Bosnja patriarkale mbyll sytë para artit feminist

Një grusht artistësh përpiqen të përhapin vizionin feminist të artit në Bosnjë por shumë e gjejnë më të lehtë të fitojnë famë jashtë vendit se sa në shtëpi. 

Ina Cano, artiste nga Sarajeva pati së fundmi ekspozitën e saj të parë në qendrën e informimit të Bashkimit Europian | Foto: Amina Hamzic

Ina Cano, artiste nga Sarajeva pati së fundmi ekspozitën e saj të parë në qendrën e informimit të Bashkimit Europian | Foto: Amina Hamzic

Në qendrën e informimit të Bashkimit Europian në Sarajevë, një ekspozitë në grup u hap më 9 mars me temë “Gratë në Botën e Artit”.

Siç ndodh zakonisht në rastet e shfaqjeve të artisteve në Sarajevë, edhe kjo ekspozitë u hap pa ndonjë promovim mediatik të veçantë dhe me audiencë të përbërë më së shumti nga miqtë dhe familjarët e dhjetë artisteve pjesëmarrëse.

Pikturat, skulpturat, fotografitë dixhitale dhe vizatimet që trajtonin trupat e grave, të drejtat dhe idetë u injoruan në përgjithësi nga vetë skena e artit në Bosnjë.

Skulpturat e trupave femërorë të bëra me dru, këpucë grash dhe piktura trupash lakuriq që duken si Venusi i Vilendorfit tërhoqën shumë pak diskutime mes audiencës së vogël apo pyetje nga gazetarët e paktë.

Deri sa ekspozita u mbyll më 18 mars, vetëm një grusht vizitorësh erdhën për ta parë atë.

Mes veprave që mbeten të panjohura për publikun janë fotografitë dixhitale të Ina Cano, një artiste e re multimediale për të cilën kjo qe ekspozita e parë.

Ajo i përpoq të krijonte një këndvështrim feminist të biomekanikës, manifakturës dhe pjesëve artificiale të trupit. Koleksioni i saj me foto dixhitale të nxjerra në ekspozitë, i quajtur “Lartësohem”, prezantonte një grua lakuriq të ndërthurrur dhe përqafuar në një formë të çuditshme dhe fantastike të zgjatur.

Ideja qe që trupi i gruas është gjithmonë i lidhur me zgjatime fantastike në formën e flokut apo pajisjeve mekanike.

Lartësohem”, siç sugjeron dhe emri, përfaqëson ngritjen, zhvillimin dhe triumfin e trupit femëror.

Por ajo nuk mund të bëjë shumë për të rritur ndërgjegjësimin mbi veprën e saj për shkak se as audienca e vendit dhe as autoritetet nuk kanë shumë interes në çështjet e feminizmit, gjë që do të thotë se mundësitë për të ekspozuar dhe për të gjetur financime për produksion janë të pakta.

“Asnjë zyrtar nuk e thotë publikisht se ai nuk është i interesuar në çështje feministë por ai nuk do të vijë në një ekspozitë të tillë dhe as nuk do të ndajë ndonjë buxhet mënjanë për ekspozita si kjo,” thotë Cano.

Ajo është një nga shumë artistet e skenës artistike të Bosnjës e cila në mënyrë këmbëngulëse merret me çështje gjinore por që veprat e së cilës kalojnë gjerësisht pa u vënë re në vetë mjedisin e saj.

Artiste si ajo dhe grupe të tilla artistesh vuajnë në Bosnjë përballë fatit jo vetëm për të nxjerrë jetesën me artin e tyre por edhe për të fituar njohjen nga shoqëria për misionin e tyre – ndryshimin e pozicionit dhe perceptimin mbi gruan në këtë vend.

Performancë me art trupor nga Nela Hasanbegovic e quajtur “Postscriptum”, 2008 | Foto kortezi e autores

Performancë me art trupor nga Nela Hasanbegovic e quajtur “Postscriptum”, 2008 | Foto kortezi e autores

Terren i ashpër për feminizmin:

Luftëtarja më jetëgjatë e çështjes feministe në Bosnjë është shoqata Crvena (E kuqe).

E themeluar më 2010, ajo ka arritur sukses ndërkombëtar dhe mirënjohje jashtë vendit. Por anëtarët e saj kanë gjithashtu të njëjtat probleme si Cane kur vjen puna për të organizuar ekspozita në shtëpi.

