Ari monetar, si e fitoi Shqipëria më 1953

 

Foto Ilustruese

Foto Ilustruese

Argumentimet juridike, Britania këmbënguli që ari t’i jepej Shqipërisë

Ngjarja – Një artikull i revistës amerikane të Ligjit Ndërkombëtar i vitit 1955 hedh dritë mbi procedurat e ndjekura nga forcat aleate për të caktuar fatin e arit monetar shqiptar dhe argumentet juridike që bënë që Shqipëria ta përfitonte pronësinë mbi arin, ndonëse nuk e mori dot atë realisht deri pas viteve 1990

Kushtet – Ari monetar i Shqipërisë pretendohej nga Italia, e cila pati nën pronësi Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Por Britania e Madhe pati interes që të fitonte Shqipëria, në mënyrë që ta konfiskonte arin për të dëmshpërblyer vetveten për incidentet e Kanalit të Korfuzit, siç qe përcaktuar nga Gjykata Ndërkombëtare

Fakti – Mbretëria e Bashkuar, e interesuar për mundësinë e përdorimit të arit për përmbushjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e Kanalit të Korfuzit, siç qe përcaktuar edhe në Deklaratën bashkangjitur te Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 1951 mbështeti pretendimet e Shqipërisë

American Society of International Law Vol. 49, no. 3 1955

Opinioni i arbitrazhit mbi Arin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Ari i Bankës Kombëtare të Shqipërisë – kuptimi i fjalës “përket” – Marrëveshja NdërAleate për reparacionet the kthimet.

Arbitruesi: Sauser-Hall, 10 Annuaire Suisse de Droit International 11 (20 Shkurt 1953) Bruksel.

Më 1925, një grup financiar privat, tek i cili interesat italiane dominonin, hyri në një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë për organizimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e autorizuar me një ligj të posaçëm. Sipas këtij ligji, selia e Drejtimit Qendror (direction centrale) të Bankës duhej të vendosej në kryeqytetin shqiptar, por selia e Këshillit (Conseil) dhe e Komitetit të Administrimit (Comite d’administration) mund të vendosej jashtë vendit. Banka do të shërbente për depozitimin e fondeve të shtetit shqiptar dhe të ofronte shërbimin e thesarit publik. Asaj iu dha fuqia e shtypjes së parasë metalike, si dhe të emetonte para letër e cila duhej të mbulohej nga një rezervë floriri.

Banka u organizua në një takim në Romë në formën e një kompanie aksionere (sociètè par actions), ndërsa statutet e saj, të cilat qenë në përputhje me legjislacionin shqiptar, u miratuan nga ministri italian i Financave dhe u depozituan në Ministrinë Shqiptare të Financave. Nën këto statute, selia e Këshillit dhe Komitetit Administrativ u vendos në Romë, ku u zhvilluan edhe të gjitha takimet e aksionerëve. Rezerva e arit të bankës u ble në tregun ndërkombëtar me valutën e Italisë dhe, me përjashtim të një sasie të vogël që gjendej në zyrat shqiptare të bankës, qëndroi gjatë të gjithë kohës e depozituar në Romë, më së shumti te Fonderia e Italisë (Hotel de la Monnaie). Nënshtetasit italianë në fillim kishin 45% të aksioneve themeltare. Qeveria shqiptare, gjatë të gjithë kohës, nuk kishte aksione te Banka. Pjesa e aksioneve të zakonshme të mbajtur nga nënshtetasit shqiptarë u reduktua gradualisht nga 30% që qe në fillim në 1.5% në shtator 1943. Në vitin 1935, qeveria italiane i shtetëzoi përmes një dekreti të gjitha aksionet e mbajtura nga nënshtetasit italianë, ndërsa filloi një program për blerjen e aksioneve nën pronësinë e huaj, gjë që solli që më 16 shtator 1943, Italia zotëronte 88.5% të aksioneve të zakonshme dhe themeltare të Bankës.

Më 16 shtator 1943, floriri i Bankës në Romë ra në duart e forcave gjermane dhe u zhvendos në Berlin, ku, nën marrëveshje me qeverinë shqiptare, u shënjua për Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe u depozitua në “Reichsbank”. Në 13 janar 1945, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Shqipërisë miratoi një ligj që anuloi marrëveshjen e vitit 1925 për krijimin e Bankës dhe ia transferoi shtetit shqiptar asetet dhe detyrimet.

