Lajmet e ditës si nuk i keni parë kurrë, edicioni i mbrëmjes 12 shtator 2013

Buletini ditor i lajmeve në Ruritani

12 shtator 2013 Ruritania News Agency

Partia Socialiste hapi një konkurs sot për lavdëruesin më të goditur të programit të saj qeverisës.

Pas komenteve negative të facebook-istëve të majtë e të djathtë, që thanë se programi qe një përmbledhje banale fjalësh pa kuptim, një program qeverisjeje i djathtë apo një kopje e programit qeverisës të Sali Berishës më 2005, konkursi është i hapur për të gjithë artikullshkruesit, që dinë të përkëdhelin fjalët me delikatesën e duhur.

Si çmim, ofrohet ndoshta një buzëqeshje nga kryeministri i zgjedhur si dhe mundësi për ndonjë hapje bythësh të llojit “unë e shpëtova qeverinë”.

Për të gjithë konkurrentët ofrohen megabit internet falas për ta shkarkuar.

Vijojmë me lajme të vjetra

Për të gjithë ata që nuk e kanë marrë vesh, Instituti i Statistikave bëri sot të ditur se në vitin 2008, bota ka hyrë në krizë dhe për shkak se ka hyrë në krizë, ka më pak lekë. Kjo do të thotë, për ata që nuk e kuptojnë dot, se ka më shumë të varfër.

INSTAT as që e çonte nëpër mend të lajmëronte se bota ka pesë vjet që ka hyrë në krizë deri sa u mësua se Sali Berisha dha dorëheqjen dhe nuk është më kryeministër.

“Mund ta bënim më herët,” tha një punonjës, “por menduam se është më me vend që të presim deri sa Berisha të ketë ikur dhe të mos ketë asnjë shans të kthehet,” shtoi ai.

Sipas njoftimit, 30 mijë shqiptarë iu shtuan listës së atyre që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Këta janë aktualisht 373 mijë vetë. INSTAT vijon të mos guxojë se sa është pjesa e shqiptarëve me të ardhura të larta, as se sa është indeksi GINI. Por nga burime joformale mësohet se 15 kompanitë më të mëdha në Shqipëri vitin e kaluar patën xhiro të përbashkët prej 2.7 miliardë euros, ose sa 27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Ne hasëm pengesa të arsyeshme që nuk na e mundësuan njoftimin se kriza ka mbërritur në planetin tokë, dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri, më herët,” njoftoi Sabri Matrallënga nga INSTAT.

anketa_e_matjes_se_nivelit_te_jeteses_ne_shqiperi__2012__rezultatet_paraprake_

Vijojmë me lajme të tjera.

Një këngëtare me famë botërore, njoftoi sot se ka vendosur të realizojë videoklipin e saj të ardhshëm e veshur kokë e këmbë. “Dalja lakuriq është bërë kaq banale,” tha ajo. “Po kërkoj diçka më origjinale. Jam ngopur duke dalë në gazeta me titullin: Nxori byreçkat, qe pa mbathje apo doli lakuriq”.

Vajzat dhe gratë do të mund të jetojnë më të lumtura tani e tutje në rast se lexojnë shkrimin më të fundit: 23 gjërat që çdo grua duhet të ndalojë t’i bëjë. Psikologia Emma Gray tha se leximi i këtij shkrimi lehtëson trupin dhe mëndjen, madje edhe kur gratë e vajzat nuk kanë nevojë.

Dy të rinjtë kishin ndër mend ta hiqnin qafe, por nuk e njihnin mirë. Kështu, e gjetën drejtorin e CEZ të Laçit hone në Tiranë, e pyetën për emrin dhe pastaj e qëlluan. Policia tha se nga rrethanat, dukej se ia kishin bërë benë, por objektivi i atentatit shpëtoi vetëm me plagosje në këmbë. Atentatorët mbeten të panjohur.

“Kur atentatorët nuk e njihnin viktimën, nuk e di se si prisni që ne t’i njohim ata,” tha një shef policie në lidhje me ngjarjen.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e ka patur shumë të vështirë këto kohë të dallojë një alamet ndërtimi pa leje, plot dy kate shtesë përballë selisë së saj te ish-hotel Arbana. “Vuajmë nga sytë,” tha një polic. “Nuk dallojmë dot as ndërtesa të mëdha, lëre pastaj vrasës të shkurtër”.

You may also like...