe mendësie në vendin tonë janë edhe moszbatimi asnjëherë i parimit proporcional me lista të hapura të përcaktuara nga kushtetuta; duke e kthyer atë në një formë kandidimi me lista të mbyllura në zgjedhjet e qendrore apo vendore.  Kështu që qytetarët kur zgjedhin nuk zgjedhin atë që mund të duan vetë por zgjedhin atë që partia ka zgjedhur për ta. Kjo sjell që personazhet që futen në parlament të jenë në një mënyrë apo në një tjetër të përzgjedhurit e kryetarëve.

E ku qëndron problemi në këtë mes? Problemi qëndron në dy drejtime. Më së pari, partia (në post-demokraci) vazhdon akoma të jetë e lidhur me kryetarin. Nëse kryetarit s’i pëlqen një sjellje e caktuar atëherë e ke të rrezikuar postin e deputetit, kjo do të thotë që liria e shprehjes dhe e mendimit brenda institucionit të partisë duhet të jetë konform rregullave të vendosura nga sipër. E kjo do të përcillet edhe në parlament ku niveli i devijimit nga fjala dhe qëndrimi i kryetarit (pa u degdisur nga partia) duhet të jetë brenda normave të lejuara.

Kështu që, shumica dërrmuese e deputeteve që ndodhen në karriget e parlamentit katapultohen më së shumti falë aftësive për të qenë sa më pranë liderit e duke qenë të bindur dhe dogmatizuar në partitë e tyre. E sa është e mundur që ne të zbulojmë një grup rebelesh që vijnë nga partitë që në strukturat e tyre ushqejnë bindjen e verbër ndaj asaj që i pari shfaq?! Natyrisht që një situatë e tillë nuk mundet dot t’i shërbejë arealit shtetëror, në këtë rast republikës parlamentare. Individë të tillë janë më të shtyrë të besojnë dhe të veprojnë atë çfarë kryetari përcakton dhe jo atë çfarë ato mendojnë si të drejtë.

Përjashtime që përforcojnë rregullin

Natyrisht që nuk përpiqem të mohoj që në parlament nuk ka deputetë të cilët e ndjejnë se kështu nuk vazhdohet më, madje mund të ketë dhe prej atyre që mund të kenë besuar në atë që kryetari u ka thënë por që tanimë e kanë kuptuar që ky besim do i dërgojë në greminë. Pra, dua të them mund të ketë prej atyre që e duan arealin e një shteti të lirë nga duart autoritare. Atëherë nëse janë përse nuk dalin?

Historia e shtetit Shqiptar ka një skenë të ndodhur diku nga fundi i viteve 40’. Qe fillimi i diktaturës dhe brenda parlamentit të vendit ishin një grup deputetësh që ishin të pavarur, mirëpo këto deputetë edhe pse i bashkonte kauza kundër komunizmit sërishmi ato qenë të ndarë në mendjet e tyre nga njëri tjetri. Pikërisht kjo ndarje i mundësoi dhe Hoxhës, ndër të tjera, që t’i eliminonte më me lehtësi se sa ato të ishin të bashkuar.

E meqë, siç thotë Ciceroni, politika është një histori që ka krahë; mund të kuptojmë që edhe në paçim deputetë që e kuptojnë se në një sistem të tillë nuk mund të mbijetohet dot më. Se nuk duhet të jenë të gjithë “dele” për të zbatuar urdhrin e kryetarit ato nuk mund të dalin kundër. Duke dalë kundër kryetarit ato do të vetëvriteshin politikisht sepse edhe pse mund të kenë një grup që mund t’i mbështesi në vetëdijen e tyre ato sërishmi nuk kanë një lider. Pra, me pak fjalë mundi i tyre është i kotë.

Sa më sipër mund të them që një situatë të tillë, hipotetike gjithnjë, do t’i sillte vendit thjesht një tjetër shkëndijë e do të përfundonte. Duke e shndërruar martirizimin e tyre politik në një histori të bukur por gjithsesi romantike dhe ëndërrimtare. Por pyetja mbetet sërishmi pa një përgjigje të denjët. Atëherë si mund t’ia kthejmë një të tillë?

Sipas mendimit tim, ajo që i shërben tanimë këtij vendi është në fakt zhdukja debati i të keqes më të vogël që e ushqejnë partitë. Me këtë nuk dua të them që nuk ka të keqe më të vogël, përkundrazi. Ajo që dëshiroj të them është se partitë politike në vendin tonë e ushqejnë këtë gjellë vetëm për të fituar legjitimitetin për të ekzistuar si parti e pranuar ndër njerëz. Ndaj humbjet e zgjedhjeve ato i shohin si një ujë i bekuar i cili i pastron nga mëkatet që kanë kryer në qeveri duke i dhënë tanimë mantelin e ndershmërisë dhe udhëheqjes.

E meqë jemi në kuadrin e hipotetikes le të hedhim një tezë, që s’është edhe aq hipotetike, po sikur në zgjedhjet e ardhshme një grup qytetarësh të përzgjedhin vetë kandidatin e tyre për postet e këshillit bashkiak? Kjo lëvizje do të qe ajo çka do t’i trembte më shumë partitë dhe do t’i mbushte me frymë pozitive ato pak deputetë që kuptojnë realisht llumin në të cilin po shkon ky vend.

You may also like...