Bota e tronditur nga rracizmi, bjondja Maria është rome dhe nuk është e rrëmbyer
Testet e ADN-së të kryera nga autoritetet bullgare konfirmuan se një grua 35 vjeçare, rome e Bullgarisë është nëna e vajzës misterioze të Greqisë, të njohur si Maria. Profili gjenetik i Sasha Rusevës u përputh me atë të vajzës, tha Svetlozar Lazarov, një zyrtar i ministrisë së Brendshme të Bullgarisë.
Ruseva tha se kishte lindur foshnjën katër vjet më parë në Greqi kur punonte si emigrante në mbledhjen e ullinjve dhe e pati braktisur atë sepse qe tepër e varfër.
Maria u zbulua nga policia gjatë një bastisjeje të një kampi romësh në Greqi. Policia e pa vajzën si bionde me sy jeshile dhe qe e bindur se ajo nuk i përkiste familjes rome ku u gjet.
Lajmi shkaktoi një histeri kolektive në Europë. Në Serbi, gangsterë rrugësh u përpoqën të rrëmbenin një fëmijë rom me arsyetimin se ngjyra e lëkurës të bënte të dyshosh se nuk qe rom por një fëmijë i rrëmbyer. Në Irlandë, autoritetet rrëmbyen dy fëmijë bjondë me sy blu nga familjet e veta për të njëjtën arsye.