Blog: 15 vitet në shtet e privat të cilat s’më dhanë arsim

Ç’menzë qesharake ku na ushqyen me përdhunë e s’na mësuan si të gatuanim vetë!

Ivana Dervishi

BLOG

255407_361668357255078_1177304067_nKëtë vit bëj 15 vite që nxë dhe më duket sikur e vetmja gjë që kam mësuar deri më tani dhe për të cilën jam kalitur deri diku është zgjimi në orën 7 të mëngjesit. Procesi i të nxënit prezumon se në këtë mes ka diçka të boshatisur dhe kjo ishte e mbetet mendja e atyre që më bykosën me (pa) dije.

Ndalova së besuari në sistemin arsimor nga fundi i vitit të 12, kur pashë se kërkesat e mia të edukimit dhe kushtet e  ofruara nga universitetet ishin dy ekstreme të të njëjtit qëllim por të mjeteve të ndryshme.

Çdo ditë që i drejtohesha shkollës me çantën në shpinë nuk e kuptoja që pesha që më rëndonte nuk ishte ajo e dijes, por graviteti i dështimit të shkollimit si një i tërë në Shqipëri. Mësuesit e mi kanë qenë të shumtë dhe të ndryshëm, disa i kisha frikë, të tjerë i respektoja, por asnjërin syresh nuk e mendoja njerëzor.  Sot nuk mbaj mend asnjë nga mësimet që ata recitonin, por më kujtohen mirë se cilët ishin. Matematika një Njuton i ngrysur. Biologjia një specie e dështuar. Letërsia poezi e çthurur.. Historia regjim i rreptë diktator. Fizika një trup i rëndë jo në vend të vet. Gjeografia rrymë ajrore pa drejtim.

Kur i hyra e detyruar sistemit privat të shkollimit, mësova shumë mirë matematikën, sepse më duhej të llogarisja saktë paratë e shumta dhe ditët që do më duhej t’i nxirrja. Megjithatë dëshira e profesorëve për të shtypur të paditurit e tyre ishte blerë me euro, ata ishin tanimë të qeshur, moskokëçarës, herë-herë edhe shakatarë.

Disa madje mendonin çuditërisht se ishin përzgjedhur anëtarë të jurive të konkurseve të bukurive të fëmijëve të prindërve të kamur, dhe nxirrnin 10 pikë për flokët kaçurrelë e biondë, 9 pikë për flokë të gjatë të zakonshëm, e me zemërgjerësi 8 pikë për shoqërueset e miseve në formë inkurajimi.

Kishte, nuk mund ta mohoj, edhe nga ata që merrnin kurorat e ‘edukimit’ nga presidentët e shkollës, të cilët kur na shihnin korridoreve dhe nëpër shkallët e veshura me tapet të kuq, na respektonin si klientë të cilëve u japin një produkt që asnjëherë nuk do t’u hyjë në punë. Sepse thellë-thellë edhe ata vetë na shpërfillnin dhe donin të na tregonin se ne shkollë nuk kishim, por kishim para.

Nuk besoj se kjo e fundit ishte një e vërtetë absolute. Unë nuk kisha para, as të tjerë nuk kishin, ne që NUK kishim shkonim të mësonim sesi bëheshin paratë,  të tjerë bënin para duke mos ardhur. Por nuk qaheshim sepse shokët tanë te shtetërorët na tregonin për profesorë që shpallnin çdo fillim viti tenderin e rikonstruktimit të shtëpisë dhe paratë i nxirrnin pa vështirësi gjatë sezoneve të provimeve.

Një herë te Mjekësia ishte kapur një pedagog që merrte para, ia kishin tërhequr veshin dhe e kishin ngritur në detyrë. “Ju jeni kalimtarë, ne jemi Zotat e Olimpit të Arsimit të Shqipërisë”, përqeshnin ata teksa notat, ndryshe nga ne të konkurseve private të bukurisë, ua vinin studentëve sipas mendjemadhësisë.

562636_10151396916643061_2140033993_nPo bëja notin e pushimeve të verës kur mësova se universiteti im ishte mbytur. Shkova te Titaniku (i vockël) të cilit i kisha hipur për të kaluar nga injoranca në dituri. Morëm shpejt e shpejt jelekët e shpëtimit dhe ia mbathëm në ‘titanë’ të tjerë, me të tjera bileta në duar, ku na bënë një ‘matje’ siç i bëhej atëherë të prekurve nga kolera.

Një traget më i madh për të na kaluar në Bregun e Aftësisë. Një traget me të njëjtët njerëz, por me emra të ndryshëm; këtu kishte edhe klasa: të pasurit, miqtë, të talentuarit, reklamuesit, normalët dhe rrotabiskotat.

Pjata të ndryshme, i njëjti gatim.

Disiplina ishte një çështje e shumëlakuar ku i akuzuari për vjedhje mësonte drejtësi. Ku studenti i thotë profesorit ‘mos i hy asaj valle se nuk më nxjerr dot mua përjashta’ dhe seria mbaron me profesorin që shtyhet nga salla si të jetë një fletë ku ndodhet një formulë e rëndësishme shkence, por që mund të griset pasi e gjen në çdo libër.

“Nuk jemi të gjithë të korruptuar” thonë profesorët e mi që punojnë në dhënien e drejtësisë, por vijnë të na mësojnë me kostume firmato, parfume të shtrenjta dhe celularët e modelit më të ri. Ata zbresin nga makina luksoze në parkimin e tejmbushur me automjete që kalojnë buxhetin e shtetit.

Edhe një vit më ka mbetur… fundin e të cilit e pres me padurim, sepse më në fund do mund të filloj ta kërkoj vetë diturinë pa rrjeta imagjinare fluturash ku mbetën vetëm miza mendimesh që bëjnë veç zhurmë. Vjeshtën tjetër do kem në duar një libër, prej të cilit do dua vërtetë të mësoj dhe të cilin do e mbaj mend për veten, jo për notat e shpëlara të një pseudoprofesori.

Më kujtohet dita e parë e shkollës, kur shikoja atë ndërtesë të madhe, e mbushur me naivitet dhe dëshirë për të kaluar në anën tjetër të bregut, por nuk ka breg, nuk ka anë, e gjitha kjo është një pellg kotësie. Është një lojë librash e boje që nuk ka fitimtar, vetëm të humbur, të humbur me diploma. Ç’menzë qesharake ku na ushqyen me përdhunë e s’na mësuan si të gatuanim vetë!

You may also like...