Dy rrugët për qeverinë e re

Gjergj Erebara

Lajmi i mirë është që të gjitha problemet aktuale të Shqipërisë janë në dorë të qeverisjes. Pyetja është nëse qeveria do të zgjedhë rrugën e të mosbërit asgjë, apo do t’i hyjë rrugës së vendimeve të ashpra

Teoria klasike e ciklit ekonomik dhe politik thotë se qeveritë premtojnë ulje taksash e rritje shpenzimesh kur garojnë për të marrë pushtetin, i harrojnë premtimet në dy vitet e para dhe bëjnë pikërisht të kundërtën, duke rritur taksat dhe duke ulur shpenzimet dhe në vitin e tretë fillojnë të ndërrojnë rrugë me shpresë se lirimet do të ngrohin popullsinë në vitin e katërt dhe do t’i japin sërish votën për një mandat të dytë.

Situata e buxhetit është e tillë: gjatë gjashtëmujorit të parë është marrë borxh për të paguar të gjitha investimet publike, si dhe për të paguar 70 milionë dollarë shpenzime korrente, pra shpenzimet e domosdoshme për paga, pensione, karburant e interesa borxhi. Situata nuk pritet të jetë e ndryshme në gjashtëmujorin e dytë apo në vitin e ardhshëm.

Politika “pa bërë asgjë”, nënkupton që borxhi publik vetëm të rritet. Asgjë e tmerrshme nuk ndodh me përjashtim të faktit që kursimet e shqiptarëve përfundojnë për të paguar pagat dhe pensionet e shtetit në vend që të shkojnë për investime. Dara mbi financat publike do të shtrëngohet më shumë dhe shpresa për rimëkëmbje ekonomike do të largohet.

Politika e uljes së shpenzimeve, që kalon drejtpërsëdrejti nga ulja e pagave dhe pensioneve, është e paprecedentë në Shqipëri dhe vështirë se do të kapërdihet politikisht nga mazhoranca e re.

Politika e rritjes së taksave është ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë. Pyetja është se çfarë taksash do të rriten. Hapësira për të rritur taksa është shumë e kufizuar, sidomos nëse synohet të mos preken të ardhurat e popullsisë. Lufta kundër evazionit fiskal si një rrugë që nuk kërkon rritje taksash kërkon disa kushte, vullnet politik dhe aftësi administrative, që zor se japin efekt menjëherë.

Në thelb, rrugët nga duhet të kalojë qeveria janë dy: të mosbërit asgjë me shpresë se ekonomia do të fillojë të rimëkëmbet dhe të ardhurat fiskale do të rriten, dhe kryerja e një operacioni të dhimbshëm rritje taksash dhe shkurtim shpenzimesh.

Aktualisht Shqipëria gjendet në disa kushte të cilat mund të bllokojnë zhvillimin ekonomik për shumë dhe shumë vite.

Problemi i parë është që bankat po vegjetojnë duke investuar kursimet e bollshme të shqiptarëve te borxhi publik pa pasur nevojë të rrezikojnë duke financuar sektorin privat. Bankat po vegjetojnë gjithashtu edhe nga detyrimi ligjor i sektorit shtetëror dhe privat për të kryer veprimet e tyre të pagesave përmes sistemit bankar, gjë që krijon një bazë klientësh me detyrim dhe një bazë të ardhurash të sigurta. Të dyja këto vegjetime lidhen drejtpërsëdrejti me shtetin. Heqja e detyrimit të bizneseve për të vepruar përmes bankave mund të lehtësojë disi, por heqja e fitimeve të bankave nga bonot e thesarit kërkon asgjë tjetër veçse ulje të huamarrjes publike dhe kjo gjë nuk është e lehtë.

Investimet janë shumë të pakta, vërejtur kjo te stoku i kredive në stanjacion prej shumë muajsh. Eficenca e shqiptarëve në punë nuk po përmirësohet. Në sektorë tashmë tradicionalë si manifaktura, ndoshta është arritur maksimumi i mundshëm. Shqipëria gjendet në pikën kur duhet të kalojë nga një ekonomi me intensitet të lartë pune, në një ekonomi me intensitet të lartë kapitali. Por rritja e intensitetit të kapitalit kërkon treg krediti më të mirë. Kjo kërkon para së gjithash mirëfunksionim të sistemit të ekzekutimit të kolateralit për kreditë e falimentuara, pra zbatim kontratash. Edhe kjo është një lloj pune që kërkon kohë që të realizohet, sepse kontratat kalojnë nga sistemi gjyqësor. Dhe që të reformosh sistemin gjyqësor do të thotë të ndëshkosh gjykatësit për çfarë bëjnë dhe çfarë nuk bëjnë.

Shqipëria është gjithashtu nën varësinë e disa importeve të detyrueshme nga kontrata afatgjata të nënshkruara nga qeveria në ikje apo nga ajo para saj, të cilat po thajnë vendin nga burimet ekonomike të domosdoshme për zhvillim. Këto importe të detyrueshme, fjala vjen, pasaporta biometrike, pulla fiskale, energji elektrike apo shërbime të tjera, funksionojnë edhe në formën e monopolit ligjor. Kemi pastaj bllokimin e mundësisë për investime në hidroenergjetikë, pasi kontratat koncesionare i janë dhënë në masë njerëzve që nuk kanë kapacitetet t’i ndërtojnë hidrocentralet. Kontrata të tilla vështirë se mund të zhbëhen.

Në thelb, lajmi i mirë është që të gjitha problemet aktuale të Shqipërisë janë në dorë të qeverisjes. Pyetja është nëse qeveria do të zgjedhë rrugën e të mosbërit asgjë, apo do t’i hyjë rrugës së vendimeve të ashpra, të cilat kanë njëkohësisht edhe të mira edhe të këqija, që më së shumti krijojnë vështirësi shtesë për popullatën në dy vitet e para për të sjellë potencial për rritje në të ardhmen.

You may also like...