Ditëlindja e Gjeniut mbyllet me mbrëmja gala

Njerëz të letrave, akademikë, botues, politikanë, intelektualë e artistë ishin mbledhur mbrëmjen e 28 janarit në hollin e hotel “Carlsberg” për të kremtuar ditëlindjen e tetëdhjetë të gjigandit dhe shqiptarit më të famshëm Ismail Kadaresë. Të ftuarit mes poezisë, muzikës, baletit dhe refleksioneve letrare mbi veprën e shkrimtarit shqiptar, fama e të cilit i kapërceu kufijtë e hekurt të vendit në diktaturë shumë më përpara se ai të vendoste të jetonte jashtë Shqipërisë, letrat e të cilit krijuan në shpirtin e shqiptarëve atë dritë dhe kulturë që atyre prej vitesh regjimi i ashpër ua mohoi. Prandaj mendjet e ndritura të vendit kishin vendosur të përkujtonin këtë ditëlindje ndonëse gjeniu Kadare ka zgjedhur Parisin si shtëpinë e tij në vitin 1990.

Nje torte me permasa gjigande dedikuar gjeniut Kadare!

Nje torte me permasa gjigande dedikuar gjeniut Kadare!

Pikërisht në qytetin e dritave ka vendosur ta festojë edhe këtë ditëlindje Kadare, i cili ka dërguar përshëndetjet dhe falënderimet për të gjitha veprimtaritë që janë organizuar ditën e djeshme në nder të tij. Madje veçanërisht falënderoi grupin nga Piluri që nën tingujt e muzikës polifonike i kushtoi gjeniut të madh këto vargje:

Dëshpërimet Shqipëtare
Ia ktheve botës në dritë
Gatove veprën krenare
Gjeniu Gjirokastrit
Sveni dot më lartë o male
As me thellë ju oqeane
Vetëm fama Kadariane
Aq sa rritet dhe përhapet
Të lumtur të gjithë sa qemë
Që jetuam Kadarenë

Vargje që dëshmojnë edhe një herë atë bekim që Perëndia i dha vendit në ato vite të errëta të diktaturës, ku shkrimtari gjenial ndonëse në shoqërinë e udhëheqësve të bllokut arriti të ndërtonte një roman aq ambig sa që i shpëtoi leximit të rreptë të nomenklaturës.

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, e ngritur më 2011-ën me nismën e disa intelektualëve shqiptarë, për të promovuar krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në Diasporë. Pikërisht kjo Akademi e cila ka si President Nderi gjeniun Kadare ishte dhe organizatorja dhe promotorja e këtij aktiviteti.

Në letrën e tij përshëndetëse, gjeniu Kadare e ka quajtur këtë mbrëmje gala si një festë të kulturës shqiptare, ngjarje që e kalon rastin e kremtimit të një ditëlindjeje. Sipas tij, kjo ditëlindje nuk simbolizon vetëm lindjen e tij por edhe lindjen e një letërsie tjetër në zhurmën dhe shëmtinë estetike të kohëve në të cilat ai lindi.

Fjalën i pari gjatë mbrëmjes e mori presidenti i kësaj Akademie, Fatos Tarifa, i cili u ndal në disa refleksione mbi veprën e Kadaresë dhe trajtoi qasjen e shkrimtarit përballë shoqërisë, duke theksuar temat e mëdha të cilat janë trajtuar në romanet e tij. Ai theksoi edhe një herë fort rëndësinë që mendimi i gjeniut mbi identitetin kombëtar apo atë Europian të shqiptarëve duhet të jenë aksiomat mbi të cilat duhet të ngrihet mendimi shkencor. Fryma dhe idetë e gjeniut mbi raportin me fqinjët, sipas profesor Tarifës, duhet të jenë themelet e politikës së jashtme shqiptare. Ai argumentoi gjithashtu se edhe shumë studiues, antropologë e deri filozofë si Badieu kanë cituar gjeniun Kadare në librat e tyre. Duke dëshmuar gjenialitetin e kësaj figure që tejkalon universin dhe që shkon deri pranë aureolës hyjnore të Dantes.

“Kadare ka meritën në formimin e një brezi të tërë me shijen artistike dhe dashurinë për atdheun dhe partinë. Nga studentët, nxënësit, e të tjerë, ai lexohej pa dalë akoma në librari dhe ende sot askush nuk e di se si mund të lexohet dikush pa dalë në librari..por ja që ai lexohej sepse qe gjeni”, – u shpreh Tarifa, duke shtuar se formimi i tij letrar dhe jo vetëm ka ardhur me Kadarenë, i cili sipas Tarifës qëndron jo vetëm në nivel me Cvajg, Çehov, Hemingëay, Dostojevski, Joyce, Kafka por hera herës është më lart se to.

“Kadare ka ndryshuar mënyrën se si e shkruajmë dhe e lexojmë letërsinë, para se të njihesha me gjeniun Kadare unë e lexoja një libër me të ndenjura në karrige apo diku tjetër. Mirëpo sapo rashë në kontakt me gjeniun fillova të vendos kokën në vendin ku vendosen të ndenjurat, qëndrim ky që do qe i pamundur nëse nuk do kisha kontakt me veprën e tij”, – shtoi Tarifa.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, parashtroi me një qartësi mbresëlënëse ndikimin e Kadaresë dhe kontributit të tij në kulturën shqiptare.

