Disa teknika të thjeshta për një blog

download

Krediti për foton: http://toddbacile.wordpress.com/

Një blog teorikisht është diçka e ndërmjetme mes cektësisë intelektuale të një lajmi televiziv dhe një shkrimi të thelluar të një gazete. Kjo nuk do të thotë se në blogje nuk mund të bëhen gjëra të gjata e të thelluara.

Kreu

Ka disa mënyra si të nisësh një blog, apo si të shkruash rreshtat e para dhe kjo varet para së gjithash nga lloji i materialit që paraqet. Disa metoda unë i përdor më shumë se sa të tjerat: nisja me përmbledhje, nisja me detaj ose nisja kronologjike.  

Nisja me përmbledhje nënkupton që dy tri fjalitë e para të japin tërësinë e materialit. Lajmi për protestën kundër armëve kimike psh, që ka jashtëzakonisht shumë elementë, mund të niset kështu:

Një betejë dramatike mes protestuesve dhe kryeministrit Edi Rama përfundoi pasditen e djeshme me dorëzimin e këtij të fundit përballë kërkesës së protestuesve.

Kjo është nisja me përmbledhje, e njohur edhe si lajmi piramidë.

Një nisje alternative do të qe:

Kryeministri Edi Rama doli para kamerave i tensionuar në orën 5.30 të pasdrekes së 15 nëntorit. “Pushoni!” i tha ai kameramanëve, duke reaguar instinktivisht ndaj zhurmës së madhe,  para se të kuptonte se zhurma në fakt vinte jashtë dritares së zyrës së tij, nga bulevardi, ku 2 mijë të rinj po bërtisnin vazhdimisht Jo armëve kimike!

Kjo është një nisje me detaj për një lajm shumë kompleks dhe me jashtëzakonisht shumë informacion, ku shkruesit do t’i duhet të zgjedhë çfarë të fusë në shkrim dhe çfarë të lërë jashtë. Kur përdor këtë lloj hyrjeje, i krijon përshtypjen lexuesit se shkrimi do të jetë me shumë detaje të vogla që në fund synojnë të krijojnë tërësinë e ngjarjes.

Një hyrje tjetër me detaj do të qe:

Një djalë me pak mjekër i doli para me një makine në bulevardin Dëshmorët e Kombit mëngjesin e të enjtes së 14 nëntorit. Synimi i tij qe që të ndalonte trafikun e makinave në orën e pikut. Makinat vijuan të kalojnë përreth tij ndërsa polici i hutuar i trafikut nuk dinte çfarë të bënte. Pak më vonë, një grup vajzash krijoi një zinxhir njerëzor për të ndaluar trafikun në bulevard në kryqëzimin pranë kryeministrisë. Kështu nisi protesta që 48 orë më vonë kulmoi me dorëzimin e qeverisë para kërkesave të protestuesve.

Përdorimi i një detaji njerëzor nga një ngjarje që përfshiu mijëra shqiptarë, e bën shkrimin disi më personal. I jep rëndësi çdo protestuesi dhe të krijon përshtypjen sikur ngjarja po përjetohet sërish duke lexuar shkrimin.

Mund ta nisësh edhe në mënyrë kronologjike.

Psh:

Më 25 tetor 2013, google news në anglisht kapi fjalën Albania në lajmin e publikuar në një gazetë norvegjeze në gjuhën angleze. Shqipëria qe përmendur vetëm një herë, në fjalinë e dytë. Më 26 tetor 2013, blogu kolektiv Peshku Pa Ujë publikoi një njoftim të shkurtër ku thuhej se Aleanca Kundër Importit të Plehrave, ka zbuluar nga media norvegjeze se Shqipëria mund të jetë destinacioni final i armëve kimike të regjimit diktatorial të Sirisë. Asnjë gazetë dhe asnjë televizion nuk e pa të arsyeshme ta publikonte këtë njoftim. Më pak se tri javë më vonë,  të gjithë flisnin për asgjë tjetër veç këtij lajmi.

Është gjithmonë interesante të gjesh zanafillën e një ngjarjeje të madhe, por kjo është edhe paksa e rrezikshme sepse mund të gjesh edhe zanafillën e gabuar. Psh, lajmi i Reuters për këtë çështje thotë se lajmi fillimisht pati dalë më 31 tetor dhe dështon të gjejë faktin që lajmi doli në një media norvegjeze, pastaj në një blog shqiptar nga ku mori rrugë. Pra është shumë e pasigurtë kur kërkon rrënjët e një lajmi nëse i ke gjetur me të vërtetë.

Kaq për sot, më vonë mund të flasim për teknika të tjera. Shpresoj t’ju hyjë në punë e t’ju nxisë të hapni një blog.

PS. – aka Post Scriptum

Siç mund ta dalloni, kam vënë linqe për informacionet që kam përdorur. Duke qenë se shumë fakte publikohen në internet tani, vendosja e linqeve aty ku është e mundur ndihmon shumë në rritjen e besueshmërisë së informacionit të publikuar.

You may also like...