Adela Jusic, anëtare e skuadrës operacionale të Crvenas, thotë se audienca vendëse është më e tërhequr nga ngjarjet komerciale se sa ato që janë të lidhura me çështje të identitetit.

“Festivalet folklorike, ekspozitat e kaligrafisë dhe aktivitete të tjera kulturore të lidhura me etninë, religjionin e forma të tjera të identitetit, të cilat vendi im nuk arriti t’i kapërcejë pas lufte, tashmë prezantojnë rrymën kryesore në Bosnjë ndërsa arti i pavarur nuk mund të marrë mbështetje nga institucionet apo media,” ankohet ajo.

Megjithëse ato kanë aplikuar për fonde më herët, këtë vit është i pari vit, thotë Jusic kur Crvena mori 3 mijë euro nga shteti.

Por kjo shumë nuk është e mjaftueshme për të pasur ndonjë ndikim real mbi trajtimin e problemeve të artistëve feministe.

Në vitin 2011, shoqata aplikoi për financime te Ministria e Kulturës dhe Sportit e Federatës për një projekt të Bashkimit Europian, Feria de Fronteras. Në fund ajo u financua nga BE me Crvena si një nga organizatat partnere.

Jusic thotë se sigurimi i fondeve shtetërore nuk është problemi i vetëm. Artistët e pavarur, të cilët si ajo nuk janë të punësuar në institucionet e artit dhe jetojnë nga ajo që krijojnë dhe shesin, nuk kanë pensione, sigurime shëndetësore apo eksperiencë zyrtare pune.

Ka një listë me rreth 100 artistë individualë për të cilët shteti paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Kjo listë është bërë së fundmi objekt skandali për shkak se disa artistë gjendeshin si përfitues nga buxheti i shtetit pavarësisht se aktiviteti i tyre artistik përgjatë viteve të fundit qe shumë i paktë.

Për të mbijetuar nga arti i saj, Jusic duhet të shesë veprat e saj në tregjet e huaja dhe të marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare.

Por ajo nuk arrin të fitojë shumë në këtë mënyrë dhe shpesh gjendet në mungesë të nevojave bazë për të blerë materialet për të cilat ka nevojë për të prodhuar punët e saj.

Një nga temat që e ka angazhuar atë është krahasimi i pozicionit të grave në epokën Socialiste me kohën tonë.

Shumë vepra të Jusic e kanë çuar atë nëpër ish-Jugosllavi si dhe në Shqipëri për të ekzaminuar ndryshimet në të drejtat e grave nga koha Socialiste deri më sot.

Vepra “Na tregoni diçka mbi jetën tuaj të re” flet se si gratë e Shqipërisë nën komunizëm qenë shumë më tepër të angazhuara në sferën publike se sa në ditët tona. Ato inkurajoheshin të punonin dhe qenë të pranishme në të gjitha sferat e shoqërisë.

Vepra synon të eksplorojë efektet që këto ndryshime kanë pasur mbi gratë ndërsa vë në pikëpyetje prezantimin politik zyrtar të “progresit” dhe “emancipimit” të grave në Shqipërinë Socialiste.

Vepra të tjera nga Adela, të tilla si “Dinjitet Mosbindje Frikë Dëshpërim” dhe “Çfarë na ka dhënë ne lufta jonë?” prezantojnë gratë në epokën Socialiste dhe në Luftën e Dytë Botërore, kur ato ishin të inkurajuara të bashkoheshin me frontin anti-fashist dhe të punonin në industri.

Ajo qe një epokë e artë për të drejtat e njeriut në Jugosllavi në krahasim me ditët tona, pretendon ajo.

“Unë prodhoj gjëra që nuk janë të kushtueshme. Unë i bëj dhe i mbaj ato vetë. Unë promovoj veprat e mija vetë. Vetëm kur projekte të posaçme komisionohen, unë jam në gjendje të siguroj para për prodhim dhe ndihmës,” shpjegon Jusic, duke rikujtuar hapjen e shfaqjes “Na thoni diçka mbi jetën tuaj të re”, në Sao Paolo, Brazil, tetorin e kaluar.

