Ekonomia sipas këndvështrimit
Duke iu referuar emetimit të bondeve sovrane të Shqipërisë ditën e martë, kryeministri Edi Rama sugjeroi se ky është një test që tregon gjendjen e mirë të ekonomisë kombëtare. Në fakt, çdo shqiptar apo i huaj që ka interesa në ekonominë shqiptare e sheh gjendjen ekonomike nga këndvështrimi i vet.
Në të dyja rastet krahasimi nuk është i vlefshëm dhe kjo për shumë arsye. Tregu financiar ndërkombëtar ka edhe faktorë të tjerë përveç rrezikut ndaj falimenti që ndikojnë normën e interesit të bondeve sovrane në një kohë të caktuar kur këto bonde emetohen. Janë këto faktorë të tjerë pa lidhje me gjendjen e vendit që emeton bonde që përcaktojnë interesin.
E para, është çështja e këndvështrimit: kur e sheh ekonominë e botës nga pikëpamja e një menaxheri fondesh investimesh me zyrë në Londër, Nju Jork apo Dubai, vështirë se arrin ta bësh dallimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e aq më pak të vlerësosh me detaje se cili vend ka qeveri më të mirë. Një investitor ka një sasi parash për të investuar. Ai mund të zgjedhë në një periudhë të caktuar të investojë në bonde të vendeve të ndryshme sipas mundësisë. Bondet 10 vjeçare gjermane japin interes prej 0.4% ndërsa bondet dhjetëvjeçare italiane japin interes 3.44%. Kërkesë-oferta për investime me interes fiks është ajo që përcakton mundësinë e një vendi për të marrë hua me të lirë apo me të shtrenjtë.
E dyta është koha: Maqedonia emetoi bondet e veta në janar ndërsa Mali i Zi në Prill. Shqipëria i emetoi në tetor. Gjërat ndryshojnë me orë në tregjet e bondeve dhe nëntë muaj diferencë janë mjaftueshëm për ta bërë krahasimin të paarsyeshëm.
E treta, një blerës i bondeve e sheh ekonominë nga pozicioni i blerësit të bondeve. Ai nuk është as punëtor, as sipërmarrës, as politikan shqiptar. Investitori e diversifikon portofolin e investimeve të veta në bondet e vendeve apo kompanive të ndryshme në të katër anët e botës. Ndryshe nga ne shqiptarët, investitorët mund të mbijetojnë në rastet kur një nga investimet e tyre falimenton. D.m.th., nëse Shqipëria nuk arrin të shlyejë interesin apo principalin e bondeve sovrane me vlerë 500 milionë euro, menaxherët e fondeve të investimit me vlerë prej miliarda dhe dhjetëramiliarda eurosh vështirë se do të bien në dëshpërim. Ndryshe ndodh me ne shqiptarët. Nëse shteti falimenton, ne humbasim investimin tonë të vetëm.
E katërta, një mbajtësi të bondeve shqiptare nuk i intereson dhe nuk ka pse t’i interesojë nëse shqiptarët jetojnë mirë apo keq. Atij i intereson vetëm një gjë: aftësia paguese. Nëse Shqipëria ka një rezervë valutore prej 3 miliardë eurosh sot, akumuluar përgjatë 20 viteve të fundit, kjo mjafton për të garantuar shlyerjen e detyrimeve të borxhit. Është njësoj si ta shohësh ekonominë nga pikëpamja e koncesionmarrësit. Nëse qeveria të jep asete publike falas, ky është vend i shkëlqyeshëm për një koncesionmarrës, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë nga pikëpamja e atyre që e paguajnë faturën e koncesionit.
Rezultati i emetimit të bondeve sorvane në euro të një vendi të vogël si Shqipëria varet para së gjithash nga gjendja e përgjithshme e tregut në çastin kur ky vend del në treg. Nëse Shqipëria do të ishte një vend i madh, fjala vjen, si Turqia, me 80 milionë banorë dhe me miliarda euro bonde sovrane, atëhere mundej që gjendja politike e vendit të jepte ndonjë ndikim. Pretendimi se ‘tregu financiar botëror’ ka vlerësuar lartë reformat e qeverisë përmes blerjes së bondeve me një interes më të ulët se sa tre apo tetë vjet më parë është i ngjashëm me pretendimin se Shqipëria është qendra e botës dhe se Parisi, Londra e Hong Kongu janë duke diskutuar gjithë zili mbi arritjet e Rilindjes.
Nuk besoj se ndonjë nga blerësit e bondeve sovrane shqiptare e di se kush është kryeministër në Shqipëri.
Publikuar fillimisht në reporter.al