Ceremoni nisjesh punimesh për Kanalin e Nikaraguas

Nga JON LEE ANDERSON, The New Yorker

Presidenti Daniel Ortega premton se ndërtimi i kanalit do të reduktojë varfërinë, por shumë e shohin atë si një tradhti ndaj parimeve kombëtare.

Anderson-Nicaragua-Canal-690Disa ditë para Krishtlindjeve, në Brito, Nikaragua, në brigjet e Oqeanit Paqësor, një ceremoni nisjesh punimesh u zhvillua për megaprojektin më të ri të botës. Kanali i Nikaraguas pritet të kërkojë pesë vjet punë për t’u përfunduar si dhe të kushtojë 50 miliardë dollarë; kur të përfundojë (nëse do të përfundojë ndonjëherë), kanali 172 milje i gjatë (277 kilometra) do të çajë përmes Nikaraguan nga Paqësori në Oqeanin Atlantik.

Në ceremoni, sipërmarrësi i kanalit – një miliarder kinez me emrin Wang Jing — foli në mënyrë pompoze mbi kanalin, duke e përshkruar projektin si “më të rëndësishmin në historinë e njerëzimit.” Dëgjuesit e fjalimit të tij qenë më së shumti zyrtarë të zonës si dhe rreth 200 punëtorë kinezë dhe nikaraguajanë që mbanin në kokë kokore të verdha dhe të bardha e që kishin veshur rroba portokalli dhe blu. Më vonë atë ditë, Wang, një burrë i rrumbullaktë rreth të dyzetave, u shaf në një ceremoni në kryeqytetin e Nikaraguas, Managua, me Daniel Ortegën, ish udhëheqësin marksist i cili u rikthye në Kristian të rilindur dhe që u bë presidenti i përjetshëm i vendit. Ortega miratoi një ligj vitin e kaluar që i dha një koncesion pesëdhjetëvjeçar me të drejtë përsëritjeje Wang. Marrëveshja qe plotësim i një ëndrre kombëtare të vjetër. Më 1902, Nikaragua qe e dyta pas Panamasë si një vend i mundshëm për ndërtimin e kanalit të financuar nga amerikanët. Kanali i Panamasë pati njëqindvjetorin e vet më 2014.

Në ceremoninë në Managua, Ortega premtoi se kanali do të ndihmojë në lehtësimin e varfërisë në Nikaragua, vendi më i varfër, pas Haitit, në Hemisferën Perëndimore. Wang ka premtuar deri në 50 mijë vende pune për nikaraguajanët gjatë ndërtimit të tij dhe thotë se projekti në fund do të punësojë mbi 200 mijë njerëz. Por kanali ka shumë skeptikë, përfshirë disa qindra protestues të cilët bllokuan rrugët dhe u përleshën me policinë gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve.

Shumë bërtitën “Fuera chinos” (“Jashtë kinezët”) dhe “Vendepatria,” një epitet për dikë që shet vendin e tij, në referencë të mbështetjes së Ortegës për Wang.

Termi “vendepatria” u krijua nga Augusto César Sandino, heroi kombëtar dhe një udhëheqës gueriles në vitet 1920 dhe 1930. Në një kthesë interesante të historisë,kjo sharje lidhej me shitjen fillestare të të drejtave për kanalin e Nikaraguas. Sfida e Sardinos ndaj “kolosit të veriut,” siç i referohej ai Shteteve të Bashkuara, i kishte rrënjët në zemërimin nacionalist që kishte nisur që nga nënshkrimi i traktatit famëkeq Bryan-Chamorro më 5 gusht 1914. Me atë traktat, presidenti i vendit  General Emiliano Chamorro, i dha qeverisë së SHBA-ve të përfaqësuar nga Sekretari i Shtetit William Jennings Bryan, të drejtën ekskluzive për të ndërtuar kanalin e Nikaraguas, në një pakt që mund të rinovohej pas 99 vjetësh. Marrëveshja në praktikë i hoqi mundësinë Nikaraguas të konkurronte me Kanalin e Panamasë, i cili u hap për punë dhjetë ditë pas nënshkrimit të traktatit. Në këmbim, SHBA-të i paguan Nikaraguas 3 milionë dollarë. Një nga kërkesat e Sandinos për heqjen dorë nga lufta qe pikërisht anulimi i traktatit, gjë që nuk u realizua kurrë. (Traktati u anula vetëm në vitin 1970 me një marrëveshje dypalëshe, pasi dëmtoi ekonominë e Nikaraguas dhe dinjitetin kombëtar të vendit për shumë dekada. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, amerikanët bindshëm iu referuan Nikaraguas dhe fqinjit të vet gjithashtu të varfër Hondurasit si “republikat e bananeve.”)

