Baza e braktisur e armëve më të rrezikshme të botës

Copy of WP_20131103_005Reparti i famshëm për armët kimike të ushtrisë shqiptare prapa Dajtit, ku ndoshta mund të përfundojnë armët e Asad, është sot praktikisht një zonë e braktisur, pa roje, ku çdo kureshtar mund të hyjë pa problem

Reportazh

Gjergj Erebara

Pesë vjet më parë, kur shkova prapa Dajtit në vendin e quajtur Qafëmollë, thjesht për shëtitje, disa kilometra pas Qafës së Priskës gjendej një postbllok ushtrie shumë i rreptë. Ushtarë të armatosur qëndronin te kulla e kontrollit, tabela “Ndalohen Fotografitë” ishte e dukshme nga të gjithë dhe rojet e bënin të qartë se ndalimi qe i vërtetë.

Ishte e pazakontë të hasje një bazë ushtarake kaq serioze në Shqipëri dhe serioziteti imponohej nga një arsye e shëndoshë. Ajo ishte baza e demontimit të armëve kimike të ushtrisë shqiptare.

Sipas historisë, më 2002, qeveria shqiptare deklaroi se kishte zbuluar një sasi armësh kimike, afërsisht 16 tonë. Ajo nuk e dinte se kur ishin blerë apo marrë nga qeveria shqiptare këto helme. Sa për krahasim, arsenali i Asad ka 1300 tonë. Helmet e Asad janë shumë, shumë më moderne dhe të rrezikshme se ato që kishte siguruar regjimi komunist shqiptar.

Një senator amerikan këmbënguli që SHBA të financonin eliminimin e këtij stoku. U shpenzuan 38 milionë dollarë dhe helmet u neutralizuan. Por, thuhet se mbetën mbetjet, të cilat gjenden ende në Qafëmollë të magazinuara për t’u mbajtur të sigurta.

Dje, me mendimin se baza e Qafëmollës ishte po aq serioze sa imponohet nga këto armë të frikshme, të afta për të shkaktuar dëme mizore mes njerëzve dhe mjedisit, shkova sërish atje për të parë se çfarë po ndodh në vendin që sipas të gjitha gjasave, mund të jetë destinacioni final i arsenalit të diktatorit Bashar al-Asad të Sirisë. Rruga për atje kalon doemos përmes Tiranës. Pra armët kimike, në rast se do të duhet të mbërrijnë në Shqipëri nga deti apo nga ajri, do të kalojnë në të gjithë kryeqytetin shqiptar para se të ngjisin Dajtin. Rruga e Dajtit ishte një nga ato të shumtat rrugë elektorale. Nisi të ndërtohej dhe vijon të jetë në ndërtim megjithëse puna është ndërprerë.

Baza ushtarake e armëve kimike, ku thuhet se vijojnë të jenë të magazinuara mbetjet e kimikateve të demontuara shqiptare, nuk e ka më seriozitetin e pesë viteve të shkuara. Atje nuk ka asnjë roje. Kur them asnjë, do të thotë asnjë, zero. Te kulla e kontrollit në hyrje të bazës ku dikur kishte ushtarë të armatosur, tashmë ka vetëm një grafit elektoral ku shkruhet “Sala 1”.

Trau i postbllokut është ndryshkur. Kalojmë postbllokun e parë, pastaj të dytin, ecim disa dhjetëra metra dhe mbërrijmë te pjesa kryesore e bazës. Nga numri i postblloqeve që tashmë janë thjesht trarë hekuri të ndryshkur, mund të imagjinohet se sa të ashpra kanë qenë kushtet e sigurisë dikur këtu.

Shohim se mos na ndalon ndokush të fotografojmë një bazë të rëndësisë së veçantë, por jo! Nuk është askush. Tabelat që paralajmërojnë për “Bazë Ushtarake” dhe “Ndalohet Hyrja” janë ndryshkur, shkronjat janë shuar. Nga larg duket platforma e betonit, kontejnerët dhe fuçitë. Prania e përhershme e një makine zjarrfikëse dhe një autoambulance janë shenjat e vetme që sugjerojnë që vendi është nën një rrezik të vazhdueshëm dhe se kushtet e sigurisë duhet të jenë të larta.

Por këto kushte sigurie dukshëm nuk ekzistonin dje, megjithëse vëmendja e shqiptarëve është kthyer nga ai vend prapa Dajtit ku mund të zbrazen dhjetëra dhe qindra tonë lëndë kimike të tmerrshme, për t’u demontuar dhe ku ndoshta do të duhet të magazinohen mbetjet e tyre për dhjetëra dhe dhjetëra vite.

“Është si të shohësh Gërdecin para shpërthimit”, komenton njëri nga vizitorët si për humor të zi.

Mungesa e rojeve në një bazë të tillë tregon se sa të papërgatitur jemi ne si shtet për të ndërmarrë një aventurë të tillë, pranimin e armëve kimike të të tjerëve si pjesë e “detyrimeve” tona të të qenët pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Shkuam për të takuar njerëz në zonë, për të folur me rojet, për të treguar se si vite pas çmendurisë komuniste dhe vite pas çmontimit të armëve kimike, vendi vijon të mbetet i rrezikshëm dhe në nevojë për roje të vazhdueshme. Në fakt, rrezikun e ndiem. Mbi platformën e betonit të demontimit dukeshin ende fuçitë dhe kontejnerët. Por praninë e ushtrisë së një vendi anëtar të NATO-s, i cili ka dërguar misione të konsiderueshme ushtarake në Afganistan, Irak e vende të tjera të nxehta… këtë ushtri nuk e pamë.

Mungesa e rojeve në një bazë të tillë tregon se sa të papërgatitur jemi ne si shtet për të ndërmarrë një aventurë të tillë, pranimin e armëve kimike të të tjerëve si pjesë e “detyrimeve” tona të të qenët pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut

You may also like...