Arma Sekrete e Putinit

Njësia e shërbimit informativ ushtarak të Rusisë është përlot me vrasës, tregtarë armësh dhe banditë. Dhe ajo që kanë treguar së fundmi në Ukrainë është thjeshtë fillimi.

ukr475608111__

MARK GALEOTTI, Foreign Policy

Ka dy mënyra se si një agjenci spiunazhi mund të dëshmojë se është e vlefshme për qeverinë të cilës i shërben. Ajo mund të jetë qoftë me të vërtetë e vlefshme (mendo: gjetjen e vendndodhjes së terroristit më të shumëkuar), ose duke shkaktuar frikë, neveri dhe përgojim nga rivalët e vet (mendo: rasti kur kjo agjenci përmendet si një kërcënim madhor në Kongresin e Shteteve të Bashkuara). Por kur një agjenci spiunazhi i bën të dyja, atëherë vlera e saj është përtej çdo dyshimi.

Që kur filloi kriza e Ukrainës, Kremlini ka shumë pak dyshime dyshime mbi rëndësinë e GRU, aparatit të shërbimit informativ ushtarak të Rusisë. Agjencia jo vetëm që demonstroi se si Kremlini mund ta përdorë atë si një mjet të rëndësishëm në politikën e jashtme, duke copëtuar një vend me vetëm pak agjentë dhe shumë armë. GRU i tregoi gjithashtu pjesës tjetër të botës së si Rusia pret të luftojë në të ardhmen: me një përzjerje padukshmërie, mohimi, subversioni dhe dhune kirurgjikale. Edhe pse grupimet rebele të mbështetura nga GRU në Ukrainën lindore kanë humbur terren përballë forcave përparuese të Kievit, panorama gjeopolitike ka ndryshuar. GRU është kthyer në lojën botërore të spiunazhit me një manual të ri loje që do të përbëjë një sfidë të vërtetë për Perëndimin gjatë viteve të ardhëshme.

Vitet e fundit nuk kanë qenë dashamirëse për Drejtorinë e Përgjithshme të Inteligjencës së Stafit të Gjeneralëve Glavnoe razvedyvatelnoe upravlenie (GRU). Dikur thuhej se ajo qe agjencia më e madhe e informacionit të Rusisë, me stacione përhershme të njohura si “rezidenca” – nëpër ambasadat nëpër botë, rrjete të gjera agjentësh të fshetë si dhe nëntë brigada forcash speciale të njohura si Spetsnaz.

Nga fillimi i vitit 2013, GRU qe në fakt në gjendje të mjerë. Që nga viti 1992, agjencia ka patur detyrën e operacioneve në vendet post-Sovjetike zonat e pretenduara si sfera e vet e influencës nga Rusia, “near abroad.” Por presidenti i Rusisë Vladimir Putin duket se e ka parë këtë agjenci gjithnjë e më shumë të papërshtatshme për këtë qëllim. Kur Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), agjencia e sigurisë së brendshme të Rusisë, u lejua të fillojë operacione hapur jashtë vendit më 2003, një njeri i brendshëm më tha mua se kjo gjë ndodhi për shkak se “GRU nuk duket se di ndonjë gjë në lagjen tonë përveç aftësisë për të numëruar tanke.” (Ka gjasa që as këtë punë nuk e ka bërë shumë mirë. Putin e konsideroi GRU-në pjesërisht përgjegjëse për performancën jo të shndritshme të Rusisë në invadimin e Gjeorgjisë më 20008.) Pati një mendim të përgjithshëm në Moskë se përqendrimi i GRU-së në gung-ho “operacionet kinetike” të cilla si skuadrat paraushtarake të vrasësve dukeshin më pak të rëndësishme në epokën e luftës kibernetike dhe politikës së naftës.

Gabimet politike kontribuan gjithashtu në zvogëlimin e rolit të GRU. Valentin Korabelnikov, shefi i agjencisë nga viti 1997 deri më 2009, duket se ndjehej më rehat të shoqëronte skuadrat e vrasësve nga forcat Spetsnaz në Çeçeni se sa të luante politikë pallati në Moskë. Kritikat e tij ndaj reformave ushtarake të Putinit e vendosën atë në listën e njerëzve të pakëndshëm në sytë e Kremlinit. Korabelnikov u pushua më 2009 dhe u zëvendësua me Kolonel Gjeneralin Alexander Shlyakhturov, i cili doli shpejt në pension për shkak se përgjatë dy viteve u pa rrallë në selinë qëndrore të GRU-së për shkak të shëndetit të dobët. Në dhjetor 2011, GRU pati kreun e tretë në pothuajse tre vjet, Major Gjeneralin Igor Sergun, një ish atashe dhe oficer i shërbimit informativ pa eksperiencë në luftë si dhe kreu me gradën më të ulët i këtij shërbimi në shumë dekada. Nga fundi i vitit 2013, Kremlini dukej se po luante me sugjerimin që agjencia të shgradohet nga “Drejtori e Përgjithshme” në thjeshtë “drejtori”, gjë që do të kishte sjellë një goditje të rëndë për prestigjin dhe aksesin politik të këtij shërbimi.