Marrëveshja Ndëraleate e Reparacioneve e Parisit, nënshkruar më 14 janar 1946 nga 18 shtete përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë, vendosi për “shpërndarjen si rikthim” të të gjithë arit të gjetur në Gjermani mes vendeve pjesëmarrëse në raport të drejtë me humbjet përkatëse të arit përmes vjedhjes apo zhvendosjes së padrejtë nga gjermanët. Nën termat e marrëveshjes së Parisit, Italia u pranua më 1947 si përfituese përmes një protokolli të posaçëm. Qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, krijuan Komisionin Trepalësh për Rikthimin e Arit Monetar. Shqipëria dhe Italia parashtruan kërkesë për arin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë të zhvendosur nga Roma. Komisioni Trepalësh ia referoi këto pretendime kontradiktore tri qeverive përkatëse që e kishin krijuar komisionin. Këto të fundit, më 25 prill 1951 nënshkruan një marrëveshje në Uashington për të kërkuar opinionin e një arbitruesi, i cili duhej të caktohej nga Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nën pyetjen nëse ari i “përkiste” Shqipërisë, Italisë apo asnjërës. Tri qeveritë ranë dakord të pranonin opinionin e arbitruesit. Qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, si dhe tri qeverive nënshkruese, iu dha mundësia t’i paraqisnin arbitruesit të gjitha dokumentet, provat dhe argumentet në lidhje me pyetjet që i qenë paraqitur.

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përcaktoi M. Georges Sauser-Hall, me nënshtetësi zvicerane si arbitrues. Pavarësisht një ftese nga arbitruesi, qeveria shqiptare nuk mori pjesë në procedimin e zhvilluar më 5 nëntor 1951. Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë aktivisht. Italia ripërsëriti pretendimet e veta mbi arin. Mbretëria e Bashkuar, e interesuar për mundësinë e përdorimit të arit për përmbushjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e Kanalit të Korfuzit, siç qe përcaktuar edhe në deklaratën bashkangjitur te Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 1951 mbështeti pretendimet e Shqipërisë. Franca shprehu mendimin që floriri nuk i takonte as Italisë dhe as Shqipërisë.

Pas përshkrimit të disa nënçështjeve, dhe pasi vërejti se Marrëveshja e Parisit mbi floririn bazohej në njohjen e të drejtës postliminium, arbitruesi vlerësoi kuptimin e fjalës “përket” (appartenait) në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe shprehjes korresponduese në Marrëveshjen e Parisit. Ai theksoi se do të shqyrtojë pretendimet e lindura deri më datë 16 shtator 1943, data në të cilën floriri u zhvendos nga Roma dhe se nuk do të konsiderojë pretendimet e lindura nga ngjarjet pas kësaj date. Sipas fjalorëve, arbitruesi gjeti se fjala “përkas” (belong) dhe ekuivalenti i saj në gjuhën frënge mundet të lidhet qoftë me pronësinë qoftë me kuptimin “të ketë lidhje”, “t’i përkasë” “të jetë në funksion të”. Ky kuptimi i fundit, sipas mendimit të arbitruesit, duhet të shërbejë si interpretim për fjalën “përket.” Kuptimi më i ngushtë i kësaj fjale nuk mund të ketë qenë synimi final i palëve nënshkruese, për shkak se në këtë mënyrë do të sigurohej rikthimi i arit monetar vetëm në ato shtete që kishin pronësi të drejtpërdrejtë mbi të. Palët duhet ta kenë ditur se në shumicën e shteteve, monopoli i emetimit të parasë letër mbuluar nga një rezervë ari, u qe besuar bankave që zotëroheshin nga persona privatë në tërësi apo pjesërisht dhe që kishin personalitet ligjor të ndryshëm nga ai i shtetit. Ndërkaq, pozicioni francez që ari nuk i takon as Italisë dhe as Shqipërisë mund të linte të hapur pyetjen se kujt i duhej kthyer kjo sasi ari. Italia nuk e ka pasur kurrë nën pronësi këtë ar dhe ari nuk ka bërë pjesë kurrë në bilancet e ndonjë banke publike apo private italiane; Ai nuk qe ar monetar i Italisë. Në anën tjetër, megjithëse ari nuk qe nën pronësinë e Shqipërisë, ai mbulonte paranë letër të Shqipërisë dhe rrjedhimisht qe e lidhur dhe në funksion të Shqipërisë, pasi gjendej nën pronësinë e një banke që qeverisej nga ligji shqiptar dhe se kjo bankë kryente rolin e bankës qendrore në ekonominë financiare të Shqipërisë. Shqipëria qe dëmtuar seriozisht nga humbja e arit. Këto dhe fakte të tjera e vlerësime, sipas vendimit të arbitruesit, përcaktonin që floriri i takon Shqipërisë sipas kuptimit të Marrëveshjes së Parisit.

You may also like...