Besimi paradoksal
A kishte persona që e besonin se qeveria do të mbante premtimet e lëshuara në program?! Jam i bindur që askush prej nesh nuk ka besuar në gënjeshtrat në formë premtimesh që qeveria ka paraqitur në program. Me një logjikë të ftohtë po të lexoje programin e PS arrije të kuptoje se ai qe as mish dhe as peshk, për ta kuptuar këtë program mjafton të shohim premtimet emblematike të deputetit të Peqinit (Alfred Peza) përpara mbështetësve të tij. Një situatë humori që shoqërohet me të qeshura dhe të ngrehura.
Xhabyni
Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vendin tonë, janë përsëritja e vazhdueshme e dështimeve të njëpasnjëshme të qeverive tona jo vetëm për të zgjidhur ngërçin në të cilin ndodhemi por edhe të bërit qoftë edhe një vepër të mirë për shoqërinë. Megjithëse, siç më tregonte dikush sot, kur erdhi mazhoranca e majtë në pushtet jo pak njerëz ndjenjë një farë lirimi nga një shtrëngim që i kish kapur fytin. Si mund të shpjegohej ky çlirim nga një shtrëngim kur në fund të fundit zhgënjimi i sotshëm është i ngjashëm me gjendjen e djeshme?! Pyeste me të drejtë bashkëbiseduesi.
Ndjesinë që bashkëbiseduesi e shprehte gjatë bisedës e kemi ndjerë në këto 25 vite tranzicion ku sa herë kemi patur një ndryshim të mazhorancës pas 8 viteve pushtet (apo një pushteti të gjatë dhe të lodhshëm). Vjen natyrshëm ajo lehtësi, vjen prej asaj mbytjeje që një pushtet jashtëzakonisht i korruptuar në 8 vite e ka fshikulluar pa fund qytetarin e thjeshtë aq sa është bërë i padurueshëm. Kështu, qe pushteti i Nanos nga 1998-2005 e kështu qe pushteti i Berishës nga 2005-2013 e me shumë gjasa kështu do të jetë edhe pushteti i Ramës.
Atëherë pse kjo mbytje që në fillim?! Arsyet e kësaj mbytjeje të qytetarëve vijnë jo vetëm si meritë dhe krenari e Ramës dhe qeverisë së tij. Ajo, më së pari, vjen si një akumulim i vazhdueshëm i një sistemi i cili duket se ka arritur në një pikë që nuk po i jep më zgjidhje paradigmave dhe ngërçeve që ka ndërtuar deri më tani. Gjithashtu, mazhoranca e sotme nuk ka mundur dot të bëjë atë që mazhoranca Berisha kreu në vitet e para të mandatit. Asokohe, falë edhe një pushteti që nuk e ndau me shumë parti të fuqishme (përjashto Xhuvelin që ishte parti-individ) Berisha u tregoi për gjashtë muaj dhëmbët të gjithë atyre që ishin deri më dje të lidhur me Nanon. U mundësoi atyre që të kalonin disa kohë në Purgator për të larë gabimet e tyre dhe më pas ngadalë e ngadalë i futi në kllapën e tij.
Këtë fat, Rama nuk e ka kjo edhe për faktin se gjysma e qeverisë së tij është e përbërë nga ish ministra që kanë qenë në qeverinë e shkuar të Berishës. Madje, vetë kryetari i partisë kryesore aleate ka qenë i përfshirë në skandalin e famshëm të 700 mijë eurove. Prandaj, si të themi, Rama e ka më të thjeshtë por njëkohësisht më të vështirë për të kalëruar një sistem ku jo vetëm ka gjetur përfituesit por edhe mënyrën se si duhet operuar. Pikërisht ky sistem i mirë ngritur është garanti që në vendin tonë gjërat të ecin gjithnjë e më keq. Shoqëruar edhe me një krizë ekonomike që jo vetëm po e thellon varfërinë edhe pamundësinë e shqiptarëve për të mbijetuar por edhe po varfëron akoma më tej propagandën qeveritare në plotësimin e premtimeve të tyre.
A kishte persona që e besonin se qeveria do të mbante premtimet e lëshuara në program?! Jam i bindur që askush prej nesh nuk ka besuar në gënjeshtrat në formë premtimesh që qeveria ka paraqitur në program. Me një logjikë të ftohtë po të lexoje programin e PS arrije të kuptoje se ai qe as mish dhe as peshk, për ta kuptuar këtë program mjafton të shohim premtimet emblematike të deputetit të Peqinit (Alfred Peza) përpara mbështetësve të tij. Një situatë humori që shoqërohet me të qeshura dhe të ngrehura.
Premtimet e mazhorancës aktuale të kujtonin pak a shumë premtimet e Bashës kur erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës. Të pyesje qytetarët e Tiranës nëse besonin tek ajo çfarë premtonte Basha ato në shumicë (përjashto ndonjë militant) do të përgjigjeshin se Basha nuk do të mbante asnjë premtim. Të gjithëve Trami i Bashës apo 30 mijë vendet e reja të punës u dukeshin një barsoletë, siç edhe 300 mijë vendet e punës së Ramës apo Shqipëria Lider në Turizëm. Por atëherë përse ne i votojmë edhe i besojmë këto gënjeshtar që rreken të ndërtojnë një Shqipëri tjetër nga ajo që realisht ndërtojnë?!
Përgjigja e kësaj pyetje lidhet, sipas meje, me atë që Baudrillard e quan “besimi paradoksal”. Pikërisht ky lloj besimi është ajo që ndodhet në themelin tonë si shoqëri, ne e dimë qartësisht që të gjithë gënjejnë dhe pranojmë të gënjehemi pasi nuk i besojmë dot gënjeshtrës së palës tjetër. Në pak fjalë besimi jonë nuk është në vetvete besim por është gënjeshtër sepse nuk mund t’i besosh një gënjeshtre dhe kjo rrjedhimisht sjell atë paradoksin.