Arabia Saudite po luan rëndë me naftën e vet

Mbreti saudit Abdullah para një takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit Kerry në Pallatin Mbretëror në Xheda.

Mbreti saudit Abdullah para një takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit Kerry në Pallatin Mbretëror në Xheda.

Mohamad Bazzi, Reuters 

Në gusht 1973, presidenti i Egjipti Anuar Sadat bëri një vizitë sekrete te kryeqyteti i Arabisë Saudite, Riad, për t’u takuar me Mbretin Faisal. Sadat po përgatitej për luftë me Izraelin dhe ai kishte nevojë që Arabia Saudite të përdorte armën e vet më të fuqishme: naftën.

Deri në atë kohë, Mbreti Faisal qe treguar ngurrues me idenë që anëtarët arabë të OPEC të përdorin “armën naftë.” Por në tetor 1973 lufta Arabo-Izraelite shpërtheu, prodhuesit arabë të naftës rritën çmimet, ulën prodhimin dhe vendosën një embargo mbi eksportet e naftës për të ndëshkuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e saj për Izraelin. Pa Arabinë Saudite, embargo e naftës nuk do të kishte shuar shumë larg.

Sot, Arabia Saudite po e përdor edhe një herë “armën naftë,: por në vend që të rrisë çmimet dhe të ulë prodhimin, po bën të kundërtën. Përballë rënies botërore të çmimeve të naftës që nga qershori, mbretëria ka refuzuar të ulë prodhimin, gjë që mund të ndihmonte në rritjen e çmimeve. Në vend të kësaj, sauditët kanë udhëhequr përpjekjet për të ndaluar OPEC të ulë prodhimin në takimin e kartelit më 27 nëntor.

Pasojat e politikës saudite janë të pamundura për t’u injoruar. Pas dy vjetësh çmimesh stabil në rreth 105-110 dollarë për fuçi, miksi Brent, çmimi referues botëror, ra nga 112 dollarë në qershor në rreth 65 dollarë të premten. “Cila është arsyeja për Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të SHBA-së që dëshirojnë të ulin çmimin e naftës?” pyeti në mënyrë retorike presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro në tetor. Përgjigjja e tij? “Për të dëmtuar Rusinë.”

Kjo është pjesërisht e vërtetë, por loja e Arabisë Saudite është më komplekse.

Mbretëria ka dy objektiva në luftën e vet të fundit me naftë: ajo po përpiqet të bllokojë naftën argjilore amerikane – e cila kërkon çmime më të larta për të mbuluar kostot e veta në krahasim me prodhimin konvencional. Më gjerësisht, sauditët po ndëshkojnë gjithashtu dy rivalë të vet, Rusinë dhe Iranin, për mbështetjen që i kanë dhënë regjimit të Bashar al-Asadit në luftën civile të Sirisë. Që kur filloi kryengritja e Sirisë më 2011, fuqitë rajonale dhe botërore kanë zhvilluar një seri betejash të tërthorta atje.

Ndërsa Arabia Saudite dhe Katari kanë qenë duke armatosur shumë rebelë të Sirisë, regjimi i Iranit dhe në përmasa më të vogla, Rusia – kanë ofruar armë dhe financime për të mbajtur Asadin në pushtet.

Që nga pushtimi amerikan i Irakut më 2003, qendrat tradicionale të pushtetit në botën arabe – Egjipti, Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit – kanë qenë të acaruara nga rritja e ndikimit të Iranit: ambiciet e tij bërthamore, ndikimin që ka mbi qeverinë e Irakut, mbështetjen që jep për grupimet militante si Bezbollah dhe Hamas dhe aleancën me Sirinë.

Konflikti tashmë ka shpërthyer në një luftë të plotë por të tërthortë mes Iranit dhe Arabisë Saudite, gjë që po ndodh në të gjithë rajonin. Të dyja palët gjithnjë e më shumë po e shohin rivalitetin e tyre si një konflikt që mund të ketë vetëm një fitues: Nëse Hezbollah arrin të dominojë në Liban, atëherë sunitë e Libanit – dhe në masë të gjerë, patronët e tyre sauditë, humbasin terren përballë Iranit. Nëse qeveria e udhëhequr nga Shiat konsolidon kontrollin e Irakut, atëherë Irani do të fitojë një betejë të dytë.

Sot, Shtëpia e Sauditëve po nxiton të mbështesë aleatët e vet në Bahrein, Jemen, Siri dhe kudo tjetër ku ka frikë nga ndikimi i poshtër i Iranit. Dhe mbretëria po i kundërpërgjigjet Iranit, dhe Rusisë, me armën e vet më efektive.

Rusia dhe Irani kanë varësi të lartë nga çmimi i naftës. Sipas shumë vlerësimeve, Rusia ka nevojë për çmime mbi 100 dollarë për fuçi që të mbulojë nevojat e veta buxhetore. Irani, duke u përballur me sanksionet ekonomike të Perëndimit dhe izolimin ekonomik, ka nevojë për çmime edhe më të larta. Sakaq, Irani ka marrë një goditje ekonomike nga veprimet e sauditëve. Më 30 nëntor, si rezultat i vendimit të OPEK për të mos rritur prodhimin, monedha e Iranit rial ka me gati 6 për qind kundrejt dollarit.

Mbretëria beson se mund të mbrojë veten nga ndikimi i rënies së çmimeve. Ajo ka mundësi të rrisë prodhimin për të kompensuar rënien e çmimeve, apo të zbusë goditjen nga fitimet më të ulëta duke përdorur një pjesë të mbi 750 miliardë dollarëve të rezervës së vet valutore.

Megjithatë, Arabia Saudite po luan një lojë të rrezikshme – ka shumë pak prova se regjimet autoritare si Rusia dhe Irani mund të ndryshojnë sjelljen e tyre si pasojë e presionit ekonomik. Akoma më keq, politika saudite mund të dështojë, duke e bërë Rusinë dhe veçanërisht Iranin, më të vendosur për të mposhtur ndikimin saudit në Lindjen e Mesme.

Me luftërat indirekte që po vijojnë në Siri dhe Irak, Arabia Saudite rrezikon të ndezë një luftë nafte me Rusinë dhe Iranin – një luftë që mbretëria ndoshta mund ta fitojë në terma afatshkurtër. Por si një konflikt sektar, veprimet e sauditëve kërcënojnë një përleshje që mund të dalë jashtë kontrollit.

You may also like...