E vërteta e ndihmës ndaj konsumatorit

426957_384994651530226_165845033445190_1305749_1464590414_nXhabyni

Sot Ministri i Ekonomisë diskutoi për herë të dytë mbi çështjet e paketës fiskale, e cila ka nxitur një debat të ashpër mes mazhorancës dhe opozitës por që ka vendosur në një gjendje siklet edhe qytetarët të cilët nuk dinë se çfarë të besojnë. Nga njëra anë është ish mazhoranca e cila me kriteret e saj të deri djeshme nuk është plotësisht e besueshme ndaj mazhorancës së sotme (deri më dje kanë qenë në aleancë me gjysmën e qeverisë) dhe nga ana tjetër propaganda e qeverisë para dhe pas zgjedhjeve flet për pasurim të varfërve dhe luftë ndaj të pasurve. Nën këtë frymë z. Ahmetaj deklaroi se sistemi i ri fiskal është në favor të konsumatorëve dhe në disfavor të pasanikëve, kjo nuk është ndonjë gjetje kush e di se çfarë, fryma e përgjithshme e progresivitetit është pikërisht nxitja e konsumit kështu që z. Ahmetaj nuk është se ka bërë ndonjë zbulim mbresëlënës.

Mirëpo janë disa faktorë të tjetër, brenda sistemit të ri fiskal, që nuk të lënë të mendosh kaq pozitivisht. Në terminologjinë e taksimit njihet faktori i mos indeksimit të inflacionit në ligjet e taksave, kjo do të thotë që një ligj i aprovuar nga parlamenti për taksat nuk merr parasysh inflacionin që pëson ekonomia. Kështu që, qeveria planifikon një efekt tjetër pozitiv për të kompensuar këtë “taksim” të ri, pra rrit pagat në indeksin e inflacionit të parashikuar. Një veprim të tillë qeveria dhe buxheti i ri as që ka ndërmend ta kryejë nga ana tjetër projektbuxheti planifikon rritjen e një sërë taksave të dorës së dytë që ndikojnë në mënyrë direkte në konsumin e qytetarëve.

Kështu që në mungesë të një rritjeje indeksuese të pagave qeveria planifikon rritjen e taksës së qarkullimit e cila edhe pse një taksë e dorës së dytë prek në mënyrë të drejtë për drejtë konsumatorin. Një rritje e kësaj takse do të prodhojë rritjen e çmimit të naftës (e cila nga ana e saj do të preket nga faktorë të tjerë, si fjala vjen rivendosja e doganës për naftën e importuar apo edhe oligopoli i naftës) që do të ketë një efekt zinxhir në të gjithë produktet e tjera sidomos ato konsumuese. Taksa e dyfishimit të qerasë për banesën që përdoret për biznes do të ndikojë në mënyrë direkte tek biznesi dhe më pas konsumatori, sepse një biznes (qoftë edhe i vogël) i cili do të preket nga rritja e qerasë (sepse qiradhënësi do paguajë më shumë tani), do të preket edhe nga rritja e produktit pa harruar këtu edhe ndonjë faktor tjetër të tregut do ta ndikojë drejtë për drejtë çmimin e mallrave apo shërbimeve të tij.

Dikush mund të ngrejë si përgjigje, ndaj kësaj që përmenda më sipër, ato që qeveria ka ngritur. Taksa e makinës dyfishohet në të mirë të ambientit apo fjala vjen një pronar me shumë shtëpi duhet të paguajë më shumë se kështu e ka gjithë Evropa. Natyrisht që këto janë justifikime të drejta por që nuk qëndrojnë në realitetin tonë. Nëse qeveria me të vërtetë dëshiron që të përmisojë cilësinë e ambientit atëherë fare thjeshtë ajo mund të përdorë politika të tjera ambientaliste që kanë ndikim të drejtë për drejtë në mjedis. Njëri prej tyre është një kontroll i imtësishëm i të gjitha kompanive të naftës për të parë nëse realisht këto kompani shesin produkte cilësore apo jo. Por duke patur parasysh që jo më larg se sa dy muaj më parë vetë kryeministri Rama firmosi për mos publikimin e emrave të atyre kompanive të naftës që kishin abuzuar me cilësinë dhe çmimin e produktit që ofronin. Për të mos folur pastaj për Elbasanin që ende mbetet një gangrenë për të cilën qeveria hesht!

Kështu miti i një qeverie që mendon për konsumatorin është e pavërtetë. Jo vetëm që sistemi i ri fiskal nuk është në shërbim të konsumatorit (këtë e kemi përfolur në një shkrim tjetër) por përmes taksave të dyta ai godet konsumatorin dhe konsumin. Dikush mundet të kundërshtojë duke pohuar se qeveria do ta ruaj, sikundër ka pohuar, konsumatorin dhe që nafta dhe produktet e tjera që mund të preken nga rritja e saj nuk do të ndodhë. Çdo kush që e pohon këtë gjë duhet të mos ketë jetuar në këtë vend ose të ketë një besim të verbër ndaj qeverisë. Deri më sot nuk kam parë një qeveri që të arrijë të ketë një autoritet aq të fortë kontrollues ndaj subjekteve që kanë një lobim të fortë në financat e vendit. Cilido që mendon se një ministër do të shkojë të dënojë apo të detyrojë një kompani nafte të ulë çmimin e saj gabohet dhe mjafton të kujtojë që kjo qeveri firmosi të fshihej emri i atyre kompanive që i kërcënonte kur ishte në opozitë. Andrallat e tilla dhe ato të tjera duket se janë pjesë e një propagande që synon të informojë vetëm me të mirat e një sistemi që dëshiron ta shohë shumë më pozitivisht gjendjen e shtetit tonë.

Ajo që mund t’i sugjerojmë qeverisë është që të mos dalë vetëm me një tabelë pagash në dorë për të na treguar se ç’të mira na sjell ky taksim i ri progresiv por të përditësoj atë tabelë edhe me sistemin e ri të siguracioneve për të parë se sa realisht do të kursejnë konsumatorët e ardhshëm. Duke nxjerrë në shtyp vetëm një pjesë të së vërtetës (më saktë atë që i pëlqen ministrit) ajo kryen disinformimin publik. Pa harruar ftesën që ajo mos të jetë më kaq populiste!

You may also like...