Një sukses i tillë është i paimagjinueshëm në shtëpi, nuk ka rëndësi se sa emër ke fituar jashtë vendit. Kjo i pengon artistet si Jusic të shprehin këndvështrimet e tyre feministe në vendin e tyre, ku ndoshta janë edhe më shumë të nevojshme.

“Së fundmi, New York Times publikoi veprën time të fundit (një video artistike të quajtur “Kur unë të vdes, ti mund të bësh çfarë të duash,”) por media jonë nuk dha asnjë informacion mbi të. Edhe kur ne ftojmë median nëpër ekspozita, ato rrallë herë vijnë dhe raportojnë mbi to,” thotë ajo.

E vështirë të ndërtosh karrierë në Bosnjë

Kur edhe një artiste e afirmuar si Jusic ka probleme të tilla, është e kuptueshme se çfarë vështirësish hasin të rinjtë si Ina Cano.

Por kjo nuk e shtyn atë të mendojë të heqë dorë. Ajo pikturon çdo ditë dhe dita e saj “fillon dhe mbaron me kavalec dhe penel”, shpjegon ajo.

“Nga herët në mëngjes unë jam në studio dhe përpiqem të bëj sa më shumë që të mundem në mënyrë që të kem një ofertë më të pasur,” thotë ajo.

“Por unë rrallë i ekspozoj veprat e mija për shkak se nuk ka mënyrë për të siguruar para për prodhimin dhe për materialet dhe është gjithashtu e vështirë të gjesh një hapësirë ku unë mund të shpreh veten,” thotë Cano.

“Unë do të desha të shes punën time me sukses dhe të nxjerr jetesën me të por shumë pak njerëz në vendin tim janë të gatshëm të shpenzojnë para për art.

Do të më duhet të dal në tregun ndërkombëtar si mënyra e vetme për të ekspozuar dhe për të gjetur mënyrë për të bërë biznes më të mirë,” shton ajo.

Ajo thotë se arsyeja nuk është thjesht që njerëzit nuk kanë para për të shpenzuar për art por edhe për shkak se feminizmi është kaq jopopullor në Bosnjë.

“Vendi im është tepër patriarkal dhe ndërgjegjja shoqërore është shumë e prapambetur në krahasim me Europën Perëndimore,” pretendon Cano, duke shtuar se kjo e bën të vështirë të kapësh vëmendjen e audiencës në vendin e saj për çështje feministe.

Artistë të tjerë janë dakord dhe kanë të njëjtat probleme në ekspozimin e punëve të tyre, veçanërisht kur vjen puna për ekspozita individuale, të cilat janë më të kushtueshme për t’u organizuar se sa ekspozitat në grup.

Nela Hasanbegovic, 31 vjeç, gjithashtu anëtare e platformës “Crvena” dhe një artiste e re mediaje, është një nga artistet feministe të Bosnjës që ka pasur një ekspozitë personale.

“Fjalimi i të Bardhës” përbëhej nga nëntë punë që krahasonin mbylljen e institucioneve kulturore në Bosnjë dhe Hercegovinë me urrejtjen ndaj grave në përgjithësi.

Gjithsesi, ekspozita në Galerinë e Artit të Bosnjës dhe Hercegovinës (e cila ndërkohë është mbyllur bashkë me gjashtë institucione të tjera kulturore) prezantoi edhe punë të tjera të Hasanbegovic nga ekspozitat kolektive të së shkuarës, për shkak se kjo e bënte më të lehtë dhe më të lirë organizimin.

Një projekt tjetër, “Nën Vello” hedh dritë mbi problemet me të cilat përballen gratë në shoqërinë e Bosnjës dhe në shfrytëzimin e prostitutave.

“Unë do të flas vazhdimisht dhe do t’i rikujtoj publikut mbi problemet aktuale në Bosnjë dhe Hercegovinë për shkak se kjo do të jetë me vlerë për të ndryshuar kodin patriarkal në shoqërinë tonë,” këmbëngul ajo.

Ajo thotë se pavarësisht të gjitha ligjeve të miratuara, diskriminimi gjinor vijon të ekzistojë në çdo sferë të shoqërisë, nga punësimi në politikë dhe në aspekte të arsimimit.

Jetëshkrimi i Hasanbegovic si dhe ajo e Jusic e artisteve të tjera feministe është përplot me pjesëmarrje në ekspozita ndërkombëtare në Europë apo botë me shfaqje të rralla në Bosnjë, më së shumti në ekspozita në grup.

