Deri ku shkon terrori?

Në mes të një fushate jo dhe aq të ndjerë për shumë arsye, ndjesinë e publikut e tronditi për disa momente një video e lëshuar nga i vetëshpalluri Kalifat i myslimanëve apo më saktë ISIS. Në video një grup personazhesh që të përbashkët kishin origjinën nga Ballkani, propagandonin vlerat e Ballkanit dhe historinë e tij të shkuar, përmes videove të ndërtuara shumë bukur dhe me një rezolucion në High Definition (HD), ato para përgatisnin vendet e tyre (në gjuhët e tyre) se po do të sulmohen.

Në një shkrim, të para disa kohësh, Ergys Mërtiri e konsideronte metodën e videove dhe të manipulimit mediatik të këtij grupi sektar si një Pop Xhihad teza e tij vërvitet në idenë se këto grupe kërkojnë të bëjnë terror përmes videove të prerjes së kokës që janë aq mirë të montuara dhe që kanë një kronometrim regjisorial të admirueshëm.

Duke mu kujtuar ky shkrim, fillova të lodrojë nëpër internet dhe sytë më zunë një tjetër video e cila qe gjithaq e kuruar sa ajo e terroristëve të ISIS, fytyra të lumtura që flasin për një parajsë të mrekullueshme e cila jo vetëm do t’i presë shqiptarë por mbi të gjitha ka filluar t’i shpërfaqet atyre tash e dy vjet. E kam fjalën për videon e LSI-së e cila përpiqet të na shesë me një cilësi të kamerave 4K, Shqipërinë ashtu siç ne nuk e shohim dot, pra vendin që po bëhet me “Qetësi dhe dashuri”.

Në po të njëjtën mënyrë, si video e ISIS e cila përpiqet të na paraqesë ato burra që  janë pjesë e një sekti gjakatar që nuk ka respekt për askënd ashtu edhe LSI përpiqet të na shesë aftësinë e saj për të korruptuar, blerë dhe përdhunuar shqiptarët si “shërbim dhe punësim”. Ndonëse, LSI-së i mungon një star protagonist që të ketë aftësinë oratore si ajo e Ramës apo Veliaj, sërishmi aftësia e tyre e mrekullueshme për të shndërruar në hiçgjë edhe damkën famëkeqe të blerjes së votës dhe të vjedhjes së parasë publike hapur është terrori që tejkalon çdo oratori.

Pikërisht, ky problem është dhe ai që po i përkul në gjunjë shqiptarët njësoj si në 23 qershor ku një pjesë jo e vogël u blenë nga paratë e LSI-së. Dikush mund të pyesë nëse mund të quhet terrorizëm blerja e votës?! Në kushtet e Shqipërisë, një paralelizëm i tillë është i vërtetë dhe kjo për disa arsye. Më së pari, blerja e votës për një thes apo për dy thes miell vjen për shkak të një ekonomie të çuar në zgrip me vetëdije. Askush nuk do të ishte i gatshëm të shiste votën e tij nëse ekonomia do të ishte në drejtimin e duhur, por në momentin kur ekonomia është kthyer në borxhe që merren për interes rindërtimi fasadash (siç edhe Rama u shpreh në kuvend) kjo e bën situatën e rëndë. Vetë, këto protagonistë e mbi të gjitha Meta  është shndërruar në kupolën më të organizuar të Mafias i cili sa më shumë e shkatërron ekonominë e vendit aq më shumë i rritet vlera në tregun politik.

Përpos shkatërrimit të ekonomisë së vendit edhe uzurpimi i posteve publike nga një grup personash që për bazë nuk kanë militantizmin por pagesat që kanë kryer pranë shoqërisë aksionerë të LSI-së, e shndërrojnë postin administrativ në një pozicion të blerë me para. Ku edhe sikur dikush të kapet një herë në kaq kohë për shpërdorim detyre, një tjetër më i aftë për të vjedhur e për t’u fshehur mundet të vijë në pushtet. Kjo e ka shndërruar shtetin, në një zgjatim të Partisë njësoj si në kohën e monizmit, ku Partia qe mbi të gjitha e natyrisht mbi Partinë ishte vetëm Lideri.

Në një vend ku puna tanimë është luks, e nëse nuk je me LSI nuk mund të jesh dot i punësuar. Në një vend ku pasuria e përbashkët por tanimë edhe ajo private nuk janë të sigurta nëse nuk ke aksione me LSI. Të qenurit me të nuk është vetëm fat por mbi të gjitha është zgjedhje për jetë a vdekje, zgjedhje e cila nëse nuk kryhet ka rrezik të mbesësh pa thesin e miellit dhe t’i shndërrosh fëmijët në Lula të vocërr.

Nën këtë frymë, e ambient të ndërtuar falë kësaj force politike që nuk e ka për gjë edhe të vjedhë e pastaj të akuzojë kokëpalarë, e në fund të dalë e të vajtojë për kokë palarët që u vranë, jetojnë shqiptarët. për zgjedhje atyre u vjen një video, e xhiruar bukur, e ndërtuar në formatin më bashkëkohor, me njerëz që punojnë dhe pastrojnë rrugët e këtij vendi sepse LSI është shërbimi dhe punësimi për shqiptarët. Një agjenci e cila me vetëdije shkon si sherif në zonat më të vobekta të Tiranës apo edhe Shqipërisë, e me një thes në dorë blen me para në dorë të gjithë ato që ekonomia e vobektë që është krijuar nuk i siguron dot një fetë bukë për fëmijët e tyre.

Në një ekonomi që lëngon, njësoj si gangsterët amerikanë, babai i partisë hipën sipër një makine dhe shpërndan thesin e miellit me dorën e vet për t’i treguar këtij vendi që edhe kur oratoria mungon ka gjithnjë një mënyrë për të blerë mendjen dhe mbi të gjitha dinjitetin e njerëzve.

You may also like...