Dystopia

Kronikë e një Rilindjeje të Paralajmëruar

19 qershor 2017!

Pas një dite emocionuese zgjedhjesh të lira por të pandershme  me incidente të pakta nëpër qendra votimi dhe numërimi dhe me vota të blera masivisht të cilat nuk mund të evidentohen nga metodologjia e prapambetur e ODIHR, Partia Socialiste dhe aleatët e saj shpallin fitoren publicitare të rradhës. Nga dhoma e KQZ, kryetari Denar Biba pas disa seancave të shkurtra loje ngriva-shkriva ku pretendon se ai është i aftë të shënojë gol në të dyja kampet, thërret befas “Bingo!” dhe shpall rezultatin përfundimtar që nxjerr PS me 69 vota, LSI me 20 ndërsa PDIU me 20 deputetë, çka e kthen opozitën në një garrumbull të parëndësishëm deputetësh.

Portalet virtuale, virtualisht të pavarura online raportojnë se qeveria ka përdorur të gjitha bandat e mundshme dhe të imagjinueshme për të abuzuar me votën e lirë dhe numërimin e saj. Ben Blushi shkruan një editorial ku ia hedh fajin establishmentit, dhe ku u kujton qytetarëve se Rama nuk bëri as zgjedhje në parti jo më në Shqipëri, dhe me kaq mbyllet shkrimi i tij.

Pasi e merr veten, Lubonja shkruan një shkrim të gjatë tek Panorama ku në një dy faqësh e gjysmë shpjegon, sa psikologjikisht aq edhe filozofikisht, sjelljen diktatoriale të Ramës.

Ambasadori Lu  shprehet se zgjedhjet janë vullnet i popullit ndaj ato duhen lexuar me kujdes, ndërsa zonja Vlahutin me një deklaratë për shtyp nga zyrat e BE në Rolling Hills shprehet se Shqipëria pasi mbylli me sukses kapitullin e zgjedhjeve duhet të angazhohet seriozisht për të plotësuar kushtet e mbetura për të çelur negociatat.

Nga rradhët e rralluara të opozitës shpërthejnë akuzat e rradhës ndaj qeverisë.

PD posedon video dhe prova të tjera që mbështesin qëndrimin e saj, por mesazhin kryesor në mediat vizive dhe të shkruara e zënë kritikat për drejtimin e dobët të partisë, butësinë proverbiale të Bashës si dhe rezistencën që i vjen liderit të ri dhe ende pa përvojë nga grupi deputetëve brenda PD (i vetëquajtur grupimi Olldashi). Ambasadorët, që duket se nuk kanë ndërmend ta takojnë më Berishën, janë të kënaqur që qeveria e re e Shqipërisë përbëhet nga njerëz që dinë anglishten që atyre u pëlqen të dëgjojnë dhe që vishen firmato tek stilistët e tyre.

Meta mbledh besnikët e rëndësishëm në zyrën e tij. Për të treguar transparencën dhe devocionin karakteristik për LSI si dhe për të shmangur çfarëdolloj ore regjistruese që mund të përdoret për ndonjë videomontazh, besnikët e partisë marrin pjesë në mbledhje tërësisht të zhveshur.

Kerpudha para Kryeministrise deshmon lidhjen treshe PS-PDIU-LSI

Kërpudha para Kryeministrisë dëshmon lidhjen treshe PS-PDIU-LSI

Të vendosur t’i shkojnë luftës deri në fund dhe krejt cullak ata diskutojnë lëvizjet e radhës. Fitorja e Ramës dhe deputetët e Idrizit kanë krijuar mes kampeve një atmosferë të ndezur. Një lajmëtar i dërguar nga Rama nga rradhët e opinionistëve lajmëron Metën se pavarësisht të shtënave, luftë nuk ka për të patur. Duke qenë se pas një beteje të fituar mungesa e luftës mund edhe të interpretohet si paqe, Rama i bën Metës një ftesë vëllazërore takimi në Surrel. Mbledhja e Metës pranon paqen, por jo vendtakimin dhe propozon që menunë ta zgjedhë ai dhe takimi të mbahet në Berat, një zonë me influenca të ndryshme ku çamët do të ndihen inferiorë. Pas debatesh të shumta vendoset që takimi të zhvillohet në rezidencën e re qeveritare të Santa Quarantas. Ministrat lajmërohen paraprakisht që në ditën e 10 të muajit korrik të mos paraqiten në këtë hotel me dashnore.

Mbledhja përcakton politikat ekonomike të secilës parti si dhe zonat e influencës plus emërimet dhe shkarkimet në gjyqësor. Meta mbetet kryetar i parlamentit ndërsa Qifja do të jetë nënkryetar në vend të Idrizit i cili merr postin e zv/kryeministrit të dytë pas Peleshit. Duke qenë se kryeministri kohët e fundit ka lexuar intensivisht Stendhalin, qeverisë i shtohen dy ministri të reja: Ministria e Edukimit Sentimental të Shoqërisë Civile dhe Ministria e Tokave dhe Iluzioneve të Humbura. Të parën ministri e merr PS duke emëruar aty një prej anëtarëve më të spikatur të shoqnisë së vjetër civile të Mjaftit. Synimi i kësaj ministrie është edukimi i shoqërisë dhe rilindja e dytë e saj, meqë shoqërinë civile në mandatin e tij të parë kryeministri e bëri të vdekur. Ministria e Tokave dhe Iluzioneve të Humbura i kalon çamëve të PDIU-së.

