Defekte të tregut apo defekte të shtetit

I ashtuquajturi, grupi i liberalëve shqiptarë të vitit 2005 ka ndryshuar shumë gjatë tetë viteve të pushtetit. Dikush u bë nacionalist, dikush biznesmen, dikush i majtë. Suksesi i tyre i madh qe i ashtuquajturi “liberalizim” i tregut të arsimit të lartë. Ky proces vetëm liberalizim nuk qe. Ai në rrafshin teorik mund të quhet “segmentim”, ose “favoritizim”. Megjithatë, debatet gjysmëintelektuale mbi këtë temë na kanë bërë që disa ta shohin favoritizmin si kapitalizmi perfekt i sipërmarrjes dhe disa, si dështim të tregut të lirë. 

Le ta nisim me Adam Smithin si origjinë e debatit. Ndryshe nga sa prezantohet në mënyrë mediokre nëpër librat e fakultetit të ekonomisë, Smith nuk qe ekstremist. Ai thoshte mes të tjerash që shteti ka funksione, si infrastruktura, rendi, drejtësia, (gjykatat) dhe… arsimi. Sikur të dëgjonim Adam Smithin, universitetet private nuk do të ekzistonin.

Tani janë disa elementë që vështirë se mund të diskutohen në rrafshin teorik: e para, ish-burgaxhinj kanë marrë licenca për të bërë universitete, ose më saktë, shkolla të larta jopublike. Vetë fakti që kanë marrë “licencë” nuk nënkupton liberalizëm, është favoritizëm. Një kategori e dytë është marrja e licencave për universitete nga një varg i gjatë ish-këshilltarësh të ish-kryeministrit Sali Berisha. Kjo gjithashtu nuk është liberalizëm apo liberalizim. Është kroinizëm.

E dyta, tregu i universiteteve private u krijua përmes një mashtrimi. Qeveria e Sali Berishës hodhi një ofertë në treg në vitin 2006: tha se çdo i punësuar në shtet, i cili ka diplomë master, merr 10 mijë lek të reja një muaj rrogë shtesë. Rrjedhimisht shumë të punësuar në shtet shkuan të “investojnë” për blerjen e certifikatës së masterit për të marrë 10 mijë lekëshin shtesë. Qeveria Berisha e hoqi shpërblimin për të masterizuarit në vitin 2009, pasi nuk kishte para. Kjo quhet mashtrim, jo treg i lirë, aq më pak, liberalizëm.

E treta dhe më e rëndësishmja është që nuk mund të ketë treg të lirë në një situatë kur diploma e shkollës së lartë është parakusht për t’u punësuar në shtet. Diplomat që shesin universitetet private nuk hynë në punë në tregun e lirë. Aty njerëzve u maten dijet nga punëdhënësit, jo copa e letrës. Në shtet është ndryshe. Për këtë arsye, nëse tregu privat i universiteteve në Shqipëri ekziston, kjo ndodh për shkak se prodhon copa letre të vlefshme për shtetin dhe jo tregun.

Një nga gjenerata paraardhëse e të ashtuquajturve “sipërmarrës”, që vetëm sipërmarrës nuk janë se ky koncept ka kuptim tjetër, tha një herë: “Biri im, tregu ka forca të errëta… ta fusin”. Komenti i tij më i saktë duhej të qe: “në sistemin e favoritizmit dhe të joshtetit, kush ka pushtet politik, mund të bëjë biznes, kush nuk ka, falimenton.” Të debatosh mbi liberalizmin dhe tregun e lirë në këto kushte është njësoj sikur të shkosh të hash paçe i veshur me Versace.

You may also like...