Banka e Spermës kërkon donatorë në Kinë: Vetëm Komunistët e Mirë Lejohet të Aplikojnë

NYJavier C. Hernández, The New York Times 13 prill 2018

Nuk lejohen tullacët. Nuk lejohen ata që kanë sëmundje të trashëgueshme si ata që janë daltonikë. Dhe nëse ka ndonjë dyshim për këtë punë, një bankë sperme në Spitalin e Tretë Universitar të Pekinit sqaroi: vetëm burrat e mirë me dashuri të përkushtuar për “mëmëdheun socialist” duhet të aplikojnë.

Përpjekja e presidentit të Kinës Xi Jinpung për të restauruar rolin e Partisë Komuniste në jetën e përditshme në Kinë ka sjellë banderola socialiste nëpër rrugët e qyteteve, muzikë nacionaliste nëpër valët e radiove dhe heronj patriotikë nëpër prodhimet e kinemasë kineze. Tani z. Xi ka frymëzuar edhe një test të ri për besnikërinë ndaj partisë – riprodhimin.

Reklama e publikuar nga banka e spermës në spital, e cila qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit, renditi mbështetjen për Partinë Komuniste dhe z. Xi si kërkesa kryesore për donatorët potencialë.

“Ai duhet të ketë mendime të mira ideologjike,” shkroi reklama për të përshkruar donatorin ideal, “dashuria për mëmëdheun socialist dhe mbështetja për udhëheqësinë e Partisë Komuniste të Kinës.”

Burrat që plotësojnë kushtet për të dhuruar mund të fitojnë deri në 5 mijë renminbi, rreth 800 USD, sipas reklamës. Rreth 19% e aplikimeve pranohen, sipas një raporti në media të vitit 2016.

Reklama, e cila u tall shumë në median sociale, më vonë u hoq.

“Dashuria për atdheun dhe partinë fillon nga sperma,” shkroi me sarkazëm një përdorues i rrjetit social Weibo, një faqe interneti mikroblogjesh.

Shumë komentatorë vunë në pikëpyetje bazën për vendosjen e këtij kriteri. Reklama shtonte se donatorët duhet të ishin njerëz që i binden ligjeve “të ndershëm dhe të drejtë” dhe të pastër nga “problemet politike.”

“Ku është prova shkencore për këtë?” shkroi një përdorues tjetër i Weibo.

Një anëtar i stafit të spitalit refuzoi të komentojë.

Kërkesa e Xi për besnikëri të patundur ndaj partisë njihet se ka nxitur veprime tepër të zellshme nga zyrtarë të etur për të dëshmuar devocionin e tyre. Kritikët thonë se z. Xi po nxit një rikthim te kulti i personalitetit i paparë që nga koha e Mao Cedunit (Zedong).

Nën qeverisjen e Xi, zyrtarët e qeverisë kanë folur gjithashtu shpesh edhe për nevojën për të ngulitur të ashtuquajturin “genin e kuq” në gjeneratat e reja, një referencë për vijimin e traditës komuniste.

William A. Callahan, një profesor në marrëdhëniet ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës, tha se reklama reflektonte përpjekjet e Xi për të ngatërruar shkencën me ideologjinë.

“Nacionalizmi dhe socializmi po përzihet në një mënyrë të veçantë për të promovuar identitetin kinez si një çështje trashëgimie gjaku,” tha ai. “Njoftimi i bankës së spermës tregon se si partia po dominon gjithnjë e më shumë politikën kineze dhe se si nacionalizmi po përkufizohet gjithnjë e më shumë si pastërti race.”

Reklama vjen në një kohë kur bankat e spermës në Kinë po përballen me presion për të tërhequr donatorë, për shkak se më shumë njerëz duan të kenë një fëmijë të dytë pas lehtësimit të politikës me një fëmijë. Vendi përballet me presion të madh për të rritur forcën e vet të punës për shkak se popullsia po plaket dhe disa banka sperme kanë filluar të përdorin gjuhë patriotike për të nxitur të rinjtë të dhurojnë.

Disa ishin skeptikë për rëndësinë e reklamës, duke vërejtur se ky ngjan si një rast i izoluar.

Hu Xijin, redaktor në Global Times, një gazetë nacionaliste në kinë, tha se reklama ishte “qesharake” dhe dukej se synonte të shkaktonte raportime kritike në media.

“Udhëheqësit e këtyre llojeve të organizatave që bëjnë këtë lloj aksidenti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen,” Hu shkroi në një postim në Weibo.

You may also like...