Vendoset unanimisht që buxheti i ri të ketë 10 taksa të reja që do të shërbejnë për forcimin dhe mbarështrimin e buxhetit. Gjithashtu vendoset që qeveria do të japë me PPP rreth 600 mln euro që do të shpërndahen në koalicion sipas pushtetit. Rama merr 63% të vlerës, LSI dhe PDIU nga 18.3% për kokë, gjithashtu ndërtohet edhe skema kombëtare e abuzimit me buxhetin dhe pasuritë kombëtare. Gjithë zona e veriut (përfshirë dhe kromin) ndahet midis LSI dhe PDIU (kjo e fundit ka marrë vota si parti çame sa në Shkodër por edhe në Pukë dhe Dropull). Jugu ndahet më tresh, ndërsa Durrësi, Tirana dhe Elbasani për arsye madhore gjeostrategjike dhe sentimentale i mbeten në shumicë absolute PS.

Drejtësia është një tjetër kapitull i rëndësishëm i rilindjes së dytë të shtetit ligjor. Për këtë qëllim kryetarët e partive fituese vendosin të ndajnë me drejtësi kekun e influencës. Merret vendimi që gjyqtarëve që i kishin qëndruar besnikë Berishës t’u refuzohen sërish vizat dhe të denigrohen në media. Gjyqtarët pranë partive qeveritare do të sponsorizohen dhe do vendosen nën mbrojtjen e vettingut madje disa prej tyre janë përzgjedhur paraprakisht si vetues të kolegëve. Pjesa e gjyqtarëve që i hiqen PD ndahet në tre pjesë por këmbëngulja e LSI e ndan atë në dy pjesë ku LSI merr pak më shumë se PDIU, ndërsa kjo e fundit përpiqej të blinte disa gjyqtarë dhe prokurorë të PD-së duke qenë se gjendej e papërgatitur. Vendoset gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të pranojë ankesën e Elvis Roshit për antikushtuetshmërinë e Ligjit të Dekriminalizimit duke e rrëzuar atë.

cili rama

Rama dhe Çili

Mediat e lira dhe të mosvarme nuk mbeten pas. Pa humbur kohë për të vajtuar humbësit, pronarët e tyre shtërngojnë rradhët me fitimtarët. Televizionet kombëtare ndajnë tortën sipas përqindjes. Top Channel rreshtohet fuqishëm pro Ramës, ndërsa gazetarët e tij kalojnë në zyrat e PR të qeverisë pasi marrin udhëzime të rrepta të mos ti shkaktojnë dëme tapicerisë. Gjithashtu forcohet lobimi për LSI dhe PDIU ndër ta. Grupi Klan e ndan prerazi qendrimin e tij. Qendrestarja ABC News rreshtohet me LSI, Klan TV me PS ndërsa Klan Kosova me PDIU. Vizion Plus rreshtohet me PDIU, News 24 me LSI ndërsa Panorama me PS+LSI. Gazeta MAPO shndërrohet në kombinatin studentor dhe novator të PS-së, me  vizionarët dhe editorialistët e saj stakanovistë në garë për të tejkaluar planin e lëvdatave për reformatorin asimetrik por tejet të këndshëm në krye të qeverisë.

Në mënyrë nonshalante dhe spontane filantropi Henri Çili shpall muajin korrik, që çuditërisht koinçidon me ditëlindjen e Ramës, si “Muaji për Kreativitet në UET” duke krijuar njëkohësisht Forumin Kreativ “Edi Rama”, pas riemërimit të Fondacionit për Liri Ekonomike si “Fondacioni për Hapësirë Artistike”.

Ligjvënësi Taulant Balla ngarkohet të propozojë menjëherë, pas votëbesimit të qeverisë rreth 12 projektligje, nga të cilat më kryesoret janë: ligji i mbetjeve, ligji për armët kimike, ligji kundër portaleve online, ligji për parandalimin e tubimeve të padobishme për shoqërinë, ligji i dekretit absolut (që përcakton se çdo VKM nën këtë titull ska nevojë për votim në kuvend), ligji për vendimet lehtësisht qarkulluese (që përcakton se VKM nuk është e nevojshme të firmosen nga të gjithë ministrat, pasi firmat e tyre mund ti kopjojë lehtësisht sekretarja e kryeministrit), ligji “Harambe” në mbrojtje të dinjitetit të kafshëve dhe në kujtim të gorillës së ekzekutuar pa të drejtë që mbante këtë emër, si dhe ligji për figurat e pastra që duhet të vijnë në kuvend. Ligji i fundit përcakton një komision polipartiak me shumicë në mazhorancë që përcakton nëse figurat e listuara nga partitë politike në vend duhet të qendrojnë në listë për deputetë apo jo.

