Dy herë mat

Shvejku

Në fjalimet e viteve të opozitës, Rama për kohë me radhë parashikonte një të ardhme të errët për arsimin universitar të vendit tonë. A ishte gabim? Nuk mendoj se qe gabim, por problemi i opozitarëve tonë është se tjetër flasin në opozitë dhe tjetër flasin kur hipin në pushtet, përpos kësaj pushteti duket se i jep Ramës disa qasje që një herë e një kohë i ka pasur dhe Berisha.

Fjala vjen nëse Berisha pohonte se në çdo shkollë të këtij vendi ka internet ndërkohë që shkollat e këtij vendi vuajnë dhe lëngojnë ende justifikimin “tranzicion shqiptar”, Rama premton në parlament se do të bëjë me tabletë çdo nxënës dhe me tabelë dixhitale çdo shkollë. Për të vazhduar në lëmin e krahasimeve, kujtojmë se Berisha na solli në mendje se duhet të mësojmë kinezçen  Rama nuk e la këtë batutë më pas dhe dhjetë muaj pas ardhjes në pushtet i premton Kasparovit se do fusë shahun në shkolla, pasi i ka premtuar dhe Platinisë që do fusë futbollin në shkolla (a thua se futbolli nuk njihet tek ne dhe priti Ramën të vinte). Të dy këto krahasime të mësipërme tregojnë se pushteti ka të njëjtën qasje lunatike për cilindo nga këto personazhe, që të etur për reklamë ndaj vetes shfaqen përditë në televizione duke harruar dhe premtimet e tyre elektorale.

Para disa vitesh në vendin tonë plasi një skandal, Renzo Bossi (i njohur si trofta) kishte marrë një diplomë në një universitet privat të vendit tonë (Universiteti Kristal). Lajmi erdhi nga përtej detit e ne vetëm se na u kujtua një barsaletë për këtë fakultet por nuk është se preku ndjenjat tona qytetare; fundja ne e dimë se në këto universitete fitohet diploma pa djersën e ballit. U bënë shumë emisione dhe debate mediatike, mbrojtësit e liberalizmit u turrën në emisione për të mbrojtur kinse liberalizmin e tregut, sepse në fakt ato po mbronin qeverinë dhe sjelljet e saj në këtë treg universitetesh. Ish ministri i qeverisë Berisha pezulloi për një farë kohe Universitetin Kristal, nga të dhënat e universitetit kuptuam se zv/ministria aktuale (që ka qene dhe zv/ministre në qeverinë e shkuar) zj. Nora Malaj ka qenë në bordin drejtues të këtij Universiteti. Asokohe opozita akuzoi qeverinë si të lidhur me këto universitete, pretendoi se do të rikthente rilindjen tek universitetet private dhe me shumë mundësi u votua nga një milion vota edhe për këtë rilindje.

Që me ardhjen në pushtet qeveria e re pretendoi se do të akreditonte universitetet private, një hulumtim në faqen e internetit  dhe na shfaqen rishtazi një sërë universitetesh kur ndër të tjera në vendin e tretë të listës në pritje shohim “Universiteti Privat “Albanian University” dega “Qeverisje dhe Administrim Publik”. Deri më tani nuk ka asgjë të keqe në këtë proces përpos faktit se nëse hapim faqen zyrtare të Ministrisë lexojmë se “Znj. Nikolla, në Korrik 2010, ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzeku­tiv pranë Albanian University”. Kështu zj. Nikolla, që do të akreditojë këtë universitet privat në degën në të cilin ajo para 4 vitesh ka kryer master, është ministria dhe përgjegjësia e akreditimit. Z. Rama në intervistën në Hard Talk pohoi se qe sistemi që i korruptonte njerëzit e pushtetit, tanimë është e qartë që një nga ministret e tij ka kryer master në një shkollë që ka nevojë të akreditohet. A mund të besojmë se ajo do të akreditohet për cilësitë e saj e jo për faktin se ajo ka përfunduar masterin atje?

Ndërsa vazhdojmë hulumtimin tonë, shohim se pronari i këtij fakulteti është një nga deputetët e PD-së për qarkun e Beratit. Pra, problemi bëhet gjithnjë e më i madh. Nëse deri më dje z. Rama akuzonte lidhjen e pushtetit me krimin dhe korrupsionin çfarë do të thotë tani? Mbetet në dorë të z. Rama por deri më tani ai është dy herë mat, njësoj si Kapexhiu në filmin me të njëjtin emër.

You may also like...