“Falënderoj Akademinë që na mbledh. Por mbi të gjitha falenderoj Kadarenë që zgjodhi të lindte në një katund të vogël si Shqipëria. Gjenitë, të nderuar, lindin aty ku duan siç edhe ka thënë Platoni i famshëm. Prandaj ne duhet të falenderojmë çdo ditë të shënuar të vitit që Gjeniu lindi në këtë vend të humbur të botës, në këtë katund. Duhet të falenderojmë që Gjeniu zgjodhi të shkruante dhe të na iluminonte me dijen e tij dhe fjalët e tij, që na futi në gjak estetikën e cila kish mbetur në duar të pasigurta.”, – u shpreh ministrja Kumbaro, duke shtuar se në vend të lektores, zgjodhi që këtë mbrëmje të mbetet në rolin e lexueses, ndërsa lexoi një pjesë nga libri “Kafe Rostand”, ku shkrimtari shkruan për çmimin Nobel, duke qenë një prej të lakuarve mes shkrimtarëve që e pretendojnë çmimin prestigjioz të Akademisë suedeze. Në fund të fjalës së saj, Kumbaro i ftoi të pranishmit në shtëpinë e shkrimtarit në Gjirokastër, shtëpi të cilën Kadare bujarisht ia ka dhuruar Ministrisë së Kulturës për ta shndërruar në muze dhe gjithashtu premtoi që shumë shpejt Universitetit të Letërsisë do t’i vendoset emri i Kadaresë, prej së gjalli, si edhe pritet një bust i ngritur në një nga qendrat e Tiranës po ashtu për së gjalli.

Mbi vargjet e Kadaresë dhe muzikën e kompozuar nga Gjergj Leka, këngëtarja Eneda Tarifa interpretoi për të pranishmit këngën “Poezia e deklaruar”. Aty ku Kadare i drejtohet letrarucëve që bënin poezi të shpifur kështu “Hiquni nga udha poetë bimorë!/Mbi vargjet tuaja po mbin bari”

Pas minutave muzikore, fjalën e mori akademiku Xhevat Lloshi, i cili kishte ditëlindjen në të njëjtën ditë me shkrimtarin Kadare. Ai u ndje shumë i entuziasmuar nga kjo rastësi fatlume dhe fjalimin e tij e mbushi me takimet e rastësisshme që qëllonin përherë në ditën e ditëlindjes. Ditë të bukura ku z. Lloshi e takonte Gjeniun në hyrje të bllokut ndërsa e priste me orë të tëra.

 

 

Mjeshtri i madh i skenës, aktori Mirush Kabashi lexoi një prej tregimeve me titullin “Ëndër industriale”, shkruar në vitin 1960 prej Kadaresë.

Një tjetër anëtar i Akademisë shqiptare të Arteve dhe Shkencave, Basri Çapriqi mbajti një kumtesë mbi Topet shqiptare dhe dramën ballkanike në universin e Kadaresë, duke ia lënë më pas vëmendjen tingujve të pianos së Nora Çashkut, e cila luajti një Romancë të Tonin Arapit, duke i dhënë mbrëmjes edhe më solemnitet dhe atmosferë klasike.

Edhe bashkëshorti i saj, kineasti i njohur Kujtim Çashku ishte i pranishëm në mbrëmje, i cili u ndal në kontekstualizimin e imazhit në veprën e Kadaresë.

Botuesi i “Onufrit”, njëherazi edhe botuesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri foli rreth marrëdhënies së tij me shkrimtarin, takimi i parë me të cilin ka qenë në nëntorin e vitit ’95, një takim që përcaktoi edhe të ardhmen e bashkëpunimit të shkrimtarit me Shtëpinë botuese “Onufri”.

Poezia e famshme “Motive të tetorit 1956” e Kadaresë, të cilën këngëtarja e xhazit Elina Duni e ka shndërruar në këngë, erdhi në formën e një rumbe sensuale, vallëzuar nga çifti i balerinëve Adela Lami dhe Krisi Dalipi.

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, shkëlqesia e tij Henri Çili mbajti një kumtesë mbi marrëdhënien e Kadaresë me botën universitare dhe lexuesin e ri. Ky universitet më herët, përuroi edhe Qendrën e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”, një nismë që i paraprin themelimit të një departamenti të letërsisë po në këtë universitet. Sipas fjalës së z. Çili pikërisht nën dritën e një gjeniu që nuk është kritikuar asnjëherë dhe as nuk do të kritikohet, kjo Qendër do të jetë balla e kritikës që do të pësojë çdo roman i këtij vendi.

Mbrëmjen e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shprehur urimet për ditëlindjen e atij, që ai e quajti qytetari më i dashur i Tiranës. Ai premtoi se pranë bashkisë do të hapë një drejtori të posaçme të titulluar “Drejtoria Kadare” e cila do të merret me shpërndarjen e veprave të Kadare në gjithë frontet demokratike të Bashkisë Tiranë.

Këngëtarja Eneda Tarifa përshëndeti edhe njëherë të ftuarit me poezinë e shndërruar në këngë “Harmonikë në kufi”, ndërsa mbrëmja u mbyll nën interpretimin e Mirush Kabashit, i cili recitoi më të dashurën prej poezive të Ismail Kadaresë, “Paris”.

Shikimi im për ty u ngrys,
Edhe për her’ të parë,
Un’ qava, qava Paris
Për trimat komunarë.

Qëndronja heshtur në mendim,
Nuk fjeta atë natë:
Me ta u gdhiva gjer n’ agim,
me ta në barikadë.

 

Mes urimeve për shëndet e jetë të gjatë, pjesëmarrësit e kësaj mbrëmjeje uruan shkrimtarin që së shpejti të nderohet edhe me Nobelin e Letërsisë.

 

You may also like...