Çfarë opozite do të kemi? Atë që kemi patur gjithmonë, një opozitë qesharake dhe të rreme

Pyetja që po shtrohet këto ditë është se çfarë opozite do të ketë Shqipëria në katër vitet e ardhëshme, nëse ajo do të jetë një opozitë e fortë, për të cilën vendi ka nevojë apo jo.

Përgjigjja e thjeshtë është Jo!

Kjo nuk lidhet me faktin nëse Basha disponon ligjshmërinë apo kredibilitetin e nevojshëm për kryetar të PD-së. Lidhet me faktin se qeveria dhe opozita janë nën një sistem shantazhimi të ndërsjelltë për shkak të korrupsionit të ndërsjelltë. Rrjedhimisht partitë bëjnë opozitë brenda vetes dhe jo opozitë kundër qeverisë. Personalisht nuk kam ndonjë shpresë që vendi do të ketë opozitën që ka nevojë përgjatë viteve të ardhëshme, njësoj si nuk e ka patur përgjatë viteve të shkuara. Vetë Basha nuk mund të thuhet se është në opozitë sepse drejton bashkinë më të madhe në vend. Ndërsa ai do të përpiqet të tregojë një farë opozitarizmi ndaj qeverisë, do të përballet me opozitën e njerëzve ndaj atij vetë si funksionar publik.

Basha në përgjithësi nuk disponon kredencialet për të qenë opozitar dhe kjo nuk ka të bëjë me ligjshmërinë e tij si kryetar i partisë Demokratike. I projektuar në imazhin e kësaj partie më 2005, si njeri me buzëqeshje, i butë dhe jokonfliktual, atij i duhet të punojë fort për të treguar dhëmbët, pra për t’i dhënë kredibilitet ndonjë lloj aksioni opozitar. Ideja e hedhur para do kohësh që thotë se plani i Bashës është për një opozitë militanteske me protesta në rrugë, ngjan shumë larg realitetit. Grupi i njerëzve që bënin protesta të përditshme në periudhën 1998-2001 është dhjamur nga tetë vjet pushtet. Gangsterët janë bërë pasunarë e nuk duket se kanë ndër mend të dalin në shesh.

Çarja e brendshme në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të manipuluara për kryetar nuk duket të jetë shumë e thellë. Krerët e kësaj partie që kanë folur publikisht apo privatisht kundër Bashës duket se mbajnë tituj më të lartë se sa fuqia reale që kanë në parti. Megjithëse qenë të shumtë, me poste si zëvendëskryetarë, sekretarë etj, krerët anti-Basha të PD-së, nuk qenë në gjendje të kishin as një ndikim minimal në procesin e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, duke treguar se kanë shumë pak pushtet apo ndikim real në parti. Kjo vërehet te fakti që zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të partisë thotë se zgjedhjet brenda PD-së kanë qenë të manipuluara edhe në shtëpinë e tij, në fshatrat e Korçës. Kjo tregon që PD është një parti ku struktura e vetme është ajo e njerëzve të Berishës. Zyrtarët e tjerë, pavarësisht posteve që mbajnë, kanë çelësat e kashtës.

PD ka një histori spastrimesh të stilit stalinist në rradhët e saj, megjithatë diçka është ndryshe kësaj here. Pavarësisht dobësive të kundërshtarëve, Basha nuk duket mjaftueshëm i fuqishëm për të ndërmarrë një fazë spastrimesh.

Nga ana tjetër, rreziku më i madh i vendit është fakti që maxhoranca aktuale është shumë e fuqishme me shifra, ndonëse jo aq e unifikuar. Ajo disponon 84 deputetë, të mjaftueshëm për të ndryshuar sistemin zgjedhor për ta zëvendësuar sistemin aktual me një të ri më të leverdi për veten, duke i siguruar vetes një mandat të dytë pas katër vjetësh. Shqipëria ka patur dy maxhoranca të tilla, në të shkuarën dhe pasojat nuk kanë qenë aspak të këndshme.

You may also like...