Në shumë mënyra, shgradimi i GRU dukej i pashmangshëm. Që nga viti 20008, GRU pati vuajtur një seri shkurtimesh drastike gjatë një periudhe kur buxhetet e shumicës së agjencive të sigurisë dhe spiunazhit të Rusisë gëzuan rritje të vazhdueshme. Tetëdhjetë nga njëqind oficerët e rangut të gjeneralit të kësaj force u pushuan nga puna, dolën në pension apo u transferuan. Shumica e forcave speciale Spetsnaz u riemëruan te ushtria e rregullt. Rezidencat u zvogëluan në përmasa, në disa raste agjencia mbeti me vetëm, një oficer që punonte nën maskimin e atasheut ushtarak.

Dhe çfarë ndryshimesh mund të sjellin pak muaj. Ato që Kremlini i pati parë si kufizimet e GRU – përqendrimi te “fqinjët,” përqendrimi te dhuna më shumë se sa te finesa dhe një stil aventuresk (përfshirë gatishmërinë për të kryer vrasje jashtë vendit) – u bënë asete të çmuara.

Kapja pothuajse pa gjak e Krimesë në mars u bazua në plane të hartuara nga Drejtoria e Përgjithshme Operacionale e Stafit të Përgjithshëm, e cila u bazua shumë te të dhënat e grumbulluara nga GRU. GRU e pati vëzhguar imtësisht rajonin, pati parë forcat ukrainase me baza atje dhe pati përgjuar komunikimet e tyre.

GRU jo vetëm që siguroi mburojë për “njerëzit e vegjël të gjelbërt” të cilët lëvizën me aq shpejtësi për të kapur pikat strategjike në gadishull para se të zbulonin veten si trupa Ruse. Shumë nga operativët në terren qenë forca speciale Spetsnaz të GRU.

Ka një numër gjithnjë e në rritje provash se i ashtuquajturi ministër i mbrojtjes i Republikës Popullore të Donetskut, Igor Strelkov, emri i vërtetë i të cilit është Igor Girkin, është një oficer në shërbim apo në rezervë i GRU-së, i cili ka gjasa që së paku merr rekomandime, nëse nuk merr urdhëra, nga selia qëndrore e agjencisë. Për rrjedhojë, Bashkimi Europian e ka identifikuar atë si “staf” i GRU dhe e ka vënë në listën e sanksioneve. Megjithëse shumica e kryengritësve në Ukrainën lindore duket se janë ukrainas apo rusë “turistë lufte” – të inkuarajuar, armatosur dhe ndihmuar nga Moska – duket se ka edhe operatorë të GRU-së në terren duke ndihmuar për të sjellë armët dhe njerëzit përmes kufirit.

Vetëm kur Bataljoni Vostok u shfaq në Ukrainën lindore në fund të majit u bë e qartë rishfaqja e plotë e GRU-së. Ky grupim separatist mbart të njëjtin emër si njësia çeçene e sponsorizuar nga GRU që u shpërnda në vitin 2008. Kjo brigadë e re – e përbërë në shumicë nga të njëjtët luftëtarë nga Çeçenia – duket se shfaqen nga sgjëkundi, të armatosur në mënyrë uniforme dhe të transportuar me autoblinda.

Veprimi i parë i kësaj njësie qe kapja e ndërtesës së administratës në Donetsk, duke përzënëë kryengritësit e shkalafitur që kishin zënë zyra atu. Pasi qartësuan kredencialet si qeni më trupmadh i tufës, Vostok filloi të rekrutojë vullnetarë ukrainas për të zëvendësuar çeçenët të cilët me qetësi u rikthyen në shtëpi.

Alexander Khodakovsky, një dezertor nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës më vonë shpalli se qe komandant i bataljonit. Por kjo ndodhi vetëm disa ditë pas pushtimit të selisë qëndrore të Donetskut. Fakti është që bataljoni fillimisht komandohej nga përfaqësuesit e GRU. Vostok duket se nuk ka synim kaq shumë të luftojë forcat e rregullta ukrainase – megjithëse e ka bërë – por më së shumti të shërbejë si një zbatues i aftë dhe i disiplinuar i autoritetit të Moskës mbi milicitë nëse del e nevojshme.

Bataljoni Vostok e bën të qartë strategjinë e Moskës: Kremlini nuk ka dëshirë për një konflik të hapur ushtarak me fqinjët e vet. Në vend të saj, kërkohet një lloj “lufte jo-lineare” që po kryhet në Ukrainë, e cila përzjen forcën e hapur, disinformimin, presionin politik dhe ekonomik si dhe operacionet e fshehta. Dhe kjo ka gjasa do të jetë mjeti i parapëlqyer për të ardhmen. Dhe pikërisht këto janë llojet e operacioneve në të cilat GRU ka aftësi të shkëlqyera.

