Dezintegrimi vlerave (I)

Ajo për të cilën thuajse të gjithë shqiptarët bien dakord është se LSI-ja qe kali i Trojës brenda mazhorancës së shkuar, kjo nuk do të thotë që PD-ja e djeshme ishte më e ndershme dhe e moralshme se LSI-ja. 

Xhabyni

Ajo për të cilën thuajse të gjithë shqiptarët bien dakord është se LSI-ja qe kali i Trojës brenda mazhorancës së shkuar, kjo nuk do të thotë që PD-ja e djeshme ishte më e ndershme dhe e moralshme se LSI-ja.
Ajo që vërehet tek LSI është integrimi i saj i shpejtë në një sistem që ka evoluar që nga vitet e para të demokracisë, ky sistem që ne e quajmë kapitalizëm alla amerikan (neoliberale po t’i qëndrojmë sofizmave terminologjikë të ndonjë universiteti privat) por që nuk është asgjë më shumë se sa një produkt i komunizmit, pra një kapitalizëm shqiptarçe.

LSI është emri i vërtetë i integrimit të plotë në këtë sistem ku më i forti dhe më i korruptuari bëjnë përpara, e koha e ka treguar që ajo tanimë është kthyer në partinë lider për sa i përket pragmatistëve dhe oportunistëve të shoqërisë sonë. Dy vite më parë një nga zërat e opozitës (së djeshme) në panelin e analistëve pohonte se aq shumë qe integruar LSI-ja në sistemin korruptiv qeveritar sa që qe kthyer në problem për demokratët dhe përqindjen e tyre në qeveri.

Ndërsa lidhja e partisë më shoqërinë është aq  e fortë sa që thuajse cilado reformë që qeveria e re ka ndërmarrë i përngjan LSI-së në formim. Një lidhje e tillë tregon më së paku që LSI është produkt i vlerave dhe cilësive që shoqëria jonë ka transmetuar dhe transmeton në politikë. Ndokush mund të mendojë se kjo nuk është e vërtetë, por të gjithë e kemi të freskët po të kujtojmë ftesën që opinionistët asokohe me Ramën i bënë LSI-së. Ftuan të gjithë qelbësirat kundër krye qelbësirës. Një ftesë e tillë jo vetëm që nuk qe në të mirë të shoqërisë por e përforcoi akoma më shumë raportin që një forcë e tillë negative ka ndaj vlerave shoqërore.

Për ta kuptuar më mirë atë që përmenda më sipër duhet të kemi parasysh se nëse partitë e mëdha politike (pra PS dhe PD) kanë brenda tyre klane të fuqishme mafiozësh që i kanë uzurpuar ato parti, elektorati i këtyre partive ka brenda tyre dhe të ndershëm e idealistë. Ndërkohë që elektorati i LSI-së nuk është as më shumë e as më pak se i mbushur me pragmatistë dhe oportunistë që e shohin të mirën publike si një plaçkë lufte me të cilën edhe mund të abuzosh si dhe sa të duash pa harruar mafiozët që përbëjnë si përherë kupolën. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur dhe me publiken në vendin tonë, e cila është abuzuar si dhe me sa mundësi kanë pasur abuzuesit.

Nga ana tjetër “idealistët” e vetëm që po përpiqet të thithë brenda partisë Meta janë ato enveristë të cilët vuajnë për një lider popullor. Siç e kemi theksuar diku gjetkë, Metës nuk është se i bëhet dhe aq vonë për Enverin, ai thjesht përpiqet që të justifikojë veten dhe abuzimet e tij.

Mirëpo ky dezintegrim i vlerave, që rrezikon të përfshijë një numër të më madh shqiptarët që do e shohin të ardhmen e tyre me një parti që u lehtëson sa më shumë pasurimin; pra, të bërit jetë sipas asaj që ne kemi integruar si vlerë ka rrezik të përhapë një epidemi. Kjo epidemi jo vetëm që do të na dërgojë përballë një humnere por rrezikon të na krijojë një farëlloj diktature të cilën do ta kuptojmë vetëm në çastin kur ajo do të na prekë.

Kështu që thirrja që të gjithë qelbësirat të bashkohen kundër krye qelbësirës nuk sollën asgjë më shumë se sa krye qelbësirën në vend të krye qelbësirës. Thënë më shkoqur, zgjedhjet e 23 qershorit nxorën fitues të vetëm LSI-në, ato treguan qartazi që këto zgjedhje ishin një mashtrim i vërtetë përmes të cilit na u duk sikur fitoi rilindja e Ramës por në fakt fitoi klientelizëm i Metës.  Zgjedhjet i dhanë shansin kryetarit të këtij sistemi që i ngjan asaj “çorbës së derrit” që të qeverisë dhe të shantazhojë si dhe kur të dojë partinë e Ramës.

Ndokush mund të mendojë se Meta dhe partia e tij nuk kanë të njëjtat qëllime si Rama, se ky i fundit po sakrifikon për hir të vendit e kështu me radhë. Këtë aludim (nëse mund ta quajmë kështu) e refuzon eksperienca e cila na tregon se njerëzit merren vesh me njëri tjetrin kur kanë synime të përbashkëta kurse është shumë e vështirë të merren vesh kur kanë synime të përkundërta. Pra, si Meta ashtu edhe Rama kanë qëllime të përbashkëta siç kishte dhe Berisha me Metën qëllimet e përbashkëta kur ndanë pushtetin në 2009.

Problemi i vërtetë i gjithë kësaj demokracie mutante që ne kemi është jo vetëm në mungesën e një shteti në tërësinë e tij por edhe në dezintegrimin e vlerave dhe cilësive të një shoqërie njerëzore. Zhdukja e moralitetit në politikë, kalkulimi i votave dhe interesave, gjetja e marifeteve e hileve e parave në funksion të marrjes së pushteti për ta përdorur këtë pastaj për përfitime personale. Zhdukja e kultivimit me koherencë morale dhe intelektuale ideve, pasioneve që ndahen me të tjerët në përpjekjen për t’u vënë në jetë tregon për një krizë që nuk është thjesht partiake apo e kufizuar por është shoqërore.

Pikërisht kjo krizë, po na dërgon ne drejt një varri i cili mundet të na gllabërojë pa mëshirë nëse ne do vazhdojmë akoma të prodhojmë antivlera. Do të jetë fundi ynë nëse do të vazhdojmë ta konsiderojmë politikën dhe politikanin si mjetin për të arritur pasurimin e vetvetes dhe ushtrimin e pushtetit për të abuzuar me atë çfarë është e përbashkët.

You may also like...