Diplomacia, distanca në rritje mes vendeve të Gjirit Persik

Persian_Gulf_Arab_States_englishBülent Aras 

Stamboll – Presidenti Barack Obama arriti në Arabinë Saudite në një moment kritik për këtë vend. Vendimi i fundit i Riadit për të tërhequr ambasadorin e vet nga Katari ka zbuluar thellësinë e krizës në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, i cili përbëhet nga fqinjët më të afërt të Mbretërisë. Në të vërtetë, politika e Gjirit po zhvendoset drejt një balance të re në prag të rivendosjes së marrëdhënieve miqësore Saudite-Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me përpjekjen e kohëve të fundit për të izoluar Katarin.

Emiratet dhe Bahreini janë bashkuar me Arabinë Saudite në reduktimin e marrëdhënieve me Katarin. Kjo është një lëvizje e pazakontë, duke marrë parasysh traditën e vendeve të Gjirit për t’i trajtuar mosmarrëveshjet e veta politike si një çështje familjare që duhet të zgjidhet pas dyerve të mbyllura. Omani po ruan një distancë nga situata ndërsa Kuvajti është përpjekur të ndërmjetësojë mes Arabisë Saudite dhe Katarit.

Shumë faktorë po shkaktojnë lëvizjet e Arabisë Saudite kundër Katarit, të cilat përfshijnë një ndalim për intelektualët sauditë që të kontribuojnë në gazetat e Katarit. Pastaj është mbështetja e Katarit për Vëllazërinë Muslimane (në Egjipt dhe gjithkund tjetër); fjalimet e teologut islamik Jusuf al-Kardaui dhe politika editoriale e televizionit të financuar nga Katari, Al Jazeera, që nga koha e Pranverës Arabe; ka edhe një mendim në Arabinë Saudite se Katari ka mikpritur institucione perëndimore me synimin e orkestrimit të një komploti në Mbretëri.

Ky këndvështrim reflekton qëndrimin e ashpër të Arabisë Saudite kundër Vëllazërisë Muslimane, të cilën e ka shpallur një organizatë terroriste. Mbretëria e percepton ndikimin e Vëllazërisë në vendet arabe, veçanërisht në vendet e Gjirit, një kërcënim serioz për stabilitetin e vet të brendshëm dhe mbijetesën.

Abdikimi vullnetar i Sheikut Hamad bin Khalifa Al Thani të Katarit në qershor 2013 dhe zëvendësimi i tij si Emir nga djali i vet, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani, nuk ia doli të kënaqë pritshmëritë Saudite për një ndryshim në politikën e jashtme të Katarit. Dhe tashmë Mbretëria e ka bërë të qartë se ka arritur kufiri i durimit të vet.

Por sjellja e Arabisë Saudite ndaj Katarit mund të gjenerojë disa vështirësi në politikat e vetë Mbretërisë. Ka një lëvizje të konsiderueshme transkombëtare të mallrave dhe shërbimeve dhe miliarda dollarë investime ndërkufitare. Nëpër të gjithë Gjirin – aktiviteti ekonomik mund të rrezikohet nga një shpërbërje e mundshme e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Vëllazëria Muslimane është një organizatë jo e dhunshme dhe ajo nuk është marrë me aktivitete ilegale në vendet e Gjirit. Vendet e tjera të Këshillit, të etura për të shmangur përshkallëzimin e tensionit politik në vendet e veta, nuk ka gjasa ta shpallin atë një organizatë terroriste. Edhe pse Arabia Saudite ka marrëdhënie speciale me Jordaninë, ajo nuk pritet të kërkojë një masë të tillë. Tabu për tani, politikat e ashpra ndaj Vëllazërisë Muslimane ka gjasa do të kufizohen në Egjipt dhe në Arabinë Saudite.

Problemi për Mbretërinë është thjeshtë se “korrektimi” i pozicionit të Katarit nuk mund të ndryshojë trajektoren politike brenda rajonit – veçanërisht në Siri dhe Egjipt. Për më tepër, imponimi nga Arabia Saudite të politikave të veta në Këshill, bashkë me mundësinë e sanksioneve kundër Katarit, rrezikojnë të shkatërrojnë funksionet e Këshillit (të cilat sakaq kanë qenë në rënie politike që nga koha e Pranverës Arabe). Këshilli ka 33 vjet që ekziston.