Në fund të fundit, ndërsa Moska nuk ka ndër mend të braktisë pretendimin e vet se është fuqi botërore, në të ardhmen e afërt politika e jashtme e Rusisë dukshëm do të përqendrohet në ndërtimin dhe ruajtjen e hegjemonisë së saj në Euroazi. Këto janë edhe zonat ku GRU është më e fortë. Për shembull, në Kazakistan, ku rajonet veriore të banuara rëndshëm me rusë janë një objektiv potencial për presesion të ngjashëm politik përmes minoriteteve vendëse, GRU është ofruesi kryesor i informacionit, ndërsa kundërpala e saj civile, SVR-ja, është teknikisht e ndaluar të veprojë në Kazakistan apo në çdo vend tjetër anëtar të Komonuellfit të Shteteve të Pavarura si pasojë e Deklaratës Alma-Ata të vitit 1992.

Kombinimi i këtyre faktorëve nënkupton se GRU tashmë duket shumë më rehat dhe me vetëbesim nga sa qe një vit më parë. Kievi ndaloi dhe përzuri atasheun detar nga Ambasada e Rusisë si një oficer i GRU-së dhe Sergun, kreu i GRU-së, ia doli të renditet te lista e zyrtarëve nën embargo nga Perëndimi. Por asnjë nga këto veprime nuk i kanë bërë ndonjë dëm agjencisë. Për më tepër, duket se ato kanë rritur prestigjin e GRU-së.

Bisedimet për degradimin e GRI-së tashmë mungojnë në Moskë. Rikthimi i prestigjit të agjencisë nënkupton se ajo është ende një lojtare e rëndësishme në luftën për territor mes agjencive sekrete të Rusisë. Më e rëndësishmja është që operacionet e GRU nëpër botë tashmë ka gjasa që do të zgjerohen sërish dhe do të rifitojnë një pjesë të tipareve të vjetra agresive.

Ringjallja e GRU demonstron gjithashtu se doktrina e “luftës jo-lineare” nuk është thjeshtë një përgjigje e atypëratyshme e situatës aktuale të Ukrainës. Kjo është mënyra se si Moska ka në plan të përparojë interesat e veta në botën e sotme. Pjesa tjetër e botës uk e ka kuptuar këtë deri tani edhe pse Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov ia përmendi këtë një gazete ushtarake ruse vitin e kaluar. Ai shkroi se një mënyrë e re lufte nënkupton “përdorimin e gjerë të masave politike, ekonomike, informuese, humanitare apo masave të tjera joushtarake… të plotësuara me mbeje ushtarake të karakterit të fshehtë,” pra me përdorimin e forcave speciale.

Ky lloj konflikti do të luftohet nga spiunët, komandot, hakerat, budallenjtë dhe mercenarët – ekzaktësisht llojin e operativëve që GRU ka në dispozicion. Edhe pas transferimit të shumicës së forcave Spetsnaz jashtë zinxhirit të drejtpërdrejtë të komandimit të GRU, agjencia sërish disponon foorca elitare speciale të stërvitura për vrasje, sabotazh dhe disinformim siç është treguar në Ukrainë. GRU ka demonstruar gjithashtu gadishmërinë për të punuar me një numër të madh rebelësh. Në Çeçeni, ajo ndërtoi jo vetëm Bataljonin Vostok por edhe njësi të tjera nga dezertuesit e guerilasve dhe bandiitëve. Tregtari i dënuar i armëve Viktor Bout në përgjithësi pranohet se ka qenë me kohë të pjesshme aset i GRU-së. GRU është më pak përzgjedhëse se sa shumica e agjencive sekrete mbi njerëzit me të cilët bashkëpunon, gjë që e bën më të vështirë të jesh i sigurtë se kush po punon për ta dhe kush jo.

NATO dhe Perëndimi nuk kanë ende përgjigje efektive ndaj këtij zhvillimi. NATO, një aleancë ushtarake e ndërtuar për t’iu përgjigjur agresioneve të hapura apo të fshehta, sakaq e ka parë veten të humbur në mënyrën se si duhet të përballet me sulmet virtuale, të tilla si sulmi kibernetik mbi Estoninë në vitin 2007.

Rigjallërimi i fatit të GRU premton një të ardhme në të cilën kërcënimi i Luftës së Ftohtë me tanke që kalojnë kufirin është zëvendësuar nga një lloj i ri lufte, që kombinon dredhitë, kultivimin e kujdesshëm të aleancave vendore dhe sulme të fshehta me Spetsnaz për të arritur objektivat politikë të Kremlinit. NATO mund të jetë më e fortë në terma të prerë ushtarakë, por nëse Rusia arrin të hapë një ndarje politike në Perëndim, të zbatojë operacione të mohueshme duke përdorur trupa luftëtarë të palëve të treta duke duke shënjestruar individë apo objekte strategjike, nuk ka më rëndësi se kush ka më shumë tanke apo kush ka avionë lufte më të mirë. Kjo është ekzaktësisht ajo që GRU është e përgatitur të bëjë.

You may also like...