Çfarë mësuam nga debati për Draftin mbi Arsimit e Lartë?!

Duke lexuar shkrimet edhe opinionet nëpër gazeta apo blogje si dhe nga debatet e ndryshme të shfaqura në televizion jam përpjekur të kuptoj akoma më mirë dinamikën e retorikave të atyre që janë pro dhe kundër draftit.

Xhabyni

Diskutimi publik që iu bë Draftit mbi Arsimin e Lartë në vendin tonë ishte ndër më të zjarrtit që ky vend ka pasur në periudhën post-diktaturë. Kjo është një shenjë e mirë që komuniteti connected-university-wordleakademik mes gjithë problematikave që ka mbartur nga monizmi duke i shtuar dhe problematikat që solli kapitalizmi allasojshe që kemi si vend ka reaguar ndaj draftit. Ndaj është për t’u falënderuar kjo qasje që ky komunitet ka pasur ndaj draftit.

Duke lexuar shkrimet edhe opinionet nëpër gazeta apo blogje si dhe nga debatet e ndryshme të shfaqura në televizion jam përpjekur të kuptoj akoma më mirë dinamikën e retorikave të atyre që janë pro dhe kundër draftit. Nuk është vendi këtu për të diskutuar me imtësi se cilat janë arsyet pro apo kundër draftit, por ajo që më tërhoqi vëmendjen është akuza e atyre që janë pro draftit e cila ngrihet mbi faktin se kundërshtuesit e draftit në vetvete janë individë që janë kundër tregut apo se janë persona  që mbivlerësojnë më shumë se ç ‘duhet universitetin shtetëror në Shqipëri.

Me aq sa kam kuptuar nga debatuesit të cilët janë kundër draftit, ato mendojnë të kundërtën e kësaj akuze. Pra, ato mendojnë se arsimi i lartë në vend është në një gjendje kritike edhe se pikërisht ky draft nuk është në interes të shpëtimit të këtij arsimi. Me aq sa kam lexuar dhe dëgjuar asnjë nga debatuesit kundër draftit nuk ka ngritur tezën se universitetet shtetërore janë më të mirat dhe se nuk kemi nevojë për private. Përkundrazi diskutimi i tyre ka qenë në shërbim të forcimit të arsimit të lartë shtetëror në mënyrë të tillë që universiteti të kryejë punën e tij, pra zhvillimin e mendimit kritik. Të gjithë jemi të bindur që universiteti shtetëror ka shumë mangësi dhe të meta por kjo nuk do të thotë që ai duhet të zhduket vetëm sepse ka të meta, aq më tepër kur janë të riparueshme.

Megjithëse akuzat ndaj draftit të universitetit nuk janë ngritur ndaj një figure të vetme, kohët e fundit janë shtuar sulmet mbi një nga donatorët, tanimë, të UET. Sulmet ndaj Çilit nuk mendoj se vijnë nga ndonjë xhelozi që debatuesit kanë ndaj tij, por vijnë si pasojë e shkakut se Çili me vetëdijen më të plotë ka dalë në ballë të llogoreve qeveritare për t’i mbrojtur ato. Në këtë mënyrë ai është kthyer në targetin kryesor sa herë që sulmohet qeveria. Pikërisht kjo është ajo që duhet të paguajë ai, nëse ai merrte deri më dje llokmën më të majme (se sa universitetet e tjera) vetëm nga fakti se kishte një aparat të tërë që funksiononte në shërbim të qeverisë, tanimë i duhet të pranojë që do të goditet me apo pa të drejtë, është ligji i ashpër i luftës ky!

Gjë tjetër që më bëri përshtypje në gjithë këtë ngjarje është heshtja e opozitës. Po përse duhet të fliste opozita? Opozita duhet të fliste sepse kjo është një çështje tërësisht politike, që të kuptohemi; politikë nuk është vetëm çështja që prek fijet e opozitës, politikë është e mira publike dhe diskursi mbi të. Arsimi i lartë dhe drafti ishte dhe është tërësisht një çështje politike dhe opozitës i takonte të merrte pjesë në të. Ndërkohë që diskutoja me një person që është marrë me diskutimin mbi draftin ai më tha që opozita është dakord mbi draftin për arsimin e lartë.

Kur e pyeta se përse mendonte kështu, ai mu përgjigj se kjo opozitë nxori në protestë deputetët e saj kur u mbyll një Universitet privat (Universiteti Ndërkombëtar i lidhur ngushtë me një biznesmen në krah të opozitës) megjithëse universiteti nuk kishte paguar detyrimet ndaj Tatimeve, ndërkohë që për një draft i cili prek kryekëput Arsimin e Lartë ajo hesht. Mbase, debatuesi mund të ketë të drejtë por unë mendoj që opozita thjeshtë është jashtë ritmi. Ajo i ngjason një ekipi futbolli që hyn në lojë kur ndeshja ka përfunduar dhe tanimë rezultati është i qartë, këtë e demonostron dhe vetë lideri historik i cili u kujtua pwr studentët dhe protestën e tyre pas të vjelave. Arsyet se përse ajo është jashtë ritmi mendoj që vlejnë për t’u diskutuar gjetkë.

Në fund të fundit, me apo pa opozitën ky draft për Arsimin e Lartë mori një goditje të fortë. Ato që e goditën draftin nuk kanë fare ideologji të përbashkët, por ama kanë komunitarizmin me të cilin përpiqen të mbrojnë interesat e një universiteti shtetëror që është drejt grahmave të fundit. Një lëvizje e tillë i dha goditjen e duhur të gjithë atyre që menduan se do të mund ta hidhnin paq këtë draft, e këtu flas edhe për zëvendës rektorin e universitetit publik që me fodullëkun e një hileqari përpiqej të shiste sapunin për djathë megjithëse detyra e tij është ta mbrojë atë.

Në vetvete ky draft i propozuar nuk qe gjë tjetër vetëm se një LSI-zim i sistemit të arsimit të lartë duke e kthyer atë në një arsim të lartë klientelist dhe aspak të drejtë. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se ky sistem LSI-st nuk erdhi nga hiçi, sikurse edhe në politikë Meta nuk erdhi nga hiçi. Ky sistem erdhi deri në këtë metamorfozë sepse arsimi i lartë që ne kemi ndërtuar është i tillë që nga dita në ditë do të prodhojë një arsim të lartë klientelist. Ndaj sfida e re që unë shtroj, sipas mendimit tim, është ajo e krijimit të një drafti alternativ (më saktë të një alternative) në mënyrë të tillë që ta hidhet në treg. Një veprim i tillë do të ishte në dobi të një shoqërie dhe mbi të gjitha një tjetër tullë në ndërtimin e një muri që do ta mbronte universitetin nga LSI-zimi.

 

You may also like...