Tetor 2017!

Aldo Bare lirohet nga burgimi dhe emërohet zv/ministër drejtësie. Në daljen e tij të parë për shtyp ai deklaron se viti 2018 do të jetë viti Drejtësisë. Elvis Roshi emërohet kryetari i komisionit të pastërtisë së figurave parlamentare në një komision të përbërë nga 4 anëtarë të tjerë ku 2 i ka PS, 1 LSI, 1 PDIU ndërsa opozitës i është lënë një vëzhgues pa të drejtë replike.

Emisionet televizive janë të mbushura me Master Chief, telenovela turke, emisione sociale (të qara me llahinga) dhe emisione me këngëtarë, plus Big Brother. Politika nuk është më trendy ndërsa politikat e gazetave kryhen nga zyra downloadqendrore e mendimit shoqëror në Kryeministri. Zyra e PPPRRR-it (Parandalimit dhe Propagandës kundër Partneriteve Publike-Private) angazhohet edhe me krijimin e paneleve ditore në emisionet më të ndjekura televizive.

Emisionet e lajmeve paraqesin kronikat e shkruara dhe filmuara nga zyrat e shtypit, koha është e ndarë sipas pushtetit parlamentar të partive politike ndërkohë që Veliaj zë vend më vete si pasojë e pushtetit bashkiak që ka.

Vendi vuan nga një ekonomi e dobët që rritet ngadalë vetëm si pasojë e konjukturave ndërkombëtare, qeveria akuzon borxhet e trashëguara nga qeveria Berisha 2, ndërsa borxhi rritet për investime kulturore. Galeria e Arteve rrethohet nga disa vepra arti post-moderne që pasojnë Re-në plotësisht të ndryshkur në fund të vitit 2017. Buxheti i Galerisë së Arteve përgjysmohet, shumica e fondeve i kalon COD që kthehet në burimin e artit dhe ekspozenë kryesore të tij. Muzeu Kombëtar shndërrohet në një godinë me buxhet sa Teatri i Metropolit ndërkohë që Bunk’Art është muzeu i ri që pritet të rihapë edhe ish-vilën e diktatorit Hoxha. Piramida shndërrohet në “Qendra Kulturore Kristaq Rama” ndërsa Liceu artistik e quan klasën e dalluar “Klasa Rama”. Qendra e Tiranës pritet të rikonstruktohet, rikualifikohet dhe të pasurohet me kulla. Veliaj ka vendosur që qendrën e kryeqytetit ta rindërtojë mbi bazën e njërës prej skicave shumëngjyrëshe që ka gjetur në skrivaninë e Ramës. Fatkeqësisht më vonë, pas disa problemeve që lidheshin me identifikimin e një hapësire të madhe ujore në qendër, zbulohet se kjo skicë kishte lidhje me planin e rilindjes urbane të qendrës së Himarës.

Dosja Balili shkon në gjykatën e lartë dhe rrëzohet. Klementi shpallet i pafajshëm, ndërsa mediat raportojnë se ishte Berisha që kish shpikur dosjen e tij. Ndaj Berishës nis procedimi penal. Gaxhai fiton lirinë dhe një dëmshpërblim prej 100 mln eurosh për dëmet fizike dhe imazhit që i janë shkaktuar nga dënimi i padrejtë, emërohet drejtor i portit të Vlorës. Zani Çaushi del nga burgu pak ditë pas publikimit të memuareve të tij dhe qytetarët në Vlorë e presin me festime duke i dhënë titujt “Mandela i Labërisë”, “Albin Kurti i Lagjes Çole” si dhe qytetar nderi i Vlorës. Vendoset unanimisht që Çaushit t’i jepet një pension i përjetshëm ndërsa në tekstet e historisë ai përmendet si Robin Hudi shqiptar që ndihmoi në rekuperimin e prasit të humbur në analet e zëvendkryeministrisë së qeverisë së Partisë Demokratike dhe rrëzimin e qeverisë së diktatorit Berisha. Në ceremoni veç ambasadorit Lu, Vllahutin dhe qeverisë merr pjesë edhe Romano Prodi, mik i vjetër i tij. Emiljano Shullazi fiton pafajësinë me rezultatin 5-0 në gjykatën e lartë, ndërkohë që Lulzim Berisha emërohet nënkryetar i bashkisë Durrës. Tom Doshi emërohet kreu i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Vatikan ndërsa Armando Prenga kryetari i grupit të miqësisë Shqipëri-Amerikë. Ilir Meta merr Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa Rama ka dhënë me koncesion të gjitha repartet ushtarake tek Gaz Demi, repartet do të merren me demontimin e armëve kimike.

Delina Fico emërohet ministre e të drejtave të grave dhe çështjes së xhenderit.

You may also like...