Armë kimike dhe dy mijë leka për votë

Gjergj Erebara

Refuzimi i shqiptarëve për armët kimike të Sirisë duket se ka dy arsye kryesore: frikë dhe poshtërim. Ne shqiptarët jemi të frikësuar për potencialin vdekjeprurës që pritet të marrim, potencial që vende shumë më të zhvilluara se ne nuk e marrin. Ne shqiptarët jemi edhe të poshtëruar dhe të fyer sepse roli ynë në paqen botërore po shpërblehet duke na dhënë nderin të bëhemi koshi i plehrave që vende shumë më të zhvilluara, nuk i pranojnë.

Në anën tjetër, kemi politikanët. Ata kanë një ekuacion më të thjeshtë. Franca, Gjermania, e vende të tjera i kanë kapacitetet për t’u marrë me armët kimike të Asad, pasi janë marrë prej dekadash me armët kimike të vetat. Por këto vende kanë edhe popull votues. Dhe asnjë politikani nuk i shkon ndër mend të zemërojë popullin e vet.

Ndryshe është puna te Shqipëria. Këtu politikanët nuk kanë popull. Askujt nuk ia ndjen për votuesit. Dy mijë leka mjaftojnë për të zëvendësuar një shqiptar. Rrjedhimisht, avantazhi ynë krahasues me Francën, Britaninë e vende të tjera, nuk qëndron te asgjë tjetër veç faktit që shqiptarët si votues dhe individë, nuk kanë kurrfarë rëndësie për politikanët.

Meta, i gëzuar shumë tha “pjo” kur u pyet se çfarë mendonte. Ai e ka në dorë që t’i flasë shqiptarëve as mish e as peshk dhe t’ia lërë në dorë koston politike të gjithën Ramës. E ashtuquajtura Opozitë, e cila është aktivizuar në këto kohë kundër helmeve, duket se ka qejf veçanërisht që armët kimike të vijnë, por ata të dëgjohen nga shqiptarët sikur janë kundër, e të shajnë Ramën si përgjegjës. Ata nuk janë të shqetësuar se erdhën armët kimike apo jo.

Ky pra është thelbi i problemit. Dhe zgjidhja. Nëse kryeministri ynë do të ndjente ndonjë detyrim përballë votuesve të vet dhe jovotuesve, do të merrte mundimin të dilte e të sqaronte. Fjala e parë nga qeveria për këtë çështje, apo konfirmimi, u dha në Francë, jo në Shqipëri.

Dhe ndërsa shqiptarët të tmerruar shohin nga ai për sqarime, ai njofton se ka folur në telefon me Amerikën. Nuk bëhet e ditur se çfarë ka folur, por lajmi është që “ka folur”. Ne kaq duhet të na mjaftojë.

Armët kimike që siç duken bathët, do të vijnë në Shqipëri, së paku po na bëjnë një gjë të mirë. Po na tregojnë edhe një herë rolin tonë si popull përballë udhëheqësve tanë. Për sa kohë vota shitet për 2 mijë leka dhe ne nuk kemi dalë ende ta linçojmë publikisht blerësin, ne do t’i hamë armët kimike çdo ditë, deri sa të vdesim.

You may also like...