Sot, disa ish sandinista besojnë se Ortega ka tradhtuar parimet e veta revolucionare në lidhje me kanalin. Mes kritikëve më të njohur është shkrimtari Sergio Ramírez, ish zëvendëspresident i Ortegës. Me rastin e ceremonisë së nisjes së punimeve, Ramirez shkroi në Tëitter: “Sot është një ditë tragjike për Nikaraguan. Me kanalin kinez, sovraniteti i dorëzohet edhe një herë  një fuqie të huaj.”

Qeveria e Ortegës i ka dhënë Wang, mes shumë fuqive të tjera, edhe të drejtën e shpronësimit të tokës përgjatë kanalit, gjë që mund të prekë deri në 30 mijë pronarë tokash në vend. Ka gjasa që Wang do të jetë gjithashtu i aftë të kapë territoret autonome të kreolëve me ngjyrë dhe indigjenëve indianë Sumo dhe Rama, autonomi që ata e kanë fituar nga Kushtetuta e Nikaraguas e vitit 1987.

Ekspertët mjedisorë kanë shprehur gjithashtu shqetësime mbi shkatërrimet e habitateve natyrore nga kanali. Shtegu i propozuar çan përmes kënetave dhe pyjeve të shiut të pasura me jetë të egër dhe çan një kanal lidhës me Liqenin Nikaragua, liqenin më të madh me ujë të ëmbël në Amerikën Qëndrore, gjë që shumë kanë frikë se do të dërgojë ujë deti në këtë liqen. Ortega nuk i ka zbutur këto shqetësime kur ai deklaroi, pak muaj më parë se, liqeni qe “sakaq i kontaminuar.”

Pas kësaj, Confidencial, një nga të paktat media të pavarura të vendit, i rikujtoi lexuesve se, më 20007, Ortega publikisht kishte deklaruar se nuk do të vendoste në rrezik ujin e ëmbël të liqenit me një projekt kanali “as për të gjithë arin e botës.”

Planet e zhvillimit të Wang, të miratuar verën e kaluar nga Kongresi i Nikaraguas, i cili është i dominuar nga besnikët e Partisë Sandiniste, kërkojnë jo vetëm ndërtimin e kanalit por edhe ndërtimin e porteve të reja detare në të dyja brigjet, qytete të reja përgjatë kanalit si dhe resorte turistike. Ato përfshijnë gjithashtu një hekurudhë të re, autostrada, një naftësjellës dhe fabrika çeliku e çimentoje. Ka patur shumë spekulime mbi marrëdhëniet e Wang me qeverinë e Kinës. Ai këmbëngul se është një “biznesmen privat,” por nikaraguajanët dhe të tjerët që e kanë takuar atë dhe kanë vizituar zyrat e korporatës së tij në Kinë janë kthyer të bindur se ai është shumë mirë i lidhur me qarqet e Partisë Komuniste. Qeveria e Ortegës, e panjohur për transparencën e vet, ka qenë veçanërisht opake mbi marrëveshjet e saj me Wang, duke shtuar shqetësimet ppër korrupsion në koncesionin e kanalit. Në ceremoninë e nisjes së punimeve, Wang tha se nikaraguajanët që do të humbasin tokën, do të kompensohen me “parime tregu,” dhe “pa hile apo gënjeshtra.” Ai shtoi, “ne do të respektojmë të gjitha të drejtat e nikaraguajanëve.”

Edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara është treguar në mënyrë të pazakontë enigmatike në lidhje me kanalin. Ajo jo vetëm që nuk ka paralajmëruar Kinën të tërhiqet [nga zona tradicionale amerikane e ndikimit], por Administrata Obama është kufizuar në komentet publike vetëm te thirrjet për më shumë transparencë në procesin e dhënies së koncesionit.

Në një udhëtim në Brito rreth një vit më parë, unë gjeta një grup punëtorësh kinezë që po punonin për të çpaketuar pajisje në një fushë.  Banorët vendës, shumë prej të cilëve janë fshatarë analfabetë, u mistifikuan nga këto të ardhur të rinj. Por në grykëderdhjen e Lumit Brito, gjithsesi, pranë disa barrakave të peshkatarëve, me qen të frikshëm dhe shumë plehra përqark, unë gjeta një grup burrash, nikaraguajanë e nga vende të tjera të Amerikës Latine, të cilët më thanë se janë shkencëtarë. Një nga shkencëtarët tha se ata qenë duke studiuar ardhjet dhe ikjet e breshkave të detit. Ai tha se nuk qenë shumë të tilla tashmë – në fakt qenë shumë më pak nga sa kishte besuar ai.

“Pra mund të thuash, apo jo?” komentoi ai. “Pasi kanali të ndërtohet këtu, nuk do të ketë asnjë breshkë deti…”

Ai filloi të shqetësohej pas kësaj dhe pyeti nëse unë isha gazetar. Kur unë konfirmova se isha, ai tha, “ne nuk jemi të autorizuar të flasim për median.” Ai dhe kolegët e tij ikën pas kësaj me nxitim.

Unë pashë përtej tyre. Në atë çast, bregu i detit qe i egër dhe i bukur për aq sa të zinte syri.

You may also like...