Edhe nëse ata kanë shansin për të hapur një ekspozitë personale, kjo nuk ka shumë rëndësi për afirmimin e tyre, thotë Jusic.

“Edhe nëse dikush ofron hapësirë për një ekspozitë personale falas, unë detyrohem të refuzoj për shkak se do të më duhet ta financoj prodhimin vetë,” shpjegon ajo, “ndërkohë që jo më shumë se 30 miq të mi do të vijnë në ceremoninë e hapjes dhe askush tjetër.”

Ekspozitat në grup nuk janë shumë më të lehta për t’u organizuar se sa ekspozitat personale, kur vjen puna për financime, shton ajo.

Ekspozitat në grup në Bosnjë në disa raste janë financuar nga fondacione të huaja të tilla si Heinrich Boll apo Friedrich Ebert, të cilat e njohin rëndësinë e feminizmit dhe artit në zhvillimin e shoqërisë – por konkurrenca për grante është shumë e ashpër.

Problemi më i madh është që kostoja e një ekspozite individuale është pothuajse e barabartë me atë të ekspozitave në grup kështu që ata paguajnë për të financuar ekspozita që kanë vepra nga shumë autorë dhe përbëjnë një shfaqje në grup e ko thjeshtë një ekspozitë personale.

Gjithashtu, ndërsa kostot e prodhimit në disa raste janë të mbuluara në tërësi, fondet rrallëherë mbulojnë edhe kostot e materialeve, të ndihmësve apo pagat.


Rruga e feminizmit ka qenë gjithmonë me gunga:

Ajla Demiragic, teoriciene e studimeve gjinore, thotë se inkorporomi i një perspektive mbi gjininë në të gjitha aktivitetet shoqërore është e rëndësishme për shkak se ajo përqendrohet në mënyrat se si grupime të caktuara janë margjinalizuar.

“Në një shoqëri tradicionale të post-luftës, si kjo e jona, praktikat e zakonshme përbëjnë neglizhencë të trashëgimisë së prodhimit artistik të grave dhe mungesë mundësish për gratë për të vepruar në sferën publike, kulturore apo politike,” thotë ajo.

Gjithsesi, megjithëse Demiragic është dakord se aksionet feministe në Bosnjë përballen me shumë probleme dhe pa ndonjë zgjidhje në horizont, ajo thekson se feminizmi ka bërë gjithnjë progres në një “rrugë me gunga” në çdo shoqëri në të shkuarën.

“Për çdo gjeneratë, feminizmi ka nënkuptuar diçka të ndryshme. Për disa gra qe e gjithë jeta e tyre dhe shumë prej tyre hoqën dorë nga jeta për idenë e feminizmit,” rikujton ajo.

Për artistet feministe të padukshme të Bosnjës, beteja është për të arritur njohje, duke jetuar nga punët e veta dhe për të arritur një ndikim shoqëror në një mjedis që vijon të mbetet gjerësisht i shurdhët dhe i verbër përballë ideve të tyre.

“Shqetësimi jonë nuk është thjeshtë nëse ne jemi apo jo të padukshme por nëse ne jemi të njohura dhe të vlerësuara dhe se sa seriozisht respektohet përkushtimi ynë në shoqërinë tonë,” thotë Jusic.

Në mënyrë që të kenë sukses, ato kanë nevojë për të punuar dhe krijuar.

Ndërsa Jusic pati veprat e saj të ekspozuara më 24 prill në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Konjic në Bosnjë, krahas kolegëve nga Gjermania, Austria, Britania, Italia e vende të tjera të rajonit, Cano ndërton të ardhmen e saj duke krijuar vepra të reja dhe duke kërkuar mundësi për ekspozita të reja.

Cano thotë se të heqësh dorë nuk është një opsion: “Unë po luftoj për të ekspozuar sa më shumë të jetë e mundur dhe është e rëndësishme për mua që të pushtoj gradualisht hapësirën publike,” thotë ajo.

“Unë dua të përpiqem të bëj kontributin tim modest në artin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të tërheq vëmendjen e një shoqërie që ende nuk ka simpati për çështjet e feminizmit,” përfundon ajo.

Burimi: Balkaninsight.com

This article is funded under the Invisible Art project, supported by the Prince Claus Fund.

You may also like...