Çështje Surrati

Xhabyni

Në traditën tonë popullore fytyra është një element që tregon bëmat e një njeriu. Nëse dikush është njeri i mirë atëherë ai ka fytyrën plot nur e mirësi, nëse është i keq atëherë ai është fytyrë-nursëz apo ndryshe një surrat. Nuk di në të them nëse termi surrat ka pasur përherë një konotacion negativ apo jo. Por, ajo që më bie ndërmend tani është shprehja unanime njerëzore “si ka fytyrë dhe del” një shprehje e cila tregon në fakt habinë (që e ka shpesh përgjigjen brenda) për një individ që pasi ka bërë njëmijë e një të zeza (apo edhe më pak) ka ende kurajon të dalë.images

Kjo është një shprehje që u hidhet personave që nuk kanë kurrfarë ndërgjegje  dhe kështu ato vazhdojnë jetën e tyre publike njësoj (e hera herës më shumë) si më parë.

Duke patur parasysh që këto ditë të nxehta vere, kryeministria (lokomotiva e qeverive) ka filluar betejën e re propagandistike (300 ditët tona) e nga ana tjetër opozita ka filluar t’i kundërpërgjigjet me 300 ditëshin sipas saj. Të bëjnë përshtypje surretërit e ministrave të rinj dhe ministrave të vjetër, aq shumë të bën përshtypje sa që i bën atë pyetjen retorike që shpjeguam më sipër, por me një ndryshim; “Ore po si kanë surrat dhe dalin?”

Ia bën këtë pyetje kur sheh në stendën e foltores Genc Rulin apo Edmond Panaritin; kur sheh Ridvan Boden apo Shkëlqim Canin; kur sheh Flamur Nokën apo Saimir Tahirin; kur sheh Mimi Kodhelin dhe Arben Imamin. Apo kur sheh Berishën dhe Ramën (meqë i matëm kokë më kokë). Të vjen habi në fakt se si këto surretër dalin pa pasur asnjë pikë preokupojë se ku e kanë dërguar këtë vend. E ndërsa ti përpiqesh që në mendjen tënde të gjesh një farë qetësie që mund të vijë përmes përgjigjes së pyetjes së mësipërme. Të vjen ndërmend një skenë nga libri i Bukovskit, Zonja Vdekje, në të cilin shkrimtari me qesëndi përshkruan se si zotërinjtë dhe zonjat e Hollivudit kur bëjnë operacione plastike lëkurën e prapanicës e vendosin në surratin e tyre.

Kështu edhe ish ministrat e anëtarët e mazhorancës së djeshme (kujdes këtu nuk futet LSI) duke qenë se kanë prapanicën e mirë kuruar për 8 vite në karriget e pushtetit kanë vendosur që me lëkurën e saj të rregullojnë fytyrën e tyre. Ndaj edhe ne nuk arrijmë të shohim në fytyrën e tyre jo vetëm asnjë brengë për vjedhjet dhe abuzimet që kanë kryer për gjithë këto vite, por nga ana tjetër nuk shohim as edhe një shenjë të tyre. Gjithë sa shohim është një lëkurë e re, e lëmuar e cila shndrin.

E nëse çështja është kështu për opozitën e cila trumbeton suksesin e djeshëm dhe nëm qeverinë e sotme, po fytyrat e ministrave të sotëm? Ato të cilët kanë qenë opozitarët në krah të popullit dhe për të mirën e popullit si ka mundësi që janë të tillë surretër?

Më vjen ndërmend një pjesë nga romani i mrekullueshëm i Gombrowicz, Ferdydurke, në të cilin shkrimtari shkruan se asgjë nuk të shpëton nga surrati përpos një surrati tjetër. Në këto çaste ministrat e qeverisë kanë zëvendësuar surretërit e tyre me surretër të rinj. Këto surretër të rinj janë produkt i botoksit që prodhohet nga farmacistë të propagandës dhe makijazhit e që u injektohen përmes shiringave të publicitetit ministrave. Duke e shndërruar kështu surratin e vjetër në një surrat të ri, ndërkohë që “prapanicës nuk i shpëton dot askush” siç thotë Gombrowicz në fund të fjalisë së tij.

Në fund të fundit, çështja e 300 ditëve nuk qe asgjë më shumë se sa një çështje surrati. Një çështje që tregoi se surretërit janë po ato, thjesht ngjyra dhe lëkura po u shndrin gjithnjë e më shumë. Ndërsa ne jemi gjithnjë e më ndryshe. Në fillim ishim idealistë, pastaj u bëmë pak pragmatistë e tani në fund ndjekim jo pak herë prapanicat e ministrave të cilët nga ana e tyre na presin me surrat në dorë. Nuk ju pëlqeu si shkrim? Pak rëndësi ka, siç thotë dhe Witoldi në një poezi
“Fundi dhe bomba
Kush e lexoi, i dhembtë koka!”

You may also like...