Çfarë fshihet pas rastit Gjin Gjoni?

Edhe një herë shtypi i ditës iu rikthye çështjes së Gjin Gjonit, gjygjtarit që është vënë në qendër të stuhisë nga ana e ILKDP-së. Arsyeja se përse ky institucion po bën zhurmuesin lidhet edhe se drejtuesi i saj i ri është vendosur nga mazhoranca rilindase, por nuk është kjo e vetmja arsye.

Xhabyni

Edhe një herë shtypi i ditës iu rikthye çështjes së Gjin Gjonit, gjygjtarit që është vënë në qendër të stuhisë nga ana e ILKDP-së. Arsyeja se përse ky institucion po bën zhurmuesin lidhet edhe se drejtuesi i saj i ri është vendosur nga mazhoranca rilindase, por nuk është kjo e vetmja arsye.

Në një shkrim të mëhershëm është thënë se nëse do të bëjmë drejtësi selektive atëherë nuk kemi bërë drejtësi por padrejtësi. Unë i qëndroj forte tezës se mazhorancat kanë vite që nuk kanë asnjë interes të tyrin për të shkatërruar sistemin e korruptuar të gjygjësorit. Kjo sepse prej këtij sistemi janë dhe ato përfitues. Ndaj unë këmbëngul në mendimin se ajo që mazhoranca e sotme (siç edhe ato të djeshmet) po përpiqen të bëjnë është ndëshkimi sa për sy e faqe të një gjygjtari duke u përpjekur me të gjithat mënyrat për të mbajtur në këmbë një sistem të krimbur deri në palcë.

Të implikuar gjerësisht në procedura për abuzime me pushtetin dhe jo vetëm për interesa personalë, ato janë lehtësisht të dënueshëm. Nga ana tjetër, opozita (që teorikisht duhet të paraqiste një platformë le të themi për një sistem gjygjësori më të pastër) është gjithaq e përfshirë deri në fyt nga eksponentë të saj të akuzuar/dyshuar për abuzim me detyrën. Por pyetja që shtrohet është se nëse palët janë lojtarë që u intereson një sistem që prodhon arbitra të tillë përse gjithë kjo gjueti ndaj Gjin Gjonit?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të kthehemi pas në kohë duke qenë se historia është mësuesi jonë më i mirë. Gjatë SPQR-së apo Republikës Romake, përpara se Çezari dhe Krasusi t’i bashkangjiteshin sundimit absolut të Pompeit gjatë Triumviratit të parë, ato vendosën që të zënë ngushtë Senatin duke qenë se e dinin se ky i fundit do u bëhej pengesë në planet e tyre. Asokohe përpos fuqisë së Senatit, që kontrollohej në masë të madhe nga pasanikët e familjeve Romake, ekzistonte dhe institucioni i Pretorit.

Pretori ishte le të themi krye-gjygjtari që përcaktonte se cilët do të ishin gjykatësit për çështje të rëndësishme apo për krime kundër republikës. Duke ditur që senatorët, sidomos ato të vjetrit, kanë patur përherë një kufomë në dollapin e tyre. Çezari dhe Krasi vendosën që të terrorizojnë senatorët e me to pasanikët të cilët donin t’u bëheshin pengesë në qëllimet e tyre. Kështu që një ditë prej ditësh ato nxorën nga sirtari një akuzë kundër senatorit Rabirius, i cili qe një senator pa kurrfarë vlere në skenën politike por ama ishte kurbani më i mirë për t’i dhënë sinjalin e duhur senatit. Kauza në vetvete fliste për një vrasje të kryer shumë e shumë vite më parë.

Duke pasur nën kontroll Pretorin, duke patur bashkë me veten popullin (i cili për shumë arsye dëshironte t’i shihte në litar të gjithë senatorët mundësisht) e në fund fare duke qenë i sigurt se njëri prej tyre (Çezari) do të ishte caktuar nga Pretori si gjykatës në çështjen në fjalë ato e kishin të sigurt fitoren.

Por çfarë lidhje ka kjo histori që sapo përmenda me rastin Gjin Gjoni? Përgjigja është e thjeshtë; gjatë mazhorancës së sotme LSI-ja, shtylla e këtij sistemi të korruptuar, ka marrë ministrinë e drejtësisë. Përmes këtij akti politik ajo po përpiqet të groposë problemet që mund t’i lindin nesër asaj (pra, kryetarit të saj) nga pisllëqet dhe abuzimet e shumta që opozita e sotme (kujdes! Mazhoranca e djeshme) mund t’i nxjerrë. Gjithaq ajo ka në dorë një levë të mirë për të lëvizur universin e politikës sonë përmes dosjeve të ndryshme.

Thënë më shkoqur, mazhoranca e sotme po përpiqet që përmes disa veprimeve populiste (populli sot nuk i honeps dot gjygjtarët) të bindë popullin se po bën drejtësi por nga ana tjetër qëllimi politik i gjithë kësaj është trembja e gjygjtarëve duke dënuar për një krim të kryer vetëm njërin prej tyre. Nëse ato nuk i binden sundimtarit të ri, atëherë ato e kanë punën pisk sepse pas Gjonit mund të vijë një Gjon tjetër e kështu me radhë.

Kështu, edhe Gjoni (nëse) do të dënohet nga kolegji i gjykatësve të përbërë nga anëtarë të devotshëm të mazhorancës, dënimi i tij nuk do të jetë një tentativë për të rikthyer drejtësinë në vend. Përkundrazi do të jetë thjesht një spektakël publik në shërbim të interesit personal të mazhorancës e cila do t’i dërgojë mesazhin e duhur senatit të gjygjtarëve!

You may also like...