Megjithëse sundimtarët e Katarit janë të shqetësuar nga rritja e antipatisë së Mbretërisë ndaj tyre, ata nuk kanë dhënë shenja se do të pranojnë kërkesat Saudite dhe do të ndryshojnë drejtim. Për më tepër, duke parë ndikimin mbi gjeopolitikën e rajonit nga marrëveshja e ndërmjetme e Perëndimit dhe Iranit për programin bërthamor, mënjanimi i Arabisë Saudite nga fqinjët e vet është gjithsesi e rrezikshme. Për t’i bërë gjërat më keq, është e qartë se mosmarrëveshjet brenda Këshillit nuk mund të zgjidhen më pas dyerve të mbyllura dhe se vendet anëtare janë të paafta për t’i shpallur ato publikisht pa shkaktuar dëme të konsiderueshme diplomatike.

Nëpër të gjithë rajonin, minoritetet po ndjehen më të fuqizuara dhe qytetarët po bëjnë kërkesa gjithnjë e më të forta për qeverisje më të mirë. Ka një dëshirë në lulëzim për një të ardhme që heq dorë nga politikat tradicionale të bazuara në frikë dhe zemërim.

Në këtë kontekst, politikat e sauditëve duket se janë të bllokuara në të shkuarën dhe Mbretëria ka vendosur të zbatojë një strategji që duket se ndihmon më shumë në vetë-izolimin e saj ndaj problemeve të përtej kufijve, megjithëse vijon ta shohë veten si ndërmjetësues pushteti në rajon.

Afrimi i papritur mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe erdhi jo nga joshja nga politikat saudite por nga perceptimi i përbashkët i sundimtarëve se ka një mungesë opsionesh politike.

Mundet, natyrisht, të trajtosh problemet reale të qeverive të Këshillit me mencuri, probleme që variojnë nga minoritete të zemëruara te ekonomi që nuk janë në gjendje të krijojnë vende të mjaftueshme pune për të rinjtë. Por zgjidhja e këtyre problemeve kërkojnë një përqasje gjithëpërfshirëse dhe pajtuese, si brenda vendit ashtu edhe në rajon dhe Arabia Saudite, në veçanti, nuk është e përgatitur të ndjekë këtë rrugë.

Mosmarrëveshjet e Gjirit do të përkeqësojnë sakaq një situatë delikate të Lindjen e Mesme. Realitetet politike rajonale, bashkëpunimi transkombëtar dhe kërkimi i përbashkët për një të ardhme më të mirë, duhet, eventualisht, të triumfojë mbi politikat e prirura nga represioni, disiplina dhe rendi. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit duhet të mësohet me perspektivat konfliktuale mbi përbërjen e rajonit dhe të shkallëve të ndryshme të bashkëpunimit mes aktorëve rajonalë dhe ai duhet t’i përdorë këto dallime si burim fuqie.

Kjo krizë mund të krijojë një mundësi për t’u rimenduar dhe për të rikalibruar strategjitë e Këshillit, bazuar mbi një këndvështrim më realist të ndërvarësisë rajonale, sigurisë së përbashkët dhe vendimmarjes së përbashkët. Një mentalitet i ri në qeverisjen e Këshillit mund të sjellë krijimin e mekanizmave për ndërveprim konstruktiv në rajon, ndërsa ruhet bashkëpunimi me aktorët ndërkombëtarë.

Dukshëm, kjo politikë duhet të jetë më konstruktive se sa dëshira e Arabisë Sadite për rolin e ujkut të vetmuar që thjeshtë sjell bllokim brenda dhe përreth Gjirit.

 

Read more at http://www.project-syndicate.org/commentary/bulent-aras-sees-nothing-good-coming-from-saudi-arabia-s-efforts-to-isolate-qatar#TwsPC58AXDd1XWfJ.99

You may also like...