Arsyet ekstraligjore të arrestimit të Doshit dhe Frrokut

Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë një seri arsyesh që nuk lidhen ngushtësisht me ligjin në kërkesën që i dorëzuan Kuvendit të Shqipërisë për të marrë leje për arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Kërkesa e argumentuar e Prokurorisë është zyrtarisht sekret, por ajo ka rrjedhur në të gjitha mediat kryesore. Ne po ju japim bruto pjesën e fundit të arsyetimit, pasi besojmë se nuk duhet humbur. Aty prokuroria argumenton se arrestimi është i nevojshëm, mes të tjerash, për të mbrojtur imazhin e Metës, të Kuvendit dhe të institucioneve kryesore të shtetit si dhe për të bindur ndërkombëtarët se Meta nuk urdhëron vrasje.

“Krahas rrezikshmërisë shoqërore së veprave të paraqitura më !art, hetimi i këtij rasti vlerësojmë se ka një rëndësi specifike, ndër të tjera, edhe për imazhin e institucioneve shqiptare përballë opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Pretendimet e paraqitura në media lidhur me tentativën për vrasje së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë krijuan një klimë aspak pozitive ne opinionin publik për rendin dhe sigurinë publike në vend. Gjithashtu, u konstatua rritje e ndjeshme e interesit të shprehur publikisht nga ana e autoriteteve ndërkombëtare që asistojnë dhe mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian, për hetimin e plotë, të shpejtë dhe të gjithëanshëm të rastit në fjalë.

Krahas detyrimit kushtetues dhe ligjor për hetimin dhe ndjekjen penale, Prokuroria Shqiptare, e vlerëson këtë rast me rëndësi prioritare, për të siguruar opinionin vendas dhe partnerët ndërkombëtarë se përfshirja e drejtuesve të institucioneve më të larta shtetërore në skenarë vrasjesh, si në rastin në hetim, nuk ka prova se është reale.

Nga ana tjetër, Prokuroria vlerëson se ndaj deputetit Frroku, për të cilin ka dyshime të bazuara në prova se është një nga organizatorët e inskenimit të tentativës së vrasjes, është e nevojshme aplikimi i masës së arrestit. Kjo, për të dëshmuar forcen e institucioneve ligjzbatuese, në rastet kur vihen përballë sfidave të integritetit dhe profesionalizmit.

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, për të cilin Prokuroria ka paraqitur kërkesën për autorizim për arrestim, heqje lirie dhe kontroll personal dhe banese, vlerësojmë se me veprimet e tij të dyshuara, ka cenuar imazhin e institucionit ku ushtron funksionet e tij, si edhe të autoriteteve shqiptare në përgjithësi. Për këtë arsye, e konsiderojmë të nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të mbështesë kërkesën e Prokurorisë, për të dëshmuar para opinionit publik vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë se forca e ligjit është njëlloj për të gjithë personat që kryejnë vepra penale”.

Për lexim të plotë, mund të shkarkosh kërkesën në formatin PDF.

 

You may also like...