Çfarë mësuam nga masakra

 

Mësuam se dorëheqja e një deputeti vjen pasi një familjar i tij/saj ka vrarë katër persona, përndryshe ka gjithmonë një justifikim, i cili mundet fare mirë të përdoret dhe të shërbehet në media si alibi. Po kështu ky rregull vjen në çastin kur personi akuzuar e ka kryer krimin jo përmes ndonjë skeme e cila rezulton me një firmë të të pandehurit por me armë dhe në mënyrë të publike dhe spektakolare.

 

  1. Mësuam se dorëheqja e një deputeti vjen pasi një familjar i tij/saj ka vrarë katër persona, përndryshe ka gjithmonë një justifikim, i cili mundet fare mirë të përdoret dhe të shërbehet në media si alibi. Po kështu ky rregull vjen në çastin kur personi akuzuar e ka kryer krimin jo përmes ndonjë skeme e cila rezulton me një firmë të të pandehurit por me armë dhe në mënyrë të publike dhe spektakolare.
  2. Kur krimi kryhet në vitet e para të qeverisjes, ku edhe turpi nuk hahet edhe aq kollaj sepse ende s’ia ke kuptuar fijet popullit atëherë gjendet mënyra më e shkurtër (por edhe më çnjerëzore) për të larë duart si Ponc Pilati. Por, e gjithë kjo skemë funksionon për ato që lideri i njeh personalisht dhe familjarisht sepse përndryshe, pra në rastin kur krimin do ta kryente ndonjë nga gangot e mazhorancës atëherë ndëshkimi nuk do të binte mbi to. Madje edhe skenarët e të qarës do të ishin ndryshe!
  3. Për të shpëtuar kështu nga papastërtia e cila vjen prej vasalit duhet jo vetëm që ai të shkëputet nga ti por edhe të ruhet një farëlloj diskrecioni që përçon mëshirë. Largimi dhe dorëheqja përherë prodhojnë një ndjesi entuziazmi dhe eksitimi tek turmat që kur marrin atë që kërkojnë (sidomos në çastin edhe momentin e duhur) nuk shohin vazhdimin e ngjarjeve. Kështu kalohet në një sulm, që është vetëmbrojtës, përmes dhunës edhe sulmeve verbale ndaj atyre që pak më parë të kishin zënë në një kthinë. Ndaj kundërshtarit nuk ka mëshirë dhe tolerime sepse këto të merren për dobësi.
  4. Për të krijuar një skenë në ndihmë të vetes edhe mazhorancës atëherë vendos në lojë etikën e tepruar edhe atë të munguar të kundërshtarit politik. Sulmon me të gjitha mjetet e propagandës duke e kthyer kështu betejën nga ligjore, morale në një betejë mediatike. Arrin të fshehësh në këtë mënyrë atë që duhet, njerëzit nuk duhet të reflektojnë mbi ngjarjen por duhet të merren me grimcat të cilat shiten për të vërteta absolute. Fjala vjen, njerëzit nuk duhet të fokusohen se si ka mundësi që drejtësia e liroi Xhuvanin, se si prokuroria ra në një mendje me avokatin mbrojtës, se si policia nuk qe në gjendje ta arrestonte për një muaj të tërë, se si qeveria e shkuar mbylli një sy se na duhet ky cen për ta përdorur nesër. Njerëzit nuk duhet të pyesin veten se ku janë katandisur që po prodhojnë kështu lloj krijesash që nuk pyesin për askënd e jo më për shtet, përkundrazi atyre u duhet ofruar gjella e përditshme propagandistike e të dy krahëve. Dhe kur ndokush shtron pyetjen se si një njeri me precedentë të bollshëm kriminalë lejohet të bredhë rrugëve me pistoletë në brez dhe policia nuk duket në gjendje ta ndalojë, qoftë edhe për një kontroll rutinë si kampion me rrezikshmëri shoqërore, atëherë duhet të flitet me doemos të krimet e qeverisë paraardhëse sepse çdo kritikë, duhet të konsiderohet si kritikë e një kundërshtari smirëzi dhe jo e një njeriu normal të shqetësuar për sigurinë publike të vendit.
  5. Për të vazhduar mbulimin e reflektimit shoqëror hedh në treg idenë se si këto krime vijnë si pasojë e përdorimit të drogës dhe jo të një llastimi që fillon nga familja dhe përfundon tek qeveria dhe drejtësia. I mëshon kësaj pjese duke i kujtuar shoqërisë që fajin e kanë lokalet tallava që krijojnë kështu sherresh dhe jo flirti i neveritshëm i politikës me krimin, flirt që konsiderohet thuajse normal gjithmonë, me përjashtim të rastit kur shoqërohet me katër të vrarë.
  6. Harron, fjala vjen, që dy nga të vrarët të atij mëngjesi ishin as më shumë e as më pak se sa dy ish komando që kishin qenë në Afganistan dhe Irak. E nuk i bën pyetjen vetes si shoqëri, që si ka mundësi që një pjesë e këtyre komandove vijnë nga situata lufte dhe përfundojnë ose të vetëvrarë, ose me shitje lëndësh narkotike ose si truproja njerëzish që kanë nevojë për truproja, të cilëve media me delikatesë i referohet si “biznesmenë”?
  7. Jeta e njerëzve zhvlerësohet, kur vdesin mbi 20 atëherë është statistikë, kur vdes një edhe mund të mbulohet por nëse vret katër mund të ikësh nga politika përmes një skeme të mirë menduar. Natyrisht, standardet janë të luhatshme.
  8. Ngjarja me katër të vdekur është ana e dukshme e bashkëjetesës së politikës me krimin, qoftë ky krimi i një djali të çmendur, qoftë ai krimi i mirë llogaritur i vrasësve gjakftohtë. Dorëheqja e nënës deputete të djalit me pesë vrasje në ndërgjegje vështirë se e zhbën pjesën tjetër të bashkëjetesës së politikës me krimin.

Xhabyni

You may also like...